Program punësimi për të dënuarit
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka prezantuar Programin e Punësimit të personave të dënuar apo të paraburgosur, që ndodhen në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Janë një sërë projektesh konkrete në disa burgje të vendit që do të shërbejnë për punësimin e të dënuarve apo të paraburgosurve. Prezantimi i Programit është bërë gjatë një ceremonie për përurimin e njërit prej projekteve të punësimit të personave që vuajnë dënimin në burgun e Beratit. Ky projekt do të zhvillohet në bashkëpunim me një biznes fason i specializuar në qepjen e rrobave të punës. Kjo kompani në bazë të një marrëveshjeje ligjore ka vendosur në ambientet e IEVP Berat 25 makina qepëse, që do të shërbejnë për trajnimin dhe më pas punësimin e personave të dënuar e të paraburgosur. Zëvendëministri i Drejtësisë, z.Toni Gogu, duke e marrë fjalën në ceremoninë e zhvilluar me rastin e nisjes së projektit ka theksuar: “Programi i punësimit në burgje, së bashku me arsimin dhe formimin profesional janë aspektet më të rëndësishme të rehabilitimit të të dënuarit pas kryerjes së dënimit. Kjo është një sfidë që kërkon përfshirjen e sektorit privat, ku gjej rastin t’i falënderoj si dhe modernizimin e bazës ligjore”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.