Me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjes së aksesit në gjykata, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka zhvilluar një takim me kancelarët e gjykatave në të gjithë vendin, me të cilët ka ndarë disa porosi të rëndësishme që lidhen me organizimin më të mirë të punës.
Ministri Manjani vuri në dukje se ndër të tjera ky takim ka ardhur edhe në përgjigje të shqetësimeve të publikut në lidhje me cilësinë e shërbimit që ofrohet në sportelet e gjykatave, nga administrata gjyqësore.
Z. Manjani është fokusuar fillimisht në detyrat që duhet të kryejnë sekretaritë gjyqësore, të cilat janë sporteli i parë, ku palët kanë lidhje me Gjykatën. Ministri i Drejtësisë evidentoi si shqetësues faktin se shërbimi që ofrohet në sekretaritë gjyqësore është me orar të pamjaftueshëm.
“Sekretaritë e gjykatave duhet të kuptojnë njëhërë e mirë se nuk është më i rëndë bishti se sqepari. Janë aty për të shërbyer, për të pritur njerëzit, për të pritur padi dhe për të administruar dokumentacion me orare më të zgjatura nga sa deri më sot. Prandaj mërrni masa që të zgjasni oraret e shërbimit dhe të mos kemi radhë në sportel për pritje dokumentacioni apo qoftë edhe zbardhje vendimesh. Nuk i premtojmë dot askujt se si do të jetë vendimi i gjykatës, ky është një raport që publiku e ka me gjykatësin. Ne, unë i pari por edhe ju, kemi detyrë të shërbejmë dhe ta bëjmë jetën e atyre që aplikojnë në gjykatë, sa më të thjeshtë që të jetë e mundur. Në gjykatë, një pjesë pret që të fillojë gjyqi, por një pjesë tjetër e konsiderueshme pret që të vijë sekretari, që të hapet sporteli i shërbimit. Përse duhet të presin? Kjo është e papranueshme! Unë do të dal vetë fizikisht në gjykata dhe nëse e konstatoj këtë gjendje në cilëndo gjykatë qoftë, do kem punë me kancelarin…”, u shpreh z. Manjani
Gjatë takimit të sotëm, z. Manjani u ndal gjithashtu edhe në mënyrën e funksionimit të lajmërimit të palëve në proces.
“Ka një shqetësim në rritje në lidhje me datat e gjyqeve në gjykata. Shumë qytetarë humbin proceset për shkak se nuk njoftohen në mëyrë të sigurtë apo nëse kanë marrë dijeni për datën e gjyqit. Unë e kuptoj që Apeli i Tiranës ka probleme sepse ka ngarkesë të jashtëzakoshme. Apeli në tërësi është një funksion gjyqësor delikat, i vështirë dhe i ngarkuar. Por ju lutem shumë merrni masa që njoftimet të jenë të rregullta. Nëse do të konstatoj se brenda sistemit që ekziston sot, dikujt nuk i është dhënë mundësia për të marrë dijeni mbi datën e gjyqit, kancelari largohet direkt. Nuk po flasim për drejtësinë e vendimit, por po flasim për njoftimin e vendimit, për ditën kur duhet marrë dijeni në mënyrë të rregullt”, theksoi Ministri
Gjithashtu Ministri Manjani tërhoqi vëmendjen se asnjë çështje nuk mund të anashkalojë procedurën e shortit.
“Shorti nuk është një shpikje shqiptare por është një instrument ligjor që ndihmon në paanësinë e gjykimit. Në kaq pak kohë sa kam këtu, më është krijuar përshtypja që për çështje të caktuara, në varësi të faktit se kush gjykatës gjykon në shkallë të parë, dihet mirë edhe se kush e gjykon në apel. Për fat të keq më është provuar kjo përshtypje. çfarë shorti është ky që e paska parazgjedh gjykatësin?! E pamundur të jetë e besueshme. Unë nuk e besoj këtë dhe jo më të pres që ta besojnë të tjerët se cfarë shërbimi japim. E kuptoj se shërbimi ka vështirësi dhe se personeli është i keqpaguar, po kjo nuk është arsye që në emër të keqpagesës të kërkosh pagesë ekstra në rrugë të jashtëligjshme”, tha z. Manjani
Në përfundim të takimit, Ministri Manjani ka apeluar edhe njëherë për kujdesin që duhet treguar në komunikimin me qytetarët, duke evidentuar faktin se shpesh ata kanë nevojë për orientim dhe këtë duhet ta bëjë personeli i gjykatës.
“Ju ftoj të kuptoni se aty ku nuk shërbehet është cënuar rëndë figura dhe autoriteti i ministrit të drejtësisë. Aty ku nuk shërbehet në gjykatë, unë ndihem i cënuar”, u shpreh Ministri Manjani.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.