Takim Koordinues mes Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtuesve të institucioneve të pavarura për Grupkapitullin “Themelorët” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/12/2024

Takim Koordinues mes Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtuesve të institucioneve të pavarura për Grupkapitullin “Themelorët”

Ministria e Drejtësisë zhvilloi një takim koordinues me drejtuesit e institucioneve të pavarura për të intensifikuar përgatitjet dhe për të çuar në një nivel të ri negociatat për grupkapitullin e parë “Themelorët”. Ky kapitull, themelor për procesin e integrimit evropian, kërkon angazhim dhe koordinim të plotë ndërmjet institucioneve të pavarura të sistemit të drejtësisë dhe strukturave të tjera të pavarura.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi rëndësinë e këtij procesi, duke u fokusuar në sfidën e radhës – piketat e ndërmjetme:

“Jemi në një moment kyç për vendin. Pas suksesit të piketave hapëse për kapitullin 23 dhe kriterin politik, sfida kryesore që kemi përpara është përmbushja e piketave të ndërmjetme. Ky është një hap vendimtar për vijimin e negociatave me BE-në. Vetëm me një bashkëpunim të ngushtë dhe një qasje proaktive, do të arrijmë të përmbushim objektivat tona dhe të avancojmë në rrugën drejt anëtarësimit evropian.”

Gjatë takimit u analizua progresi i deritanishëm dhe hapat e mëtejshëm për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky kapitull. Ministri Manja nënvizoi rëndësinë e përfitimeve konkrete që sjell ky proces për vendin:

“Realizimi i piketave të ndërmjetme është parakusht për mbylljen e kapitujve të tjerë dhe sjell mbështetje financiare të konsiderueshme për Shqipërinë. Nëse arrijmë të përmbyllim reformat e ndërmarra deri në vitin 2025, buxheti i shtetit do të përfitojë 87 milionë euro. Nga zbatimi i 23 masave të përcaktuara, Shqipëria do të përfitojë gjithsej 172 milionë euro.”

Ky takim rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për të çuar përpara reformat dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet e këtij kapitulli kaq të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministria e Drejtësisë, në rolin e saj udhëheqës dhe koordinues, mbetet e përkushtuar për të siguruar transparencë, profesionalizëm dhe një qasje të qëndrueshme për të çuar përpara këtë proces.