Takimi me noterët, Ministri Manjani: Shërbim publik me nivel të lartë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/11/2015

Takimi me noterët, Ministri Manjani: Shërbim publik me nivel të lartë

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka pritur sot në takim një delegacion të nivelit të lartë të notariatit italian, të cilët kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në vendin tonë, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dhe asistencës në rritjen e cilësisë së shërbimit të noterisë në Shqipëri.

Delegacioni i pritur nga Ministri Manjani kryhesoj nga z. Maurizio D’Errico, President i Këshillit Kombëtar të Notariatit Italian, z. Gabriele Noto, Zv/President i i Këshillit Kombëtar, z. Mario Miccoli, Zv/ President i Unionit Botëror të Noterisë për Europën, ndërsa gjithashtu në përbërjen e tij ishin edhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Noterisë Italiane.

Në përfundim të takimit të kortezizë, ku bashkëbiseduesit kanë pasur mundësinë të shkëmbejnë pikëpamjet mbi rëndësinë e këtij shërbimi publik më mjaft rëndësi në vendin tonë, Ministri Manjani e ka vijuar takimin në një aktivitet me pjesëmarrjen e gjerë të noterëve nga i gjithë vendi, ku ka dhënë disa vlerësime mbi mundësitë e tejkalimit të problematikeve që shoqërojnë aktivitetin aktual të notariatit shqiptar.

“Të jem i sinqertë, shërbimi i noterisë është avangarda jonë dhe nga më të mirët kërkohet më e mira. Jam koshient që ju keni vështirësi përballë publikut, por uroj që edhe shërbimet e tjera ta arrijnë nivelin e shërbimit të noterit. Kam qenë kundërshtues i idesë së liberalizimit të noterisë dhe i mbetem kësaj pikëpamje, për arsye se realiteti shqiptar nuk mund të jetë i ndryshëm nga realiteti i origjinës së notariatit. Juve jeni përfaqësuesit e mi më të mirë. Aty ku shërbet, në zyrat tuaja, aty është fytyra ime dhe e Ministrisë së Drejtësisë. Sigurisht që kemi edhe probleme dhe mbetem përkrahës i zgjidhjes së problemeve dhe jo i ndërhyrjeve të dhunshme”, u shpreh në nisjen e fjalës së tij, Ministri Manjani.

Referuar problematikës që vërehet në bashkëpunimin mes noterëve dhe institucioneve shtetërore, Ministri Manjani ka bërë me dije se janë në proces realizimi disa projekte me rëndësi, që do të mundësojnë lehtësi në dhënien e shërbimit, veçanërisht lidhur me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

“Që nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, duhen të marrin shërbim me çelësa në dorë tek zyra e noterit, pa qenë e nevojshme të shkohet në ZRPP ose në hipotekë. Në zyrat e regjistrimit të pasurive nuk jemi ende gati ta japim shërbimin 100 përqind ashtu sikurse duhet dhe reforma e dixhitalizimit është një reformë shumë e madhe, por ndërkohë duhet të shërbejmë. Atje ku kemi mundësinë të bëjmë shërbim online është mirë që ta mbyllim ciklin. Ju lutem ta ndihmojmë njëri tjetrin dhe ta realizojmë këtë projekt. Sot i kemi mundësitë dhe duhet ta realizojmë”, sqaroi z. Manjani

Duke vlerësuar si prioritar rolin e noterit, veçanërisht në çështjet që lidhen me pastrimin e parave, Ministri Manjani theksoi se ky shërbim duhet të kontribuojë edhe në drejtim të sistemit të hetimit.

“Më ndihmoni me propozime konkrete dhe unë do t’i lobojë aty ku duhet. Frymën e bashkëpunimit si dhe nivelin tepër të lartë të shërbimit të noterisë që kemi sot duhet ta ruajmë dhe ta përmirësojmë. Unë i jam mirënjohës dhomës suaj, kryetares së dhomës dhe të gjithë ekipit drejtues, për punën e jashtëzakonshme dhe që ju përfaqësojnë në mënyrën më dinjitoze të mundshme”, u shpreh z. Manjani

Në përfundim të takimit, Ministri Manjani ka tërhequr vëmendjen për më shumë kujdes në ofrimin e shërbimit, pas ndryshimeve që mund të kenë shoqëruar reformën e re të ndarjes administrativo territorial.