Task Forca Antikorrupsion - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 31/07/2018

Task Forca Antikorrupsion

Kallëzim penal për 6 drejtues institucionesh

Për të rritur efikasitetin e luftës kundër korrupsionit, me vendim të Këshillit të Ministrave në prill 2018 është ngritur Task Forca ndërinstitucionale antikorrupsion, e cila drejtohet nga Ministri i Drejtësisë. Në një konferencë për mediat, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj ka bërë një bilanc të punës 2-mujore te kësaj Task Force, ku si një nga rezultatet më të rëndësishme ka renditur depozitimin në organin e Prokurorisë të 3 kallëzimeve penale, për 6 drejtues të niveleve të ndryshme të administratës. “Gjatë periudhës 2-mujore, maj – qershor 2018, Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar kontroll me synim evidentimin e praktikave abuzive, korruptive dhe arbitrare në 35 institucione qendrore ku ofrohet shërbim ndaj qytetarëve. Si rezultat i këtyre kontrolleve, kanë rezultuar shkelje ligjore dhe administrative të drejtuesve dhe punonjësve të këtyre institucioneve, një pjesë e të cilave arrijnë në kufijtë e veprës penale”, ka deklaruar ministrja Gjonaj. Për periudhën Maj – Qershor 2018, Task Forca ka rekomanduar 172 masa disiplinore, prej të cilave 28 largime nga detyra, të cilat përfshijnë një sërë drejtuesish të zyrave rajonale të hipotekës, ALUIZNIT, Tatimeve, AKU-së, inspektorateve, Drejtorive Bujqësore, etj. Task Forca Antikorrupsion ka në përbërje të saj drejtues dhe stafet e institucioneve, apo drejtorive që janë të lidhura drejtpërdrejtë me inspektime dhe kontrolle për rastet e paligjshmërisë, si Inspektoratin qendror, Njësinë e transparencës dhe Antikorrupsionit në Kryeministri, Agjencinë e Prokurimeve Publike, dhe Zyrën Operacionale të situatës në Kryeministri.