Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve realizuan një studim për mbipopullimin në burgje dhe paraburgime, i cili u prezantua ditën e sotme në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë. Të pranishëm ishin Ministri Ylli Manjani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, Ambasadori i OSBE Florian Raunig dhe Ambasadori Britanik Nicholas Cannon. Gjithashtu, ishin ftuar në tryezën e diskutimit përfaqësues të institucioneve shtetërore, gjyqësorit, organizatave të shoqërisë civile dhe botës akademike, për të ndarë mendime mbi angazhimin për ndërmarrjen e masave të mëtejshme institucionale për zhvillimin e reformës në sistemin penitenciar në drejtim të uljes së mbipopullimit.
Në fjalën e hapjes së aktivitetit “Prezantimi i Dokumentit të Politikave për uljen e mbipopullimit në burgje dhe paraburgime”, Drejtori Zoto theksoi se mbipopullimi në burgje është një çështje sa institucionale, aq edhe politikëbërëse dhe prandaj kjo tryezë do të shërbente për njohjen e aktorëve të sistemit të drejtësisë me mundësitë për menaxhimin më të mirë të fenomenit.
“Eksperienca e deritanishme në vendin tonë, por edhe më gjerë, ka treguar se është më shumë krijimi sesa implementimi i mënyrave efektive të uljes së mbipopullimit, prandaj dokumenti që prezantojmë sot vjen jo vetëm si një kërkim shkencor, por edhe si një udhëzues për politikat penale në vendin tonë. Ky dokument bën një analizë jo vetëm të faktorëve apo shkaqeve të mbipopullimit, por demonstron dhe sjell rekomandime për uljen e tij, duke filluar nga aplikimi i dënimeve alternative, deri te krijimi i regjimeve apo burgjeve të hapura. Kriteret për matjen e mbipopullimit ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Kriteret që kemi përdorur në studim janë të lidhura me kapacitete akomoduese që kemi ne aktualisht. Efektet negative të mbipopullimit janë nga më të ndryshmet, si cënimi i elementeve të sigurisë, cënimi i të drejtave të të paraburgosurve dhe të dënuarve, mosplotësimi i kushteve që lidhen me shëndetin, higjienën, apo pse jo edhe reduktimi i programeve të edukimit dhe rehabilitimit. Duke vlerësuar këto problematika, si dhe shqetësimet e ngritura në raportet monitoruese të organizatave të ndryshme, e në veçanti të Avokatit të Popullit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vlerësuar plane vleprimi afatshkurtra dhe afatgjata. Por pavarësisht veprimeve institucionale të ndërmarra nga ana jonë, doli si domosdoshmëri për të pasur një qasje ndërinstitucionale dhe vendimarrja të orientohej nga studime apo analiza konkrete. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me OSBE-në, u hartua ky dokument, i cili mund të them se është i pari në llojin e vet.“- theksoi ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto.
Më pas, fjalën e mori Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, i cili theksoi rëndësinë e këtij studimi dhe sidomos, të rekomandimeve të tij, që evokojnë për përdorim më të gjerë të masave alternative të dënimit, që do të ndikonin drejtpërdrejtë në menaxhimin më të mirë të mbipopullimit në sistemin e burgjeve. Ai u shpreh se kjo çështje ka përbërë thelbin e punës dhe shqetësimit të tij që nga marrja e mandatit në krye të dikasterit më të lartë të drejtësisë në vend.
“Masa e parë që propozova ishte ndërmarrja e një amnistie, kjo jo për të zgjidhur çështjen e mbipopullimit, sepse nuk ishte kjo tema kryesore. Tema kryesore e amnistisë është trajtimi njerëzor. Njerëzit nuk duhet të trajtohen si statistika dhe kjo është pikëpamja, nga e cila unë nuk heq dorë. Sigurisht që pasoja e ligjit të amnistisë ka të bëjë edhe me zgjidhjen e mbipopullimit, por kjo është një masë e përkohshme. Politika penale duhet të këtë parimet dhe rregullat e veta. Ajo duhet të udhëhiqet nga interesi i zbatimit të ligjit. Natyrisht, duhet ta pranojmë edhe që na ka dhënë efekt njëfarë shtrëngimi i çastit, por nuk është afatgjatë. Nga kjo pikëpamje, ne jemi mbështetës të politikës penale, që harmonizohet sa më shumë të jetë e mundur në interes të ligjit dhe në interes të parandalimit. Si Ministër i Drejtësisë kam ndërmend që sëbashku me Prokurorin e Përgjithshëm të hartojmë një politikë penale strikte, të bazuar në interes të ligjit dhe jo në interesa të çastit.”– theksoi Ministri Manjani.
Ndërsa dy ambasadorët e ftuar në panelin e sotëm, z. Raunig dhe z. Cannon, u shprehën me konsideratë për studimin dhe sollën shembuj të politikave penale nga vendet e tyre europiane, si një model i denjë për tu ndjekur nga gjykatat shqiptare, në funksion të zbatimit më të mirë të ligjit.
Kështu, Ambasadori Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, kujtoi se me qëllim që reforma në drejtësi të jetë e efektshme, duhet që ajo të jetë gjithëpërfshirësem, gjë që sipas tij nënkupton jo vetëm reformim të ligjeve dhe strukturave, por edhe realizim masash që rrisin besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
“Vonesat në dhënien e vendimeve të formës së prerë ndikojnë ndjeshëm tek numri i personave në paraburgim dhe, për pasojë, tek numri i përgjithshëm i personave të privuar nga liria. Gjithashtu, paraburgimi mund të ketë ndikim shkatërrimtar tek përfshirja sociale e të pandehurit dhe tek aftësia e tij për t’u përgatitur për gjyqin. Përveç kësaj, prirja ndëshkuese e drejtësisë penale kanë kontribuuar te shtimi i popullsisë në burgje dhe te mbipopullimi në ambientet e burgjeve. Masat që kanë për qëllim uljen e mbipopullimit në burgje duhet të jenë pjesë e një politike penale koherente dhe racionale, e cila synon parandalimin e krimit dhe sjelljeve kriminale; efektivitetin e ligjzbatimit, sigurisë dhe mbrojtjes publike; përshtatjen e masave dhe sanksioneve sipas rrethanave të individit, si dhe ri-integrimin social të autorëve të veprave penale. Masa të tilla duhet të mbështeten nga liderët politikë dhe administrativë, nga gjyqtarët, prokurorët dhe nga publiku i gjerë.”– u shpreh Ambasadori Raunig.
Ndërsa Ambasadori Britanik, z. Nicholas Cannon, shprehu në fjalën e tij konsiderata për dokumentin studimor që prezantohej nga OSBE, i cili sipas tij është një kontribut me vlerë që i shtohet diskutimit për të ardhmen e sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri. Ky hulumtim, tha ai, synon të sjellë përmirësimin e sistemit penitenciar sipas mendimeve dhe modelit më të avancuar në Europë e më gjerë.
“Gjykatat shqiptare kanë në dispozicion një larmishmëri dënimesh alternative, por ato përdoren shumë rrallë. Ndërkohë, masat e dënimit vazhdojnë të mbeten ekskluzivisht dënime me burgim, dënime të natyrës ndëshkuese dhe të zgjatura në kohë. Është shqetësues fakti që edhe veprat me rrezikshmëri më të ulët dënohen gjithashtu me burgim. Këta individë mund të ndodhë që të pësojnë një nivel më të lartë kriminalizimi. Me rëndësi është fakti se raporti në vija të përgjithshme ofron një ristrukturim të sistemit penitenciar duke përfshirë krijimin e ‘Burgjeve të Hapura’ dhe ‘Qendrave në Shërbim të Komunitetit’. Këto ndryshime të sistemit penitenciar janë sugjeruar si pjesë e një projekti binjakëzimi të financuar nga Bashkimi Europian dhe të drejtuar nga Britania e Madhe. Projekti pritet të fillojë javët në vijim. Burgjet e hapura do të lejojnë sistemin penitenciar që të akomodojë me kosto më të ulët individë që paraqesin rrezikshmëri më të ulët, si dhe në të njëjtën kohë t’i përgatisin ata për një rikthim më të vlefshëm në shoqëri. Më tej raporti komenton mbi faktin se popullimi i burgjeve është rritur artificialisht për shkak të numrit të personave me shqetësime/paaftësi mendore, persona këta të cilët nuk duhet të qëndrojnë në burg. Në parim , personat me shqetësime mendore duhet të trajtohen në rrugë mjeksore në vend që të jenë pjesë e sistemit të Drejtësisë Penale.”– theksoi ndër të tjera Ambasadori Cannon.
Prezantimi i Dokumentit të Politikave për uljen e mbipopullimit në sistemin e burgjeve u mundësua nga ekspertja e pavarur, Dr. Evisa Kambellari, e cila shpjegoi se studimi është i ndarë në tre pjesë: në pjesën e parë bëhet një pasqyrë e përgjithshme e situatës në sistemin e drejtësisë, pjesa e dytë analizon faktorët që kanë çuar në mbipopullimin e burgjeve dhe shtimin e numrit të të paraburgosurve, ndërsa pjesa e tretë dhe e fundit përmbledh një numër rekomandimesh të dala nga studimi.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit të OSBE-së “Mbështetje për rehabilitimin dhe ri-integrimin e të dënuarve”. Dokumenti prezanton situatën aktuale të zbatimit të politikave penale apo praktikave të organeve të drejtësisë penale, që ndikojnë në rritjen e mbipopullimit në sistemin e burgjeve, si dhe propozon rekomandime mbi çështje që duhet të bëhen objekt i rivlerësimeve të mëtejshme nga të gjithë aktorët e përfshirë në sistemin e drejtësisë penale në vend.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.