Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka pritur sot në një takim zyrtar, z. Christian Lange, Sekretarin Parlamentar të Shtetit pranë Ministrisë Federale Gjermane të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Reformat në drejtësinë shqiptare, statusi aktual i tyre, ecuria e deritanishme dhe strategjia ndërsektoriale për thellimin e reformave, kanë qenë disa nga temat e diskutimit mes Ministrit Naço dhe z. Lange.
Në nisje të takimit, z. Naço ka bërë një prezantim lidhur me hapat e deritanishme të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi, ndërsa ka theksuar se për arritjen e rezultateve konkrete lind nevoja e kontributit të të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, vlerësimi i mendimit dhe i ekspertizës të shoqërisë civile si dhe i misioneve të asistencës së partnerëve ndërkombëtar, ndërveprimi i legjislativit me ekzekutivin, etj.
Gjithashtu Ministri Naço e informoi z. Lange edhe mbi planin për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Ligjore.
“Jemi te vendosur për ndërmarrjen e reformave afatgjata dhe të qëndrueshme. Që kjo gjë të ndodhi lind nevoja e gjithëprfshirjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sikurse rëndësi ka edhe pjesëmarrja e opozitës në këtë proces. Reforma ndër të tjera do të kalojë edhe ne filtrin e një komisioni të posaçëm, i cili do të ndërtohet mbi një formulë gjithëpërfshirëse. Për një proces reformues sa më të thellë do të lindi edhe nevoja e ndryshimeve kushtetuese, një vendimmarrje për të cilën është kërkuar edhe asistenca e Komisionit të Venecias”, u shpreh ndër të tjera z. Naço
Nga ana e tij z. Lange u shpreh optimist lidhur me ndryshimet e ndodhura nga takimi i parë në Berlin me Ministrin Naço, duke i konsideruar këto ndryshime si zhvillime mjaft pozitive.
Z. Lange evidentoi marrjen e statusit të vendit kandidat duke e cilësuar atë si një sukses për të gjithë shqiptarët por edhe klasën politike.
Gjithashtu z. Lange vuri në dukje se Gjermania e ka mbështetur fuqishëm Shqipërinë në këtë proces, duke u shprehur pozitiv lidhur me vijimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, tregues i të cilave është edhe vizita e z. Lange në Tiranë.
“Sistemi i drejtësisë është i një rëndësie madhore për mundësimin e përafrimit me BE-në. Lidhur me reformat mendoj se ato duan kohën e tyre dhe efekti tek qytetarët kërkon një periudhë që të ndjehet. Për Gjermaninë dhe BE-në në tërësi nuk është i mjaftueshëm vetëm hartimi i ligjeve por edhe respektimi i tyre”, u shpreh z. Lange
Gjatë diskutimit, bashkëbiseduesit u ndalën edhe në nisjen nga puna të Misionit EURALIUS IV, me të cilin Ministri Naço ka garantuar nisjen e një bashkëpunimi të ngushtë, ndërsa shprehu vendosmërinë për hartimin e ligjeve në frymën dhe standardet e BE-së.
“Projekti EURALIUS IV shpresoj që do t’ju ofrojë mbështetjen e nevojshme dhe uroj që ju ta shfrytëzoni siç duhet eksperiencën që do t’ju japi ky mision”, tha z. Lange
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.