Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave organizuan sot tryezën e dytë konsultative në lidhje me “Reformën ligjore dhe institucionale të AKPP-së ”, me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore, përfaqësues të pushtetit vendor, ministritë e linjës, etj.
Në fjalën e tij gjatë hapjes së kësaj tryeze, Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Idlir Peci theksoi se:
“Kjo është tryeza e dytë me qëllim zbatimin e rekomandimeve të dala nga Gjykata e Strasburgut në lidhje me çështjen e pronave në Shqipëri. Plan-veprimi i cili është miratuar nga qeveria mbështetet në tre pika kryesore: shtylla e parë është inventarizimi i gjithë gjendjes në AKPP dhe në institucione të tjera në lidhje me asetet shtetërore. Deri tani kemi krijuar një ide në lidhje me dosjet aktuale, por ka edhe dosje të tjera që kanë një kosto tjetër për shtetin. Meqënëse jemi në një fazë përfundimtare, kemi nevojë për mendimet tuaja. Shtylla e dytë është baza ligjore. Një grup pune i drejtuar nga Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera kanë dhënë kontribut në këtë analizë dhe deri tani kemi identifikuar problematikat kryesore që kanë dalë nga analiza ligjore. Shtylla e tretë është reforma institucionale e AKPP-së, me thjeshtimin e procedurave për qytetarët, për të qenë sa më efikasë dhe transparentë, si dhe për të shmangur zvarritjet burokratike. Qasja ndaj çështjes së pronave duhet të jetë e integruar dhe jo personale apo meskine, pra jo e bazuar në interesat e personave apo institucioneve, pasi pa u zgjidhur çështja e pronave ky vend nuk do të ketë asnjeherë integrim ekonomik.”
Ndërkohë, znj. Sonila Qato, Drejtore e Përgjithshme e AKPP-së, vuri në dukje problematikën e trashëgimisë së një kuadri ligjor që krijon ankth për zbatueshmërinë e tij në lidhje me pronat, ndaj dhe sot lind detyra e thjeshtimit të këtij sistemi.
“Në punën tonë të përditshme asgjë nuk mund të ketë vlerë nëse kontributi dhe bashkërendimi i funksioneve që secili prej nesh adminstron, nuk do të jetë optimal dhe efiçent. Legjislacioni në fuqi, ashtu sikurse do ta prezantojë dhe Drejtoresha e Kodifikimit, vuan nga një trajtim i mbivendosur i kompetencava dhe nga një rregullim, në disa raste të pabarabartë për pronën. Ne trashëgojmë një kornizë ligjore e cila prodhon vetëm ankth për subjektet private apo publike, të cilat janë të detyruara t’i zbatojnë. Trashëgojmë vendime të qeverisë së kaluar të cilat në mënyre jo shteruese janë miratuar për “klientelizëm”, ashtu sikurse trashëgojmë një set ligjesh dhe aktesh nënligjore “elektorale”, të cilat në vend që të garantojnë parimin e sigurisë juridike të pronës vetëm e kanë ç’bërë atë. Sot të gjithë në këtë tryezë kemi detyrën të normalizojmë këtë sistem dhe të korrigjojmë me sa më pak kosto të mundemi dëmet e mëdha që i janë bërë pronës në 23 vitet e fundit”
Ndërkaq, pjesa e dytë e tryezës u përqëndrua në debatin e hapur mes pjesëmarrësve, në lidhje me kuadrin ligjor ekzistues dhe ndryshimet e sugjeruara në funksion të përmirësimit të situatës.
Z. Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, në nisje të panelit të diskutimeve vuri në dukje se:
“Ky është një proces zinxhir dhe ka nevojë për angazhimin e të gjitha institucioneve, sepse secili ka rolin e vet. Në ndryshimet që iu bënë ligjit për legalizimin e pronave dhe ndryshimet për skemën e kompensimit të ish- pronarëve kanë sjellë disa përmirësime thelbësore, pasi ligji i vjetër u kishte dhënë mundësi ish- pronarëve që të kompensoheshin, por implementimi i ligjit ishte i pamundur dhe jo operativ. Ndryshimet e bëra krijuan mundësinë që ky ligj tashmë të funksionojë. Ky ka qenë një hap në lehtësimin e situatës së pronave, pasi prej mëse dhjetë vjetësh ka patur nevojë për ndryshime të vogla ligjore. Do të vazhdojmë në drejtim të trajtimit të çështjes së ish- pronarëve dhe kemi këmbëngulur që të bëhet legalizimi fillimisht dhe kryesisht në zonat informale dhe më pas, në zonat e shpërndara”
Disa rekomandime në lidhje me procesin ka dhënë edhe z. Ilirjan Muho, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Regjitrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku ndër të tjera vlerësoi se në fund të qershorit u promovua sistemi ALBPOS, i cili unifikon të dhënat dhe që do të ndihmojë në orientimin e institucioneve për informacionet që ata do të marrin nga ky sistem dixhital.
“Kur flasim për pronat, nuk mund të lëmë pa theksuar kontributin e ZRPP-ve vendore, të cilat lidhen me këtë proces së pari duke dhënë informacionin bazë mbi pronën, ndërsa më pas procesi vijon me zyrat e ALUIZNI-t. Do të tërhiqja vëmendjen në një të metë që është konstatuar në vite dhe ka shkaktuar problem në lidhje me çështjen, që është bashkëpunimi institucional. Tashmë situata ka ndryshuar, pasi tashmë informacionin e kemi online dhe është i referueshëm nga të gjithë. Kemi ndryshuar shumë situatën me dixhitalizimin e sistemit, që është shtrirë në 35 zyrat vendore në një vit, pasi fillimisht ka qenë vetëm në 5 zyra vendore. Një zhvillimi i tillë rrit transparencën dhe shpejtësinë e procesit, që ka qenë burokratik dhe sillte pengesa në komunikimin midis institucioneve, ndërsa besojmë se përfundimisht do të shmangë edhe korrupsionin. Për shkak se më parë informacioni ka qenë në regjistra dhe jo dixhital, kjo ka sjellë shpesh herë edhe pasaktësi të të dhënave. AKPP dhe ALUZINI tashmë kanë mundësi për një bashkëpunim më të mirë me zyrat vendore të ZRPP-së, ndërsa institucionet aktualisht punojnë me harta të ndryshme të pronave. Në momentin që konstatohet një problem në zyrat tona, problemi duhet parë aty ku është dhënë titulli i pronësisë. pasi ne nuk mund të procedojmë me regjistrimin e pronave, pasi do të krijonim një mbivendosje artificiale të pronave”
Kjo tryezë mblodhi gjithashtu të pranishëm nga Ministria e Financës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mjedisit, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës etj, dhe sikurse tryeza e mëparshme kishte si synim mbledhjen e sa më shumë sugjerimeve dhe rekomandimeve nga institucionet shtetërore, të cilat më pas do t’i paraqiten Grupit të Punës në Ministrisë së Drejtësisë përpara hartimit të ndryshimeve ligjore në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.