Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka pritur sot në një takim, z. Aleksandër Belohlavek President i Organizatës Botërore të Juristëve.
Ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, si dy metoda efikase që sigurojnë një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjeve, ishin në qendër të bisedës mes z. Naço dhe z. Belohlavek.
Referuar rëndësisë së aplikimit të këtyre metodave edhe ne vendin tonë, Ministri Naço kërkoi ndihmën e Organizatës Botërore të Juristëve, e cila përmes eksperiencës së saj të gjatë, mund tw asistojë Ministrinë e Drejtësisë dhe ekspertët e fushës, që ta shndërrojnë në një instrument më funksional dhe efektiv ligjin nr. 10385, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.
Ministri Naço është shprehur optimist për mirë-zbatimin e këtij ligji, i cili përbën një risi në kulturën legjislative shqiptare, në rast se do të ishte i mundur shkëmbimi i eksperiencave dhe mundësia e trajnimeve nga ekspertë të kësaj organizate.
Gjithashtu z. Naço dhe z. Belohlavek kanë rënë parimisht dakort për një takim të mundshëm konsultativ rreth projektligjit për arbitrazhin, i cili pritet të propozohet së shpejti në parlamentin shqiptar.
Z. Belohlavek është shprehur optimisht lidhur me nisjen e një bashkëpunimi intensiv në të ardhmen e afërt, ndërsa i ka gjetur me mjaft interes fushat e propozuara për nisjen e këtij bashkëpunimi.
Ndërkohë gjatë këtij takimi, z. Belohlavek e ka njohur Ministrin Naço edhe me aktivitetin e Organizatës Botërore të Juristëve, e cila është themeluar në vitin 1963 dhe ka në përbërjen e saj rreth 110 vende anëtare.
Z. Belohlavek bëri me dije se ajo është një organizatë jo-qeveritare me status këshillimor pranë Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së dhe përbën forumin e vetëm për bashkësinë ndërkombëtare, ku gjyqtarët, avokatët, profesorët e drejtësisë dhe profesionistë të tjerë nga e gjithë bota, punojnë sëbashku për të promovuar rëndësinë e shtetit të së drejtës. Gjithashtu Z. Belohlavek vuri në dukje se organizata qe ai drejton punon ngushtësisht me qeveritë, organizatat jo- fitimprurëse dhe shoqatat ndërkombëtare për të nxitur një dialog bashkëpunimi.
Prof. Dr. Alexander Belohlavek është President i Shoqatës Botërore të Juristëve. Ai është fitues i çmimit prestigjioz ndërkombëtar “Juristi 2013”, i cili iu akordua gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Juristëve të mbajtur në Nju Delhi, më 29 nëntor, 2013
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.