|
Postuar më:
|
Data e Mbylljes:
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 1912
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
Në zbatim të nenit 12, të ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, Ministria e Drejtësisë ju fton të merrni pjesë në procesin e dhënies së informacioneve ose opinioneve paraprake, përpara fillimit të hartimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.119, datë 14.09.2014, “Për të drejtën e informimit”.
Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka publikuar në Regjistrin Elektronik të Njoftimeve dhe Konsultimeve Publike projektligjin e ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të hartuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të procesit të përafrimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Duke qenë se me hartimin e legjislacionit të ri në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, ku janë parashikuar kompetencat e Komisionerit në fushën e së drejtës së informimit, parashikohet të shfuqizohet, paraqitet domosdoshmëria për të ndryshuar ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” në mënyrë që kompetencat e Komisionerit të parashikohen në këtë ligj. Në këtë kuadër Komisioneri ka hartuar dhe përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë një draft me ndryshime në ligjin nr.119, datë 14.09.2014, “Për të drejtën e informimit”.
Krahas ndryshimeve të propozuara nga Komisioneri, Ministria e Drejtësisë, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të aktorëve dhe grupeve të interesit në procesin vendimmarrës, mirëpret çdo informacion ose opinion paraprak për çdo çështje apo problematikë me të cilën jeni hasur gjatë zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit, si dhe propozime konkrete për ndryshime në ligj me qëllim adresimin e këtyre çështjeve. Gjithashtu, janë të mirëpritura edhe informacione ose opinione të tjera që vlerësoni se i shërbejnë përmirësimit të ligjit për të drejtën e informimit, garantimit të së drejtës për informim dhe rritjes së nivelit të transparencës së autoriteteve publike.
Informacionet ose opinionet paraprake mund të përcillen përmes Regjistrit Elektronik të Njoftimeve dhe Konsultimeve Publike në linkun https://konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë, Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë ose në adresën e e-mailit të koordinatorit për konsultimin publik alma.dylgjeri@drejtesia.gov.al
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim