Të miturit, Manja: Drejtësia do të jetë miqësore dhe rehabilituese - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/02/2022

Të miturit, Manja: Drejtësia do të jetë miqësore dhe rehabilituese

Të drejtat e fëmijëve, funksionimi i drejtësisë për të miturit, mbrojtja psikologjike edhe në momentin e konfliktit me ligjin, ishin në qendër të bisedës që Ministri I Drejtësisë z.Ulsi Manja, së bashku me përfaqësues të UNICEF Albania zhvilluan me disa përfaqësues të kësaj moshe, në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog.

Me fjalë të thjeshta, z.Manja është përpjekur të shpjegojë para fëmijëve se çfarë është në fakt drejtësia për të mitur, si ajo funksionon duke e bërë më pak të pranishëm ndëshkimin dhe më të prekshëm drejtësinë miqësore dhe restauruese.  “Fokusi I gjithë ndryshimeve të bëra në drejtësinë penale për të miturit është të kemi një drejtësi miqësore për ta, një drejtësi që t’I trajtojë fëmijët me fokus të veçantë edukimi dhe rehabilitimi në shoqëri”, tha Ministri I Drejtësisë, duke shtuar se për shumë shkaqe, edhe të pamenduara një fëmijë mund të rrëshqasë drejt një gabimi që e çon në konflikt me ligjin, por detyra e gjithë shoqërisë është që fëmija të trajtohet në mënyrë të denjë. Sipas Manjës të miturit që bien në konflikt me ligjin, nuk do të përballen menjëherë drejtëpërdrejtë me me prokurorinë e gjykatën, por ka disa faza, që nis prej këshillimit, ndërkohë që në çdo fazë I mituri asistohet nga avokat mbrojtës, psikologë, prindi, mësuesi, apo kujdestarët e posaçëm.

Manja ka pohuar se vendi ynë ndoshta mund të jetë I vetmi në rajon, a më gjerë, që ka tashmë një kod drejtësie për të miturit, ku diferenca nga kodi për të rriturit është I qartë. Megjithatë  “…dëshira ime është që të miturit as të mos I çojnë nëpërmend veprimet që të çojnë drejt një krimi sado I vogël që u duket ai. Për ta duhet të egzistojnë vetëm fjalët shkollë, edukim, arsimim, kulturë, teknologji. Të miturit duhet t’I shmangin kontaktet në rrjete sociale, në shkollë, apo kudo me persona që edhe instiktivisht mund ta kuptojnë se s’janë në rrugën e duhur”, ka thënë Manja. Ai u është përgjigjur edhe disa pyetjeve të fëmijëve të pranishëm në këtë takim, duke theksuar se viti 2022 është viti I fëmijëve dhe se aktivitete për njohjen e drejtësisë për të mitur, njohjen e të drejtave të tyre do të jenë të shpeshta dhe në qytete të ndryshme.