Takimi me Presidenten Jahjaga, "Sundimi i ligjit, garanci për prosperitetin" - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/02/2015

Takimi me Presidenten Jahjaga, “Sundimi i ligjit, garanci për prosperitetin”

Në vijim të vizitës së tij në Kosovë, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço është pritur në një takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zj. Atifete Jahjaga.

Gjatë diskutimit, u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë ndërsa theksi u vu në nevojën e zgjerimit të këtij bashkëpunimi, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit ndërmjet institucioneve të drejtësisë të të dyja vendeve.

Ministri Naço evidentoi rëndësinë që paraqët sundimi i ligjit i cili do të garantontë prosperitet për shoqërinë në tërësi, ndërsa një theks të veçantë vuri në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një parakusht për përparimin në axhendën evropiane.
Ndërkohë, Presidentja Jahjaga tha se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e forcimit të luftës kundër krimit ndërkufitar, në shërbim të të cilit do të ishte koordinimi mes vendeve të rajonit.

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço vlerësoi reformat e bëra nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, ndërsa shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës në të gjitha fushat me interes dypalësh.