Takimet përmbyllëse të Ministrit Naço gjatë vizitës zyrtare në Francë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/05/2014

Takimet përmbyllëse të Ministrit Naço gjatë vizitës zyrtare në Francë

Axhenda e takimeve të Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço gjatë vizitës zyrtare në Francë, është përmbyllur me një pritje të organizuar nga Këshilli i Lartë i Magjistraturës, me në krye Presidentin e këtij Këshilli, z. Vincent Lamanda.

Z. Naço i informoi anëtarët e këtij këshilli lidhur me problematikat e hasura në drejtim të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve si dhe i njohu me projektin e paraqitur në lidhje me sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve i cili sipas Ministrit Naço ka për qëllim përmirësimin e performancës së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe efiçencën në dhënien e drejtësisë, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarit.

Duke iu referuar këtij projekti Ministri Naço vuri në dukje se sistemi i vlerësimit që synohet të përdoret është bazuar në modelin francez, dhe synon vlerësimin periodik vjetor të gjyqtarëve në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, duke ju mundësuar atyre që të promovohen dhe të avancojnë në karrierë vetëm në sajë të meritës profesionale.

Z. Lamanda e mbështeti këtë projekt ndërsa theksoi se vlerësimi profesional i gjyqtarëve është një element i rëndësishëm i karrierës dhe se sistemi i vetëvlerësimit të tyre, i cili do të aplikohet edhe ne Shqipëri, është një proces objektiv.

***

Më tej, takimet e Ministri Naço kanë vijuar me Prokurorin e Përgjithshëm të Gjykatës së Kasacionit, z. Jean Claude Marin.

Gjatë diskutimeve në këtë takim, theksi u vu mbi nevojën e ngritjes së urave të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, për një përgjigje efektive ndaj parandalimit të krimit, i cili sipas Ministrit Naço nuk njeh kufi.

Nga ana e tij Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Kasacionit, z. Jean Claude Marin garantoi vullnetin për nisjen dhe thellimin e bashkëpunimit në ato fusha ku pala shqiptare do të kishte nevojën për ekspertizë.

Me këto dy takime ka përfunduar edhe vizita zyrtare e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, gjatë se cilës ai zhvilloi disa takime me rëndësi, në kuadër të prezantimit të reformave të ndërmarra në sistemin e drejtësisë, të cilat kanë synuar arritjen e një impakti pozitiv drejt realzimit të perspektivave evropiane të vendit tonë.

Gjatë kësaj vizite zyrtare z. Naço u takua edhe me homologen franceze Znj. Christiane Taubira, e cila përshëndeti reformat e deritanishme si dhe garantoi mbështetjen e Francës në realizimin e objektivave integruese të Shqipërisë në familjen evropiane.