Një tryezë pune me fokus ricidivizmin u mbajt sot me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të lartë të institucioneve qeveritare, të cilat përballen në një formë të caktuar me fenomenin e recidivizmit apo përsëritjes së krimeve. I konceptuar si një tryezë pune me dy sesione dhe me dy panele të ftuarisht, takimi krijoi diskutimin shumëpalësh të ideve dhe mundësive të zgjidhjes së problematikave që hasen aktualisht tek trajtimi i të miturve në kontakt dhe në konflikt me ligjin, burgosjen e tyre në mungesë të një instituti riedukimi, rehabilitimin dhe rikthimin në veprat penale të njëjta apo të ndryshme, pra përfshirjen më veprimtari kriminale etj. Të gjitha diskutimet u përqendruan tek gjetja e mënyrave dhe ngritja e mekanizmave të duhura për të çuar në zgjidhjen e përhershme të fenomenit të recidivizmit tek të miturit. Ky aktivitet u bë i mundur nga mbështetja e organizatës “Save the Children”, e cila prej vitesh punon në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, sidomos në trajtimin e rasteve të fëmijëve në konflikt me ligjin.
Të ftuarit kryesorë në tryezën e punës ishin Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili moderoi panelin e parë të diskutimeve, Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Arben Isaraj, Zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, znj. Elona Gjebrea, Zv/Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, znj. Anila Meço, Drejtore e organizatës “Save the Children” në Shqipëri , z. Ilir Qafa, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, znj. Elina Kondi, Prokurore në Prokurorinë e Tiranës, Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Bledar Skënderi, znj. Arda Lazareni nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, znj. Elidjana Metani, Menaxhere Programi në Save the Children etj.
Në fjalën e tij të rastit, zv/Ministri Isaraj u ndal në analizimin e e situatës së përsëritjes së veprave penlae nga të miturit në konflikt me ligjin. Sipas tij, ekzistojnë tre alternativa të mundshme për tu konsideruar në zgjidhjen e fenomenint” “Ne, si Ministri e Drejtësisë, kemi kohë që përpiqemi për tu shkëputur nga sistemi i përqendruar vetëm tek arresti dhe burgosja, duke injoruar rehabilitimin dhe riintegrimin e duhur në komunitet të të dënuarve. Tre janë alternativat tona të mundshme për tu konsideruar në këtë tryezë: Të lejojmë trendet aktuale të vazhdojnë, pa ndërhyrjen tonë (thjesht, ruajtjen e status-quo-së); Të rrisim praninë dhe cilësinë e shërbimeve përpara lirimit nga burgu, brenda objekteve të skemës së sigurisë së IEPV-ve, nisur nga faktorët ndihmës që lidhen me trajtimin e të miturve, përdoruesve të drogës, të sëmurëve mendorë e deri tek programet e nevojshme të edukimit e trajnimit profesional; Të rrisim e kërkojmë praninë dhe cilësinë profesionale të organizatave me bazë komunitare, që ofrojnë shërbime në këtë fushë të parandalimit dhe reduktimit të kriminalitetit në vend.”- theksoi ndër të tjera Zv/Ministri Isaraj. Në vijim, Zv/Ministri i Drejtësisë Isaraj propozoi publikimin e një manuali apo botimi për pasurimin e kulturës juridike, e cila është mëse e nevojshme për edukimin e shoqërisë me njohuritë bazë të së drejtës, funksionimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë etj, si një mangësi që është bërë shkak për konfliktualitetin me ligjin të shumë qytetarëve, veçanërisht të të miturve.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, në fjalën e tij parashtroi një sërë të dhënash statistikore mbi recidivizmin tek të miturit në sistemin penitenciar gjatë viteve të fundit, një fenomen që po shënon rritje dhe që nxit për ballafaqimin në diskutime të kësaj natyre mes të gjithë aktorëve institucionalë dhe të shoqërisë.
“Me interes për këtë aktivitet është fakti që të diskutojmë apo analizojmë faktorët që ndikojmë në uljen e recidivizmit. Është e pranueshme se dënimi me burg në aspektin afatshkurtër e parandalon ripërfshirjen në krim, por në aspektin afatgjatë krijon impakt negativ, pasi zvogëlon lidhjen me shoqërinë, si dhe krijon pasiguri në aspektin e punësimit. Prandaj, orientimi drejt dënimeve alternative ka rezultuar jo vetëm më rezultativ në uljen e ricidivizmit, por edhe më pak i kushtueshëm. Të dhënat statistikore ndër vite demonstrojnë një rritje të recidivizmit në përgjithësi dhe në veçanti për të miturit. Duke iu referuar këtyre të dhënave, konstatojmë se në vitin 2011 numri i recidivistëve në sistem ka qenë 24, në vitin 2012 shënonte 28, në vitin 2013 ka qenë 35 dhe në vitin 2014 kjo shifër ka arritur në 59 persona recidivistë. Në shumë vende, shkalla e ripërfshirjes në krim apo recidivizmi përcaktohet edhe si indikator matës i suksesit apo jo të sistemit penitenciar.”- theksoi Zoto.
Të ftuar të tjerë të pranishëm në tryezën e punës theksuan nevojën e koordinimit dhe të ndërtimit të një mekanizmi të përbashkët, për të trajtuar këtë kategori personash që janë më të pambrojtur nga shoqëria, por që paradoksalisht është përgjegjëse e gjithë shoqëria.
Znj. Elona Gjebrea dhe znj. Nora Malaj e hodhën fokusin e fjalës së tyre tek përfshirja në veprimtari kriminale e të miturve si pasojë e faktorëve të brendshëm e të jashtëm, që varen nga shoqëria, familja dhe sistemi i edukimit, por të parë së bashku dhe jo veç e veç. Zv/Ministrja e Brendshme u shpreh ndër të tjera në fjalën e saj, se izolimi në burg nuk rezulton të jetë një zgjidhje, përkundrazi shton premisat për rikthim në botën e krimit pas lirimit të personave të burgosur, veçanërisht të miturve dhe se analizimi i shkaqeve është edhe burimi për gjetjen e zgjidhjeve e situatës aktuale.
Ndërsa Zv/Ministrja e Arsimit, znj. Nora Malaj, u ndal tek efektshmëria e disa mekanizmave ekzistues që duhet të përdoren, jo vetëm sistemit të edukimit, por edhe mekanizmit të prindërimit dhe reagimit më të mirë të shoqërisë ndaj kësaj kategorie vulnerabël, për mos t’i bërë ata të ndihen të përjashtuar. Gjithashtu, mes çështjeve të tjera, znj. Malaj u shpreh e interesuar për ngritjen e mekanizmit të duhur për të zgjidhur problematikën e dënimeve edukuese për të miturit nën 14 vjeç, të cilët sipas ligjit nuk duhet të burgosen, porse të trajtohen në institucione të posaçme dhe që në vendin tonë mungojnë.
Nga ana tjetër, aplikimi i masave alternative për kategorinë e të miturve u konsiderua si një zgjidhje mjaft efektive dhe një instrument ligjor që tashmë e kemi në dorë. Këtë theksoi në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, z. Ilir Qafa, i cili mes të tjerash tha se shërbimi i provës konsiderohet nga ekspertët e sistemit penal si institucion i llojit social, për faktin se përmes filtrave dhe rrjetit që ndërton arrin të identifikojë e vlerësojë nevojat e shkelësve të ligjit, që pavarësisht sjelljeve të tyre mbeten gjithmonë anëtarë të komunitetit tonë të përbashkët.
“Gjatë vitit të fundit është identifikuar si prioritare puna me të miturit, gjë që pritet të japë rezultate afatgjata në uljen e recidivizmit. Është investuar në krijimin e standardeve të veçanta të punës me të miturit për sa i përket marrëveshjeve me shërbime të specializuara për të miturit, programeve me qëllim edukativ, trajnimit të punonjësve për punën specifike me të miturit, si dhe përpunimin e instrumentave të vlerësimit të kësaj grupmoshe.”- theksoi ndër të tjera z. Qafa.
Ndërsa një tjetër pikë e diskutimeve ishte edhe ajo nga ana e gjykimit të çështjeve që kanë të bëjnë me veprat penale të të miturve, temë në të cilën u ndal gjatë fjalës së saj znj. Elina Kondi, përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo vlerësoi punën e bërë në Institutin e të Miturve Kavajë, si një institucion i posaçëm për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin, por theksoi se është e nevojshme që ky institucion të zgjerohet në infrastrukturë, në mënyrë që të gjithë të miturit e sistemit penitenciar të akomodohen aty gjatë gjykimit të veprës së tyre apo vuajtjes së dënimit. Gjithashtu, znj. Kondi u shpreh për nevojën e rishikimeve ligjore që kanë të bëjnë me të miturit, sidomos neni 46 i Kodit Penal, ku të miturit dhe personat me probleme të shëndetit mendor konsiderohen si të papërgjegjshëm para ligjit për veprën penale të kryer, ndërkohë që nuk mund të përfshihen në të njëjtën kategori përpara ligjit.
Sa i takon konsultimit ligjor dhe psiko- social të të miturve në konflikt me ligjin, si një mënyrë që parandalon recidivizmin, u shpreh në fjalën e saj znj. Anila Meço, Drejtoreshë e Save the Children në Shqipëri. Ndër të tjera, znj. Meço sqaroi për të pranishmit se vëmendja e organizatës që ajo përfaqësonte ndaj të drejtave të fëmijëve në Shqipëri ka qenë e madhe dhe gjithëpërfshirëse dhe se ofrimi i mbështetjes për ta para marrjes së dënimit, gjatë vuajtjes së tij dhe pas lirimit ka qenë i vazhdueshëm dhe i nevojshëm për të lehtësuar ndikimin e ndryshimit në jetën e tyre nga jeta në liri në një jetë të izoluar. Ajo tha se shifrat e recidivizmit kanë qenë në rritje gjatë viteve të fundit, por kjo vjen si rezultat i një sërë faktorësh të shoqërisë.
Në fund të takimit, u diskutuan problematika të tjera që lidhen me hartimin e një protokolli të posaçëm për të miturit në konflikt me ligjin, protokoll ky i cili do të saktësonte hallkat institucionale të trajtimit të tyre dhe garantimin e të drejtave që ligji parashikon për këtë kategori.
Këtu mund të lexoni fjalën e plotë të Zv/ Ministrit të Drejtësisë, z. Arben Isaraj
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.