Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka pritur në një takim Ambasadoren e Spanjës Zj. Silvia Cortés Martín.
Z. Naço i ka uruar zj. Martín suksese të mëtejshme në detyrën e saj, ndërsa ka shprehur angazhimin e tij në drejtim të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të reformave të ndërmarra në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, si dhe mundësitë për krijimin e një programi bashkëpunimi me Spanjën, në kuadër të forcimit të sistemit të drejtësisë, ishin temë qëndrore e takimit.
Bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në një analizim të projekteve të realizuara, si dhe janë shprehur mbi pritshmëritë e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjelltë, për të cilat zj. Martin ka garantuar se do të kenë mbështetjen maksimale nga shteti spanjoll.
Z. Naço ka vlerësuar ekspertizën e dhënë nga pala spanjolle gjatë misionit EURALIUS 3, ndërsa është shprehur se e mirëpret çdo mbështetje të mëtëjshme të shtetit spanjoll, në drejtim të thellimit të reformave në sistemin e drejtësisë.
Gjatë diskutimit është folur edhe mbi ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku padyshim që shkëmbimi i eksperiencës mes ekspertëve të të dyja vendeve do të ishte me mjaft interes.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.