Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka pritur në një takim kortezie Ambasadoren e re të Mbretërisë së Hollandës në Tiranë, zj. Dewi Van de Weerd.
Z. Naço e ka njohur Ambasadoren Van de Weerd me ecurinë e reformave të ndërmarra deri më tani nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, me qëllim përafrimin e Shqipërisë, drejt procesit të integrimit europian.
Gjatë takimit, Ambasadorja Van de Weerd u shpreh optimiste lidhur me zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri dhe seriozitetin e dëshmuar për realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë.
“Hollanda është mjaft e interesuar mbi zhvillimet që do të ketë kjo reformë në vijim”, u shpreh zj. Van de Weerd.
Në vijim, bashkëbiseduesit janë ndalur edhe mbi rëndësinë që paraqet ligji i ri për mbrojtjen e informatorëve të rasteve të korrupsionit, i cili do të shërbejë si një mekanizëm mbrojtjeje ndaj zyrtarëve që do të denoncojnë rastet e korrupsionit.
Ndërsa është ndalur në vizitën e tij në Mbrëtërinë e Hollandës, të zhvilluar gjatë vitit të kaluar, Ministri Naço ka vlerësuar mbështetjen e marrë lidhur me asistencën ndaj iniciativave në kuadër të forcimit të shtetit ligjor.
Ministri Naço është shprehur pozitiv ndaj mbështetjes dhe asistencës profesionale të misionit EURALIUS 4, asistencë e cila në ndërveprim edhe me opinionin e Komisionit të Venecias do të përbëjnë një burim të besueshëm orientimi, në lidhje me thellimin e proceve reformuese, si një premisë pozitive për arritjen e objektivave integruese.
Ndërsa është ndalur në rëndësinë që paraqet raporti analitik i Ministrisë së Drejtësisë, ku evidentohen sfidat dhe problematikat e sistemit, Ministri Naço theksoi se pjesë e këtij raporti është edhe mendimi i dhënë nga misioni aktual EURALIUS 4, por edhe i misioneve të mëparshëm si dhe i mjaft ekspertëve të tjerë në vendin tonë.
Ndërkohë, Ambasadorja Van de Weerd është shprehur se gjithëpërfshirja në procesin e reformimit është një çështjee me mjaft rëndësi, ndërsa duke u ndalur në problematikat që paraqet sistemi gjyqësor në vendin tonë ajo evidentoi nevojën e zbatimit të ligjit në drejtim të hetimeve më të zgjeruara në sistemin gjyqësor, duke vlerësuar se perceptimi publik është mjaft mosbesues lidhur me këtë sistem.
Në këtë kuadër, kreu i drejtësisë shqiptare theksoi se opozita duhet të leri mënjane kapitalin politik dhe duhet të marri rol aktiv në këtë proces me rëndësi kombëtare.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.