|
Postuar më:
|
Data e Mbylljes:
|
Nr.Komenteve: 2
|
Nr.Shikimeve: 8583
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
Projektligji synon, ulje të barrës së regjistrimit të këtyre organizatave pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila do të lehtësojë procedurën e aplikimit për regjistrim. Ky projektligj parashikon një procedurë më transparente në lidhje me aktivitetin e OJF-ve, si dhe vendos modernizimin e shërbimeve por edhe të databazës në drejtim të informacionit më të plotë për çdo OJF që kryen aktivitet jofitimprurës në Republikën e Shqipërisë. Projektligji përcjell një qasje më të mirë në përmbushje të qëllimit të udhërrëfyesit të shoqërisë civile, i miratuar me vendimin nr. 539, datë 25.07.2019, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e udhërrëfyesit për politikën qeverisëse drejt një mjedisi mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile 2019-2023 dhe Planit të tij të veprimit ku në Prioritetin 6, sanksionohet krijimi i një kuadri më mundësues për regjistrimin dhe funksionimin e organizatave
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Ne, një grup organizatash të shoqërisë civile, jemi bërë me dije mbi projekt ligjin “Për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse”, përmes shpalljes për konsultim publik në
Regjistrin Elektronik për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, më datë 10.06.2020.
Vlerësojmë pozitivisht iniciativën për rishikimin e Ligjit për Regjistrimin e OJFve, për futjen e një procedure regjistrimi më të thjeshtë dhe efiçente për OJFtë dhe krijimin e regjistrit elektronik me qëllim lehtësimin e procedurave dhe uljen e kostove të regjistrimit, ndryshimeve në regjistrim apo ç’regjistrimit të tyre, mbajtjen e të dhënave të sakta për sektorin dhe rritjen e transparencës lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e OJFve.
Megjithatë, projektligji duket shumë problematik dhe përmban dispozita të paqarta dhe të sfumuara që mund të prekin lirinë e organizimit dhe të tkurrin veprimtarinë e sektorit.
Në projektligjin e propozuar vërehet si një zhvillim pozitiv për legjislacionin fakti që synon të ulë barrën dhe koston e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, ndryshimeve në regjistrim apo ç’regjistrimit të tyre pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Megjithatë, ajo që bie fillimisht në sy nga relacioni shoqërues i projektligjit është fakti që nuk përmendet marrja si referencë e asnjë modeli apo modeleve ligjesh të ngjashme të vendeve të Bashkimit Evropian në hartimin e tij.
Në projektligj përmenden rekomandimet e MONEYVAL i cili për shkak të specifikave dhe fushës që mbulon ka evidentuar disa çështje që kanë të bëjnë me parandalimin e financimit nga terrorizmi në sektorin e OJF-ve, por në vlerësimin tonë, këto rekomandime kryesisht i referohen politikave të vendit (pra jo detyrimisht kërkohen ndryshime të natyrës legjislative) dhe jo detyrimisht duhet të sjellin ndryshimin e një ligji të tërë dhe as nuk mund të përgjithësohen për çdo aspekt të regjistrimit të organizatave. Në të kundërt mund të krijojnë pengesa apo problematika dhe mund të krijojnë premisa për cënimin e lirisë së organizimit kolektiv të parashikuar në nenin 46 të Kushtetutës.
E drejta dhe liria e organizimit është e garantuar në akte ndërkombëtare ku vendi ynë ka aderuar sikurse është neni 20 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, neni 22 i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Të gjitha këto instrumenta ndërkombëtare e kanë konsideruar të drejtën e organizimit si një të drejtë njerëzore individuale, të cilën njerëzit që e gëzojnë këtë të drejtë i krijon mundësinë të bashkohen dhe kolektivisht të ndjekin, promovojnë dhe mbrojnë interesin e tyre të përbashkët. E drejta e organizimit përfshin të drejtën për të themeluar një organizatë, për t’ju bashkuar një organizate ekzistuese dhe hapësirën që kjo organizatë të ushtrojë funksionet e saj pa ndërhyrje të paligjshme nga shteti apo individë të tjerë. Shtetet kanë detyrimin të respektojnë, mbrojnë dhe lehtësojnë lirinë e organizimit, të mos ndërhyjnë, përfshi këtu vendosjen e kufizimeve në mënyrën se si ushtrohet kjo e drejtë dhe se si performojnë organizatat.
Statusi ligjor i OJF-ve është gjithashtu objekt rregullimi i dy instrumentave jo të detyrueshëm por të rekomandueshëm të Këshillit të Evropës, përkatësisht Parimet themelore për statusin e organizatave jofitimprurëse në Evropë i vitit 2002 dhe Rekomandimi nr.14 i Komitetit të Ministrave i vitit 2007 për vendet anëtare për statusin ligjor të organizatave në Evropë. Të dy dokumentet përmbajnë një kuadër gjithëpërfshirës rregullator që duhet të shërbejë si standard minimum për të udhëhequr vendet anëtare të Këshillit të Evropës në hartimin e legjislacionit, politikave dhe praktikave ndaj OJF-ve.
Lidhur me lirinë e organizimit ka gjithashtu një jurisprudencë të gjerë në nivel ndërkombëtar, sikurse janë organet kuazi gjyqësore veçanërisht Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Kjo jurisprudencë, trajton disa çështje që kanë të bëjnë me lirinë sindikaliste por gjithashtu ka qartësuar shtrirjen dhe kufizimet në lirinë e organizimit të OJF-ve. Gjithashtu edhe Komisioni i Venecias ka shprehur opinione lidhur me lirinë e organizimit duke marrë në analizë legjislacionin përkatës të vendeve përkatëse sikurse është rasti i Azerbajxhanit dhe në opinionin përkatës të vitit 2014 janë gjetur disa shkelje të standarteve ndërkombëtare https://rm.coe.int/1680306ff8. Në këtë opinion, Komisioni i Venecias ka konstatuar se ndryshimet e propozuara në legjislacionin e Azerbajxhanit kanë një efekt tkurrës në veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse (chilling effect) dhe se diskrecioni i mbikqyrjes nga autoritetet publike është jo i kufizuar ose është përcaktuar në mënyrë jo të qartë. Komisioni i Venecias nënvizon se regjistrimi nuk duhet të jetë një kusht thelbësor për ekzistencën e organizatës, pasi kjo do tu lejonte autoriteteve vendase të ushtronin kontroll mbi thelbin dhe ushtrimin e të drejtës dhe lirisë së organizimit.
Sa më sipër, në aspektin parimor të përgjithshëm do të sugjeronim që në relacionin shoqërues të projektligjit të vendoset një seksion i veçantë ku të analizohet pajtueshmëria e dispozitave të tij me Konventat ndërkombëtare, Rekomandimet e Këshillit të Evropës, udhëzuesin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR (të vitit 2019) por në mënyrë të veçantë me jurisprudencën e GJEDNJ-së, e cila ka gjetur në jo pak raste probleme strukturore në legjislacionin e vendeve anëtare të KE sa i takon pajtueshmërisë së tyre me Konventën Evropiane.
Në pikën VIII të relacionit shoqërues të projektligjit përmenden personat dhe institucionet që kanë kontribuar në hartimin e projektaktit. Por me shqetësim vërehet se në këtë grup personash (fizikë/juridikë) nuk përmenden organizatat e shoqërisë civile.
Ministria e Drejtësisë duhet ti kishte kushtuar një vëmendje shumë të veçantë përfshirjes së OJF që në fazat e para të hartimit të kësaj nisme. Sipas Rekomandimit të vitit 2007 (nr.14) të Komitetit të Ministrave mbi statusin ligjor të organizatave jofitimprurëse në Evropë, OJF-të duhet të konsulohen gjatë hartimit të legjislacionit parësor dhe dytësor që ndikon në statusin, financimin e tyre apo në sferën e veprimtarisë. Sigurimi i efikasitetit në procesin e konsultimit kërkon që ky proces të jetë përfshirës dhe të mundësojë pjesëmarrjen e grupeve të interesit që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme apo opozitare në ligjbërje.
Projekt ligji sjell disa ndryshime të cilat përbëjnë shqetësim për organizatat e shoqërisë civile, si dhe paqartësi të cilat është e nevojshme të bëhen më të qarta me qëllim funksionimin më të mirë të ligjit.
Bashkangjitur po paraqesim dy dokumente rezultat i diskutimit dhe dhënies së sugjerimeve nga organizatat e përfshira në këtë proces konsultimi (si më poshtë lista e organizatave firmëtare):
1. Dokumentin me propozime parimore për dispozitat e projekt ligjit;
2. Dokumentin e Projekt Ligjit me disa konsiderata e sugjerime nen për nen.
Duke konsideruar sa më lart, në emër të grupimit të organizatave firmëtare, kërkojmë:
- Marrjen në shqyrtim të sugjerimeve tona dhe rishikimin e draft projekt ligjit për adresimin e çështjeve shqetësuese që janë ngritur si dhe sqarimin e çështjeve të paqarta në projekt ligj;
- Duke vlerësuar rëndësinë e këtij draft ligji dhe impaktin që do të ketë në sektor vlerësojmë se është e nevojshme një takim konsultues midis sektorit dhe institucioneve të përfshira në hartimin dhe zbatimin e këtij projekt ligji.
Për çdo komunikim të mëtejshëm lidhur me sugjerimet dhe kërkesat tona, në emër të grupit propozues pika e kontaktit për këtë çështje është Qendra Kombëtare Burimore për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në adresën e email info@resourcecentre.al ose numër tel: 04 2 254881.
Duke Ju falenderuar paraprakisht për marrjen në konsideratë të kërkesës sonë,
Me respekt,
(sipas rendit alfabetik)
Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit
Dorcas Aid International Albania
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
Forumi Civil Selenicë
Instituti Për Demokraci dhe Ndërmjetësim
Instituti për Kontratën Shoqërore
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Lëvizja Evropiane në Shqipëri
Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve
Organizata “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”
Organizata “Udhëtim i Lirë”
Organizata “Unë Gruaja”
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Qendra “Epoka E Re”
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
Qendra Burimore e Mjedisit, Shqipëri (REC Albania)
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
Qendra Psiko-Sociale “Vatra”
Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin
Roma Active Albania
Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri - Birn Albania
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
Shoqata “Përtej Barrierave”
Terre Des Hommes, Albania
World Vision Albania
Propozime parimore për dispozitat e projektligjit
Në nenin 5, pika 2 të projektligjit i jepet si kompetencë Ministrit të Drejtësisë të miratojë me udhër formularët e kërkesave për regjistrim, për çdo regjistrim që kryhet në regjistër, si dhe listën e dokumenteve shoqëruese për çdo regjistrim, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi. Në vlerësimon tonë, sa kohë këto formularë do të përdoren dhe vlerësohen nga gjykata, e cila në veprimtarinë e saj nuk është e limituar për të marrë në shqyrtim dokumentacionin sipas formateve të caktuara, së pari, do të sugjeronim që përdorimi i këtyre formularëve të mos jetë i detyrueshëm (por mjafton që kërkesa të mbajë elementët e kërkuar nga ligji nga pikëpamja përmbajtësore). Ky sugjerim vjen në linjë edhe me opinionin e Komisionit të Venecias të trajtuar në paragrafët e mëposhtëm të kësaj oponence. Së dyti do sugjeronim që këto formularë të hartoheshin në konsultim me Këshillin e Lartë Gjyqësor si organi i lartë përfaqësues i pushtetut gjyqësor dhe qeverisjes së tij.
Në nenin 6, pika 4 e projektligjit parashikohet se çdo palë e tretë mund t’i kundrejtojë organizatës jofitimprurëse të dhënat e regjistruara e të publikuara, edhe nëse këto të dhëna janë të pasakta, përveç rastit kur organizata provon se i treti kishte dijeni për pasaktësinë e të dhënave të publikuara ose për të dhëna të tjera të papublikuara. Në vlerësimin tonë barra e provës lidhur me dijeninë ose jo të saj i takon palës që ka një pretendim dhe jo OJF. Ky është një detyrim joproprcional që bie ndesh me parimin e barrës së provës të sanksionuar në Kodin tonë të Procedurës Civile.
Në nenin 7, pika 1 të projektligjit parashikohet se, organizatat jofitimprurëse që detyrohen të regjistrohen sipas këtij ligji janë shoqatat, fondacionet dhe qendrat si dhe çdo subjekt tjetër, i cili me ligj të veçantë detyrohet të regjistrohet pranë Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse. Në nenin 16 të ligjit parashikohet se, organizatat jofitimprurëse fitojnë personalitet juridik ditën që vendimi i gjykatës për regjistrimin e saj ka marrë formë të prerë. Me fitimin e personalitetit juridik organizatat jofitimprurëse regjistrohen në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse. Në nenin 17 të projektligjit parashikohen regjistrime të tjera të detyrueshme të organizatave, ndërsa në nenin 27 parashikohet ndihmesa që i jep organizatës sekretaria e regjistrit elektronik. Referuar standarteve të vendosura në opinionet e Komisionit të Venecias por edhe lirisë së organizimit të sanksionuar në nenin 46 të Kushtetutës, organizatat jofitimprurëse (në të gjitha format e tyre) nuk mund të detyrohen të regjistrohen për efekt të ekzistencës apo ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Në paragrafin nr.78 të udhëzuesit të përbashkët të K.Venecias dhe OSBE/ODIHR thuhet se personaliteti ligjor nuk duhet të jetë parakusht për themelimin e një organizate dhe vendimi për të kërkuar ose jo këtë personalitet është në diskrecion të vetë organizatës. Gjithashtu, referuar paragrafit 52 të Opinionit të Komisionit të Venecias, pajtueshmëria e kërkesës së regjistrimit me kërkesat ligjore nuk duhet të jetë shumë strikte, pasi kjo i jep një diskrecion të gjërë autoriteteve për të refuzuar regjistrimin. Në aspektin e rregullit të përgjithshëm, ligji nuk duhet të mohojë/refuzojë regjistrimin bazuar në ometime teknike (mungesa e një dokumenti, mungesa e një firme, etj). Diskrecioni për të refuzuar regjistrimin duhet të jetë shumë i rezervuar dhe vetëm për inkonsistenca apo papajtueshmëri tepër të rënda dhe nuk duhet të aplikohet për çështje minore (for instance formal). Ky standart duhet të mbahet në konsideratë me qëllim që ligji të dallojë kërkesat thelbësore me natyrë serioze nga kërkesat e tjera me natyrë formale dhe jo të domosdoshme (sugjerojmë të rishikohet neni 32 i projektligjit dhe gjithashtu afati tepër i ngushtë dhe jo i arsyeshëm i ankimit që i është lënë OJFve). I njëjti konstatim vlen edhe për nenin 28 të projektligjit ku parashikohet pezullimi i shqyrtimit të kërkesës, i cili ka një natyrë ngushtësisht formal dhe mund të çojë në pengesa në drejtim të lirisë së organizimit të gjykatave. Për më tepër, diskrecioni i pezullimit nuk mund ti atribuohet kancelarit si një nëpunës gjyqësor por duhet të jetë atribut ekskluziv i gjykatës, referuar këtu edhe parashikimeve në Kodin tonë të Procedurës Civile.
Në nenin 8/1 të projektligjit janë parashikuar disa kufizime specifike lidhur me emërtimin e organizatave që vijnë në kundërshtim me moralin publik apo me dispozia urdhëruese të ligjit. Kufizimet e vendosur në fakt nuk duhet të tejkalojnë ato të parashikuara në nenin 11/2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ligji nuk mund të vendosë kufizime në dispozita urdhëruese që bien ndesh me paragrafin 2 të nenit 11 të KEDNJ-së. Në pikën 3 të po kësaj dispozite parashikohet se, Ministri i Drejtësisë, me udhëzim miraton rregullat për emrat dhe emërtimet e organizatave jofitimprurëse, por në vlerësimin tonë ky akt nënligjor duhet të jetë në diskrecion të Këshillit të Ministrave dhe në çdo rast, gjykata duhet të ketë pavarësinë për të vlerësuar nëse emërtimi është në përputhje me ndalimet e nenit 11/2 të Konventës.
Lidhur me nenin 11, pika 3, gërma ç, parashikohet se për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja, përveç përmbushjes së kërkesave të tjera të legjislacionit në fuqi, për efekt regjistrimi duhet të paraqitet edhe bilanci i organizatës jofitimprurëse të huaj për vitin e fundit financiar, mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj. Dorëzimi i bilancit për efekt të regjistrimit është i diskutueshëm. Nëse qëllimi i kësaj dispozite është të kontrollojë burimet financiare të organizatës, asaj mund ti kërkohet lista e donatorëve dhe burimeve të tjera nga e cila financohet. Gjithashtu, në regjistrimin e degëve të organizatave ndërkombëtare duhet të mbahet parasysh opinioni i Komisionit të Venecias për Azerbajxhanin, i cili cilëson se kërkesa për krijimin e degëve të këtyre organizatave dhe regjistrimi i tyre duhet të ri-vlerësohet. Dispozitat blanket (të bardha ose të paqarta) në legjislacion lidhur me këto rregullime duhet të eleminohen.
Në pikën 13, pika 1, gërma “g”, kërkohet si e dhënë e detyrueshme në rastin e fondacionit, përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues. Marrja e këtij informacioni nuk i shërben qëllimit për të cilin është vendosur dhe përbën një barrë proporcionale në drejtim të regjistrimit dhe që mund të vendosë nën kontroll jo të përshtatshëm fondacionet. E rëndësishme është që të përmendet burimi i financimit për efekt të kontrollit të aktivitetit nga terrorizmi.
Në nenin 17, pika 3 të projektligjit parashikohet se, organizatat jofitimprurëse duhet të regjistrojnë dhe të depozitojnë ndër të tjerash, pasqyrat financiare vjetore, të mbajtura sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, emërimin dhe shkarkimin e ekspertit kontabël të autorizuar, në rastet kur emërimi është i detyrueshëm, numrin e licencës profesionale, si dhe të dhënat e tyre të identifikimit, etj. Dëshirojmë të sjellim në vëmendje opinionin e Komisionit të Venecias për Azerbajxhanin, paragrafi 94 ku ndër të tjerash thuhet se dispozitat që lejojnë ndërhyrjet e paarsyeshme në autonominë e brendshme të OJQ-ve, d.m.th. detyrimet e raportimit dhe mbikëqyrja shtetërore mbi organizimin dhe funksionimin e brendshëm të OJQ-ve, duhet të hiqen.
Në nenin 20, pika 2, gërmat “b” dhe “c” vërehen dy dispozita blanket (të bardha) të cilat nuk gjejnë detajim për sa i takon ç’regjistrimit të OJF-ve. Pra bëhet fjalë për çregjistrimin jovullnetar, ndaj legjislatori duhet të tregojë kujdesin maksimal që ç’regjistrimi me vendim gjyqësor të parashikohet në mënyrë eksplicite në ligj, në cilat kushte dhe rrethana ndodh dhe këto parashikime nuk duhet të bien ndesh me nenin 11/2 të KEDNJ-së. Së dyti, legjislatori duhet të përmende me referencë të saktë ligjore, ligjet e posaçme (numrin dhe datën e tyre) që parashikojnë ç’regjistrimin e organizatave. Kjo jo vetëm në këndvështrimin e të drejtës dhe lirisë së organizimit si një e drejtë themelore por gjithashtu edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe qartësisë që duhet të kenë dispozitat ligjore. Theksojmë që ky çregjistrim ka pasoja të rënda në drejtim të lirisë së organizimit pasi sjell humbjen e personalitetit juridik të subjekteve.
Vlerësojmë si tepër problematik nenin 37 të projektligjit dhe 41 të projektligjit. Neni 37 parashikon se çdo e dhënë e regjistruar në regjistër nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit, që mbahet Sekretaria e Regjistrit në format elektronik dhe botohet në faqen e zyrtare të internetit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Referuar udhëzuesit të përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it për lirinë e organizimit , kufizime në drejtim të publikimit të të dhënave duhet të vendosen ndaj atyre organizatave që marrin fonde publike ose që me miratim paraprak shprehin dakordësinë për të bërë publik të dhënat e parashikuara në këtë dispozitë. Aq më pak në vende si Shqipëria ku kritikat ndaj organizatave me natyrë monitoruese apo investigative përqëndrohen tek fakti se kush është donator dhe se cilat janë fondet, publikimi i këtij informacioni mund të vendosë në mënyrë të padrejtë organizatat në shënjestër të kritikave që mund të vijnë si nga autoritetet publike por gjithashtu edhe nga faktorë të tjerë politikë dhe destruktivë. Kjo mund të krijonte premisa për tkurrjen e veprimtarisë së tyre (chilling effect). Nëse do të lexojmë paragrafin 226 të udhëzuesit, aty thuhet se vetëm për ato organizata që marrin dhe përdorin fonde publike për të përmbushur qëllimin dhe objektivat e tyre, legjislacioni mund të vendosë parashikime që i mundësojnë taksa paguesve të kenë akses në informacionin lidhur me statutin, programet dhe raportet financiare të organizatës. Publikimi i këtij dokumentacioni, mund të konsiderohet i nevojshëm për të siguruar një shoqëri të hapur që parandalon korrupsionin. Mgjth, këto kërkesa raportimi nuk duhet të krijojnë një barrë të padrejtë dhe me kosto për organizatat dhe duhet të jenë proporcionale me shumën e fondit që është marrë (pra referuar gjithmonë fondeve publike). Rregulla të ndryshme mund të aplikohen për organizata të veçanta, si psh partitë politike (pra presupozohet që ka organizata që veprimtarinë e tyre e kanë tepeër sensitive për shkak të misionit të tyre). Sikurse dihet e drejta për të marrë dhe për të dhënë informacion është e lidhur me autoritetet publike dhe shtrirja e këtij detyrimi në sektorin privat mund të cenojë lirinë e organizimit dhe të dhënat me natyrë personale dhe sensitive të OJF-ve, veçanërisht atyre që kanë një qasje kritike dhe monitoruese ndaj pushtetit shtetëror.
Problematik është edhe neni 48 i projektligjit ku parashikohet përgjegjësia administrative e OJF-ve dhe personave të autorizuar për të bërë regjistrimin, lidhur me vërtetësinë e fakteve, të dhënave të njoftuara, dokumenteve shoqëruese, dhe deklarimi në regjistrim elektronik i të dhënave të pavërteta dënohet me gjobë 15000 Lek nëse nuk ëprbën vepër penale. Në paragrafin 234 të udhëzuesit të përmendur më sipër, parashikohet se në rast mosrespektimi të kërkesave për raportim, legjislacioni, politika dhe praktika e shtetit duhet t'i ofrojë OJF-ve një kohë të arsyeshme për të korrigjuar çdo mbikëqyrje ose gabim. Sanksionet duhet të zbatohen vetëm në rastet kur OJF-të kanë kryer shkelje serioze dhe duhet të jenë gjithnjë proporcionale. Dispozita e propozuar në projektligj përveçse nuk parashikon mundësinë e korrigjimit, parashikon dënim administrativ fiks dhe nuk specifikon rastet konkrete (duke u ndalur tek shkeljet e rënda) kur mund të vendoset ky dënim. Në paragrafin 238 të udhëzuesit kërkohet që sanksionet, nëse lejojnë rrethanat, duhet të paraprihen nga një paralajmërim me informacion se si mund të korrigjohet një shkelje. Në këtë rast, shoqatës duhet t'i jepet kohë e mjaftueshme për të korrigjuar shkeljen ose mosveprimin. Në çdo rast, kemi mendimin se diskrecioni për të vendosur gjobën administrative duhet ti takojë gjykatës (e vendosur në lëvizje nga Kancelari) dhe organizata duhet të ketë mundësinë e ankimit në një instancë më të lartë gjyqësore.
Lidhur me nenin 49 të projektligjit që parashikon regjimin tranzitor, se pari, dispozitat tranzitore për organizatat e regjistruara nuk duhet të cenojnë parimin e sigurisë juridike. Kërkesat thelbësore të nenit 11 tashmë janë të adresuara në vendimmarrjen e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për regjistrimin e organizatave sipas ligjit në fuqi dhe mjafton që ato të depozitohen në regjistërin elektronik. Së dyti, në këtë dispozitë nuk parashikohet as organi kompetent për nxjerrjen e akteve nënligjore dhe as afati brenda të cilit duhet të nxirren ato.
PROJEKT LIGJI ME DISA KONSIDERATA E SUGJERIME NEN PËR NEN
PROJEKT LIGJ
Nr. ______, datë __.__.2020
PËR REGJISTRIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE
Komente të përgjithshme:
Projektligji në përmbajtje ka disa paqartësi dhe duket sikur e tejkalon qëllimin e tij duke përfshirë edhe shumë elemente të kontrollit të OJF-ve.
Disa dispozita të projektligjit duhen rishikuar me qëllim që të ruajnë frymën e krijimit të një mjedisi lehtësues dhe mundësues për krijimin dhe funksionimin e organizatave të shoqërisë civile.
Projektligji duhet jetë sa më i qartë dhe i kuptueshëm. Në disa dispozita përdoren terma që nuk kuptohen as nga një jurist dhe janë shumë konfuze për lexuesin e zakonshëm.
Edhe në relacion thuhet që me këtë projektligj do të ketë rritje të të ardhurave për buxhetin e shtetit. Ky qëllim në vetvete është kontradiktor me frymën që duhet të ketë ligji. OJF nuk duhen parë nga shteti si burim të ardhurash por e kunderta shteti duhet të mbështesë dhe të financojë OJF-të në veprimtarinë e tyre në shërbim të publikut.
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj përcakton procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, si dhe rregullat për mbajtjen e regjistrit të tyre.
Komente/Sugjerime
Sugjerojmë që të shtohet edhe një nen për qëllimin e ligjit dhe të plotësohet më mirë objekti i tij. Po ashtu, duhet të ketë një referencë ligjore se çfarë kuptohet me OJF për hatër të këtij ligji – sipas Ligjit nr.8781.
Neni 2
Përkufizime
1. Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Dokumentet shoqëruese” janë dokumente, të cilat provojnë të dhënat që regjistrohen.
b) “Kërkesë për regjistrim” është kërkesa që i drejtohet Sekretarisë së Regjistrit për kryerjen e veprimeve në regjistër, sipas këtij ligji.
c) “Kërkues” është organizata jofitimprurëse, të cilit i përkasin të dhënat që regjistrohen, njoftohen ose depozitohen në regjistër, apo personat e tjerë që, sipas këtij ligji, kanë të drejtë të kërkojnë kryerjen e veprimeve në regjistër.
ç) “Ministri” është ministri që mbulon çështjet e drejtësisë.
d) “Mjet elektronik” është çdo mjet, me anë të të cilit mundësohen dërgimi fillestar i informacionit e marrja e tij nga marrësi i përcaktuar me anë të pajisjeve elektronike për përpunimin (duke përfshirë ngjeshjen shifrore) dhe ruajtja e të dhënave, tërësisht të transmetuara, të përcjella apo të marra përmes kabllove, valëve radio, mjeteve optike ose mjeteve të tjera elektromagnetike.
dh) “Organizatat jofitimprurëse” ka të njëjtin kuptim si në ligjin për organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë detyrimin e regjistrimit, sipas këtij ligji.
e) “Regjistri elektronik” është regjistri i organizatave jofitimprurëse i cili krijohet dhe administrohet si një bazë të dhënash shtetërore, në të cilin regjistrohen organizatat jofitimprurëse, sipas këtij ligji.
ë) “Regjistrim fillestar” është regjistrimi për herë të parë në regjistër.
f) “Regjistrim tjetër” është çdo ndryshim, shtesë apo fshirje të dhënash në regjistër.
g) “Regjistrim” është regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër, përfshirë dhe çregjistrimin e subjektit nga regjistri.
gj) “Sporteli elektronik” është portali elektronik i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i aksesueshëm nëpërmjet faqes zyrtare në internet, ku mundësohet ofrimi i shërbimit për publikun në distancë, duke komunikuar drejtpërdrejt me sistemin qendror të për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, nëpërmjet mjeteve elektron
h) “Të dhëna” janë faktet, aktet dhe informacionet që regjistrohen, njoftohen apo depozitohen në regjistër.
Komente/Sugjerime
Neni 2, pika 1, gërma d, jepet përkufizimi i mjetit elektronik. A është dhe telefoni pjesë e kësaj kategorie? Nëse po, është e nevojshme të përfshihet.
Neni 2, pika 1, gërma dh, jepet përkufizimi i organizatave jofitimprurëse. Ashtu si dhe në komentin më lart në nënin 2, është e nevojshme të specifikohet dhe të ketë një referencë ligjore se çfarë kuptohet me OJF për hatër të këtij ligji – sipas Ligjit nr.8781.
Neni 2, pika 1, gërma gj, jepet përkufizimi i sportelit elektronik dhe specifikohet që përmes tij mundësohet ofrimi i shërbimit për publikun në distanë. Nuk është e qartë nëse përfshin dhe kryerjen e pagesës online, përkufizimi i saj, është e rëndësishme të specifikohet dhe përfshihet dhe më poshtë si pjesë e neneve se si do të funksionojë.
KREU II
REGJISTRI I ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE
SEKSIONI I
REGJISTRI DHE EFEKTET E REGJISTRIMIT
DHE TË PUBLIKIMIT
Neni 3
Regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse
1. Regjistri elektronik i Organizatave Jofitimprurëse është një bazë e të dhënave shtetërore, përmes së cilës grumbullohet informacioni i organizuar dhe ruajtur në formë elektronike për organizatat jofitimprurëse, ku përpunimi dhe përditësimi i tij kryehet përmes sistemit kompjuterik. Informacioni përbëhet nga dosje të veçanta elektronike për çdo organizatë jofitimprurëse që ka detyrimin e regjistrimit, sipas parashikimeve të këtij ligji.
2. Regjistri elektronik i Organizatave Jofitimprurëse krijohet dhe mbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Të gjitha të dhënat, kërkesat për regjistrim dhe dokumentet shoqëruese, pavarësisht nëse janë paraqitur në formë shkresore apo elektronike, sipas këtij ligji, regjistrohen dhe ruhen në regjistër në formë elektronike.
3. Regjistrimi, përpunimi dhe ruajtja e të dhënave, të njoftuara dhe të depozituara në regjistrin elektronik, kryhen nëpërmjet një sistemi të informatizuar, sipas procedurës së parashikuar në këtë ligj.
4. Pjesë përbërëse e regjistrit janë edhe dokumentet e depozituara në anekset e tij, sipas këtij ligji.
Komente/Sugjerime
Për krijimin e regjistrit elekronik ka nevojë për protokoll veprimesh të bazuar në një dokument zyrtar ku edhe shoqëria civile të ketë mundësi të informohet për sigurinë e mbajtjes dhe përpunimit të të dhënave dhe qëllimin e përdorimit të tyre.
Neni 3, pika 2, është e paqartë si trajtohet dhe mundësohet siguria e këtij informacioni, duke marrë parasysh që do të mbahet vetëm elektronikisht?
Neni 3, pika 3. Me zhvillimet ligjore për komunikimet elektronike, është e nevojshme të shihet e vlerësohet si lidhet kjo pikë dhe ligji, me ligjin për komunikimet elektronike. Duhet parë dhe nëse bëhet fjalë për faqen ekzistuese të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, apo do krijohet diçka e re (që do ketë kosto dhe se dimë sa e gatshem do jetë Gjykata për ta bërë në kohë).
Neni 4
Të dhënat që regjistrohen
Regjistri elektronik përmban të dhëna, që i përkasin themelimit, veprimtarisë dhe çregjistrimit të organizatave jofitimprurëse, çdo ndryshim në status dhe organizimin e subjektit, të dhëna, që i përkasin atij në lidhje me përfaqësimin, si dhe të dhëna të tjera, të parashikuara me ligj.
Komente/Sugjerime
Në nenin 4, përcaktohet që në regjistrin elektronik permbahen dhe të dhëna të tjera (përveç atyre që janë përmendur specifikisht), është e paqartë se kush janë këto të dhëna të tjera.
Në Projektligj duhet të ketë një listë shteruese të të dhënave të domosdoshme në funksion të regjstrimit dhe funksionimit të OJF-ve. Ashtu siç është përcaktuar në këtë pikë le hapësirë për abuzime.
Neni 5
Mënyra e regjistrimit
1. Regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër kryhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës për regjistrim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kërkesa për regjistrim paraqitet me shkresë ose në formë elektronike, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
2. Ministri i Drejtësisë miraton me udhër formularët e kërkesave për regjistrim, për çdo regjistrim që kryhet në regjistër, si dhe listën e dokumenteve shoqëruese për çdo regjistrim, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Komente/Sugjerime
Neni 5, pika 2, është e nevojshme të specifikohen saktë referencat ligjore sepse edhe nga teknika legjislative nuk lejohen referencat e përgjithshme.
Neni 6
Efektet e regjistrimit dhe të publikimit
1. Çdo e dhënë, e regjistruar dhe e publikuar në regjistrin elektronik, sipas dispozitave të këtij ligji, prezumohet se i është njoftuar çdo pale të tretë nga dita e publikimit, sipas nenit 37 të këtij ligji.
2. Pavarësisht nga parashikimi i pikës 1, jo më shumë se pesëmbëdhjetë ditë nga data e publikimit, pala e tretë nuk prezumohet që ka marrë dijeni për të dhënat e regjistruara dhe të publikuara në regjistër, kur provon se e kishte të pamundur të merrte dijeni, duke treguar të gjithë kujdesin e zakonshëm.
3. Kur të dhënat janë regjistruar ose publikuar në mënyrë të pasaktë në regjistrin elektronik, prezumohet që këto të dhëna nuk i janë njoftuar palëve të treta. Pavarësisht këtij parashikimi, prezumohet që pala e tretë ka marrë dijeni, pavarësisht se të dhënat janë regjistruar ose publikuar në mënyrë të pasaktë në regjistrin elektronik, kur provohet se pala e tretë kishte dijeni për pasaktësinë e të dhënave të publikuara ose për të dhëna të tjera të papublikuara.
4. Çdo palë e tretë mund t’i kundrejtojë organizatës jofitimprurëse të dhënat e regjistruara e të publikuara, edhe nëse këto të dhëna janë të pasakta, përveç rastit kur organizata provon se i treti kishte dijeni për pasaktësinë e të dhënave të publikuara ose për të dhëna të tjera të papublikuara.
5. I treti mund t’i kundrejtojë organizatës të dhëna ende të papublikuara kur, pavarësisht mospublikimit, i treti kishte dijeni për këto të dhëna, me përjashtim të rastit kur, sipas ligjit, mospublikimi nuk sjell pasoja.
6. Regjistrimet e regjistrit të organizatave jofitimprurëse vlerësohen gjithnjë të njohura dhe përbëjnë akt zyrtar për autoritetet publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Komente/Sugjerime
Neni 6, pika 2, lidhur me përcaktimin për palën e tretë, kur provon se e kishte të pamundur të merrte dijeni. Kjo është një çështje delikate në kuptimin e këtij ligji dhe nuk mund të mbetet kaq evazive pasi le vend për interpretim dhe penalitete.
Neni 6, pika 3, nuk na duket korrekte që pasi mbaron procedura e publikimit të të dhënave të flasim për prezume për pasaktësinë e tyre. Nga momenti i publikimit ato duhen marrë të mirëqena se janë të sakta dhe në të kundërt veprojnë ligje të tjera për deklarim të dhënash të rreme dhe përgjegjësia mbahet nga deklaruesi. Kjo pikë është e paqartë dhe ka nevojë për saktësime edhe në pika të tjera.
Neni 6, pika 3 përcakton, kur provohet se pala e tretë kishte dijeni për pasaktësinë e të dhënave të publikuara ose për të dhëna të tjera të papublikuara. Është e paqartë kujt i lind barra e provës dhe si bëhet kjo në gjykatë? Do zhvillohet një procedurë për këtë gjë?
Neni 6, pika 4, është i paqartë termi “kundrejtojë”, cili është kuptimi?
SEKSIONI II
DETYRIMI PËR REGJISTRIM, RREGULLAT E EMËRIMIT, PERSONAT E AUTORIZUAR DHE FORMA E AKTEVE SHOQËRUESE
Neni 7
Detyrimi për regjistrim
1. Organizatat jofitimprurëse që detyrohen të regjistrohen sipas këtij ligji janë shoqatat, fondacionet dhe qendrat si dhe çdo subjekt tjetër, i cili me ligj të veçantë detyrohet të regjistrohet pranë Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse.
2. Organizatat jofitimprurëse janë të detyruara të paraqesin kërkesën për regjistrim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë brenda 30 ditëve kalendarike nga data e themelimit, por, në çdo rast, përpara datës së fillimit të ushtrimit të veprimtarisë.
3. Për regjistrimet e tjera të detyrueshme, përveç rasteve kur ky ligj përcakton ndryshe, aplikimi bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike dhe/ose e hartimit të aktit të detyrueshëm për t’u regjistruar.
Komente/Sugjerime
Neni 7, pika 1, është e nevojshme për shumë arsye që OJF-të sipas kuptimit të Ligjit 8781 të jenë të ndara në këtë regjistër nga subjektet e tjera jofitimprurese si psh, partitë politike. Kjo do të siguronte një info më të saktë mbi sektorin, peshën e tij, transparencën por lidhje organike me pjesen tjetër të kuadrit ligjor e rregullator për OJF-të.
Në këtë pikë drafti krijon paqartësi se kë ka në fokus.
Neni 7, pika 3, cili është detyrimi që ka gjykata për të njohur marrjen e aplikimit për regjistrim? Kjo është e nevojshme për t’u saktësuar pasi sjell tejzgjatje të procesit duke e rikthyer të gjithë procesin.
Cili është detyrimi që ka gjykata për të marrë një vendim? Është e nevojshme për të patur një afat ligjor ose edhe regjistrim automatik nëse gjykata nuk përgjigjet brenda afateve. Kjo është një praktikë që është futur në vend për një seri rastesh.
Neni 8
Rregullat e emërtimit
1. Ndalohet regjistrimi në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse i organizatave me emra të njëjtë ose të ngjashëm, me emra në trajtën e shquar apo shkurtimet përkatëse të shteteve, qyteteve, krahinave gjeografike, organizatave ndërkombëtare, fetare ose institucioneve të pushtetit qendror apo vendor, pa shtesa dalluese ose me emra, që janë në kundërshtim me rendin e moralin publik apo me dispozitat urdhëruese të ligjit.
2. E drejta për të regjistruar emrin njihet në bazë të parimit të përparësisë së paraqitjes së kërkesës për regjistrim në Gjykatë.
3. Ministri i Drejtësisë, me udhëzim miraton rregullat për emrat dhe emërtimet e organizatave jofitimprurëse.
Komente/Sugjerime
Neni 8, pika 3, është çështje e së drejtës së organizimit dhe mund të përbëjë shkak për mos regjistrim, prandaj duhet të jetë e përcaktuar në ligj dhe jo të rregullohet me urdhër Ministri.
Neni 9
Personat e autorizuar për të bërë regjistrimin
1. Kërkesa për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse mund të paraqitet bashkërisht nga të gjithë themeluesit, nga organi ekzekutiv që ka të drejtën e përfaqësimit të organizatës me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Kërkesa për regjistrimet e tjera paraqitet nga organi ekzekutiv që ka të drejtën e përfaqësimit të organizatës me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.
2. Kërkesa për regjistrim fillestar dhe regjistrimet e tjera të organizatave jofitimprurëse të huaja bëhet nga përfaqësuesi ligjor i degës ose i organizatës jofitimprurëse të huaj apo nga çdo person i autorizuar nga njëri prej personave të përmendur më sipër.
3. Në çdo rast, të drejtën për të kërkuar regjistrimin fillestar apo regjistrimet e tjera e ka edhe çdo person tjetër që ligji i posaçëm i ka njohur këtë të drejtë.
Komente/Sugjerime
Neni 9, pika 3, është e paqartë çfarë nënkupton ligji i posaçëm? Kujt i referohet?
Neni 10
Kërkesa për regjistrim dhe forma e dokumenteve shoqëruese
1. Regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër kryhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës për regjistrim, sipas formularit përkatës, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me shkresë ose në formë elektronike. Kërkesës për regjistrim i bashkëlidhen dokumentet shoqëruese, që provojnë të dhënat që regjistrohen.
2. Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të panjësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar sipas formës dhe mënyrë së përcaktuar nga legjislacioni përkatës apo nga dispozitat e këtij ligji. Dokumentet shoqëruese mund të dorëzohen edhe në format elektronik, sipas parashikimeve të kreut VI. Dorëzimi i dokumentit shoqërues pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në kopje të panjësuar apo në format elektronik bëhet nën përgjegjësinë e plotë të personit që e paraqet atë, i cili, nëpërmjet aktit të dorëzimit, konfirmon njësinë e kopjes apo të dokumentit në formë elektronik me origjinalin.
3. Dokumentet shoqëruese nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse ligjore dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit.
4. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe. Kërkuesi, së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Shkresat private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
Komente/Sugjerime
Neni 10, pika 2, përcakton që dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të panjësuara. Mos njesimi i dokumenteve mund të krijojë probleme. Është kontradiktor fakti që dokumenti shoqërues ka një vlerë të mjaftueshme për t’u rregulluar me një format të përcaktuar, por jo mjaftueshëm për t’u siguruar vërtetësia e tij.
Është e nevojshme të përcaktohet, si kryhet kominikimi elektronik për të gjitha natyrat e regjistrimeve (Me email? Kush është formati i këtyre dokumentëve: ëord, PDF)
Draft ligji paraqet një formë risi (komunikimi elektronik) dhe nuk e trajton fare këtë në draft ligj. Çfarë nënkupton komunikimi elektronik për hatër të këtij ligji dhe si lidhet ai me ligjin për komunikimin elektronik?
Po në këtë nen, përcaktohet se si bëhet dorëzimi i dokumentit shoqërues. Dorezimi i dokumentave nga çdokush, siç lexohet në këtë nen, dhe jo i deleguar nga përfaqësuesi ligjor, le vend për abuzim dhe keqpërdorim nga palë të treta.
Neni 10, pika 4, përcakton që dokumentat në shqip mund të jenë të panjesuara, në një kohë që janë bazë për vendimin dhe gjuha e huaj duhet e njesuar. Ka një diskrepancë midis rasteve të regjistrimeve lokale dhe atyre të huaja përsa i përket njësimit të dokumentave që nxjerr në pah problematikën e kësaj kërkese/lirie.
SEKSIONI III
REGJISTRIMI FILLESTAR
Neni 11
Aktet për regjistrimin fillestar
1. Organizatat jofitimprurëse regjistrohen në regjistrin elektronik, duke depozituar kërkesën për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, aktet e emërimit të organeve vendimarrëse, nëse nuk përfshihen në aktet e mësipërme, si dhe aktet e tjera të nevojshme për themelimin, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Në rastin e fondacioneve që themelohen në bazë të një akti testamentar, bashkë me kërkesën për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, depozitohet testamenti dhe statuti, në rastet kur është hartuar dhe miratuar nga ekzekutori i testamentit.
3. Degët e organizatave jofitimprurëse të huaja, përveç përmbushjes së kërkesave të tjera të legjislacionit në fuqi, regjistrohen duke depozituar kërkesën për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji si dhe:
a) aktin e themelimit e statutin e organizatës jofitimprurëse të huaj, kur këto janë dy dokumente të veçanta apo, në mungesë, aktin ekuivalent të krijimit, sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasshme;
b) dokumentacionin, që vërteton regjistrimin e organizatës jofitimprurëse të huaj në juridiksionin e huaj;
c) dokumentacionin, që vërteton gjendjen aktuale të organizatës jofitimprurëse të huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës, me të dhënat e regjistrimit dhe të përfaqësimit, përfshirë informacionin nëse është në proces likuidimi apo falimentimi;
ç) bilancin e organizatës jofitimprurëse të huaj për vitin e fundit financiar, mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj, nëse organizata e huaj ka pasur veprimtari për më shumë se një vit;
d) vendimin ose aktet e tjera të organit kompetent të organizatës jofitimprurëse të huaj, sipas legjislacionit të huaj për hapjen e degës në Shqipëri.
Komente/Sugjerime
Neni 11, pika 2, është e paqartë si adresohet për fondacionet kërkesa ligjore e një fondi minimum para krijimit? Kodi civil kërkon deklarimin e burimit të pasurisë duke pasur parasysh natyrën specifike të fondacioneve (Neni 55). Deri tani kjo shumë ka qenë e papërcaktuar, por në praktikë gjykata ka kërkuar një fond garancie deri në 100,000 ALL.
Neni 11, pika 3, referuar gërmës c, sa e lehtë do të ishte kjo? Është e paqartë se çfarë do të thotë informacion në këtë rast: dokument nga ndonjë agjenci përgjegjëse në vendin e origjinës, apo thjesht një deklaratë nga organizata?
Çfarë ndodh në rastet kur organizata do të likujdohet në vendin e origjinës dhe të zhvendoset në Shqiperi? Si lidhen këto dy procese me njëri-tjetrin?
Përdorimi i termit “faliment” nuk ka kuptim kur flasim për organizata jofitimprurese.
Neni 11, pika 3, gërma ç, është e paqartë kush është arsyeja e dorëzimit të bilancit? Nëse nuk është për të shqyrtuar shëndetin e institucionit (është në tagrin dhe kopetencën e gjykatës që ta bëjë) atëhere përse kërkohet?
Nga ky nen dhe në këtë ligj janë shfyqizuar të gjitha regjistrimet afat shkurtra për hatër të veprimtarisë së përkohshme apo me afat, siç janë tipikisht programet e ndihmës së huaj të zbatuara nga OJF-të e huaja. Drafti nuk përcakton më se kujt i lind për detyrim regjistrimi në gjykatë.
Neni 12
Organizatat jofitimprurëse me themelues të huaj
Në rastet e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse me themelues një person juridik të huaj, përveç dokumenteve të kërkuara sipas formës së organizatës jofitimprurëse, kërkesës për regjistrim fillestar i bashkëlidhen edhe dokumentet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “d” të pikës 3 të nenit 11 të këtij ligji, për personin juridik të huaj.
Neni 13
Të dhënat e detyrueshme për organizatat jofitimprurëse
1. Për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse janë të detyrueshme këto të dhëna:
a) emri;
b) forma;
c) data e themelimit;
ç) të dhënat e identifikimit të themeluesve;
d) selia;
dh) qëllimi dhe fusha e veprimtarisë;
e) kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar;
ë) anëtarët e organeve drejtuese, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen dhe datëlindjen e tyre;
f) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre;
g) në rastin e fondacionit: përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues;
gj) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë organizatën jofitimprurëse përpara të tretëve.
Komente/Sugjerime
Neni 13, përcakton të dhënat e detyrueshme për regjistrim të organizatave jofitimprurëse. Si përmbushet ky detyrim? Duket sikur bëhet fjalë më shumë për të dhëna të detyrueshme që do të jenë në regjistër sesa të dhëna që duhet të dorëzohen nga OJF-të. Në çdo rast formatet do të aprovohen nga Ministri çka nënkupton që Ministri të sigurohet që këto të dhëna janë pjesë e kërkesës për informacion në formatet e aprovuara.
Neni 13, në pikën 1, gërma f përcaktohen “të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë”. Duhet zëvendësuar termi “shoqërisë” me “organizatës”.
Përdorimi i përsëritur i termave të biznesit na bën të kuptojme se hartuesit e projektligjit i shikojne OJF-të si biznese ashtu siç ndodh për fat të keq në praktikë. Ky projektligj duhet ta zgjidhë këtë situatë dhe duhet riparë me kujdes e gjithë terminologjia e përdorur.
Neni 13, pika 1, gërma g, në rastin e fondacionit: përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues (njëjtë me komentin për fondacionin, neni 11, pika 2).
Neni 14
Të dhënat e detyrueshme për degët organizatave jofitimprurëse të huaja
1. Për regjistrimin fillestar të degëve të organizatave jofitimprurëse të huaja janë të detyrueshme këto të dhëna:
a) të dhënat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “e”, “ë” “f”, dhe “g” të nenit 13 të këtij ligji për organizatat jofitimprurëse të huaja, përfshirë numrin dhe vendin e regjistrimit;
b) emrin e degës, nëse është i ndryshëm nga ai i organizatës jofitimprurëse të huaj;
ç) kohëzgjatjen e degës, në qoftë se kjo është e përcaktuar;
d) qëllimin dhe fushën e veprimtarisë së degës;
dh) selinë e degës;
e) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e degës në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit dhe afatet e emërimit;
ë) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë degën në marrëdhënie me të tretët.
Neni 15
Subjektet e tjera
Në rastet kur ligji i posaçëm parashikon detyrimin për t’u regjistruar në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse, sipas shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji, mënyra e paraqitjes së kërkesës për regjistrimin fillestar dhe të dhënat e detyrueshme për t’u regjistruar nga këto subjekte, sipas seksionit IV, të këtij ligji, përcaktohen nga ligji i posaçëm.
Komente/Sugjerime
Neni 15 përcakton, në rastet kur ligji i posaçëm parashikon detyrimin për t’u regjistruar në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse, sipas shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji, ndërkohë që shkronja e, e pikës 1, në nenin 11 nuk ekziston.
Neni 16
Pasojat e regjistrimit fillestar
Organizatat jofitimprurëse fitojnë personalitet juridik ditën që vendimi i gjykatës për regjistrimin e saj ka marrë formë të prerë. Me fitimin e personalitetit juridik organizatat jofitimprurëse regjistrohen në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse.
SEKSIONI IV
REGJISTRIMET E TJERA
Neni 17
Regjistrimet e tjera të detyrueshme
1. Çdo organizatë jofitimprurëse, që kryen regjistrimin fillestar, mbart edhe detyrimin të regjistrojë çdo ndryshim në të dhënat e njoftuara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistrin elektronik, sipas seksionit III të këtij ligji.
2. Në rast ndryshimi të aktit të themelimit ose statutit depozitohet edhe teksti i plotë i tyre, që pasqyron ndryshimet e mëpasshme. Për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja depozitohet statuti dhe akti i themelimit i organizatës jofitimprurëse të huaj apo dokumenti ekuivalent i krijimit, sipas legjislacionit të huaj, me tekstin e plotë, që pasqyron ndryshimet e bëra.
3. Përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, organizatat jofitimprurëse duhet të regjistrojnë dhe të depozitojnë aktet përkatëse, si më poshtë:
a) pasqyrat financiare vjetore, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme;
b) emërimin dhe shkarkimin e ekspertit kontabël të autorizuar, në rastet kur emërimi është i detyrueshëm, numrin e licencës profesionale, si dhe të dhënat e tyre të identifikimit;
c) emërimin e likuiduesve, si dhe të dhënat e tyre të identifikimit;
ç) aktet e prishjes, mbylljes apo shpërndarjes, aktet e transformimit, bashkimit, ndarjes, hapjes së procedurave të administrimit, likuidimit ose riorganizimit, si dhe aktet e tjera të ndërmjetme, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja regjistrohen edhe aktet e transformimit, të bashkimit, ndarjes, hapjes dhe mbylljes së procedurave të likuidimit ose falimentimit të organizatës jofitimprurëse të huaj;
d) vendet e tjera të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia;
dh) kompetencat e përfaqësimit të organeve drejtuese ose të likuiduesve;
e) emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe vlera e kontributeve pasurore të fondit themelues (nëse ka të tilla);
ë) çdo regjistrim tjetër të detyrueshëm sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Neni 17, pika 3, gërma a, Eshte gjykata vendi i vetem ku depozitohen keto pasqyra apo dorezohen njekohesisht edhe ne drejtorine e tatimeve? Cfare ndodh me organizatat qe nuk dorezojne pasqyra por te ardhura dhe shpenzime sipas ligjit te kontabilitetit? Ne parim cdo OJF duhet te dorezoje kete info cdo fund Marsi.
DE_Pasqyrate financiare nuk ka pse te jene objet i rregullimit nga ky ligj sepse rregullohen nga ligji organik i OJF-ve dhe ligje te tjera.
Komente/Sugjerime
Neni 17, pika 3, gërma b, nuk ka asnjë detyrim ligjor për OJF-të në këtë drejtim.
Neni 17, pika 3, gërma c, përderisa ndryshimet e akteve kryesore dhe dokumenteve shoqëruese pasqyrohen në regjistër kjo pikë është e tepërt dhe jo për OJF-të por për shoqëritë tregtare dhe biznesin.
Neni 17, pika 3, gërma ç, është e paqartë si trajtohet kjo ceshtje në rastet e bashkimin apo ndarjes së OJF shqiptare (jo degë të huaja)
Neni 17, pika 3, gërma d, është e paqartë se çfarë quhet seli në rastin e një dege OJF të huaj? Zyra në vendin e origjinës, apo qyteti në Shqipëri ku ndodhet zyra e degës?
Neni 17, pika 3, gërma e, emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe vlera e kontributeve pasurore të fondit themelues (nëse ka të tilla), është e paqartë.
Neni 18
Regjistrimet e tjera vullnetare
Organizatat jofitimprurëse mund të regjistrojnë në regjistrin elektronik çdo të dhënë tjetër, të ndryshme nga të dhënat e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, të cilat kanë lidhje me veprimtarinë e tyre. Këto të dhëna shtesë përfshijnë, por pa u kufizuar në to:
a) emërtimin ose shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë (nëse është/janë i/të ndryshëm nga emri i regjistruar i organizatës jofitimprurëse);
b) ëeb-site, e-mail, telefon dhe faks;
c) vendimet e organeve drejtuese të organizatës jofitimprurëse, si vendimet e pezullimit të veprimtarisë apo vendimet e tjera të ndryshme nga vendimet e detyrueshme për regjistrim;
ç) të dhëna të tjera, të lidhura me veprimtarinë të organizatës jofitimprurëse.
Komente/Sugjerime
Neni 18 përcakton: Organizatat jofitimprurëse mund të regjistrojnë në regjistrin elektronik çdo të dhënë tjetër, të ndryshme nga të dhënat e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, të cilat kanë lidhje me veprimtarinë e tyre. Është konfuzues “mund të regjistrojnë”, pasi të tre pikat e para përbejnë detyrim ligjor për OJF-të që duhet ti depozitojë. Përndryshe si bëhet identifikimi dhe korrespondenca me to e mbi të gjitha lëshimi i numrit të identifikimit.
Projektligji duhet të ketë rregullime vetëm për një listë shteruese të dokumentacionit të domosdoshëm, ndërsa çdo informacion tjetër nuk duhet të kërkohet ose duhet të lihet në vullnetin e OJF-ve në duan të publikojnë në regjistrin elektronik edhe informacione të tjera për veprimtarinë e tyre.
Neni 19
Regjistrimet me vendim gjyqësor
1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë regjistron në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse dhe publikon, kryesisht ose me kërkesë nga çdo person i interesuar, vendimet gjyqësore për të dhënat e regjistruara ose veprimtarinë e organizatës jofitimprurëse.
2. Kërkesës për regjistrime nga personat e interesuar i bashkëlidhet vendimi përkatës. Regjistrimi kryhet sipas rregullave të përcaktuara në kreun III të këtij ligji.
Komente/Sugjerime
Neni 19, pika 1, është e paqartë. Është e nevojshme të sqarohet dhe ndahet pjesa e regjistrimit të informacionit të detyruar në regjistër nga ana e mbajtësve të regjistrit, nga ajo e publikimit të informacionit, pra të asaj çfarë bëhet publike.
Është jo e qartë sesi një person i interesuar (nga publiku, jo OJF) përcakton të dhënat që duhet të futen në regjistër!!!
SEKSIONI V
ÇREGJISTRIMI
Neni 20
Çregjistrimi i subjektit
1. Organizatat jofitimprurëse çregjistrohen nga regjistri elektronik në rastet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për prishjen dhe pavlefshmërinë e personave juridikë, shpërndarjen e organizatave jofitimprurëse, si dhe në çdo rast tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
2. Çregjistrimi kryhet:
a) në mënyrë vullnetare me iniciativën e vetë organizatës jofitimprurëse;
b) në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë;
c) sipas parashikimit të ligjeve të posaçme.
Neni 21
Çregjistrimi vullnetar
Kur vendoset shpërndarja nga vetë organizata jofitimprurëse, çregjistrimi nga regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse kryhet vetëm pasi vendimi i gjykatës për çregjistrimin e organizatës jofitimprurëse ka marrë formë të prerë.
Neni 22
Çregjistrimi me vendim gjyqësor
Në rastet kur gjykata vendos shpërndarjen e organizatës jofitimprurëse, çregjistrimi nga regjistri elektronik i organizatave jofitimprurëse kryhet vetëm pasi vendimi i gjykatës për çregjistrimin e organizatës jofitimprurëse ka marrë formë të prerë.
Neni 23
Të dhënat e subjekteve të çregjistruara
1. Të dhënat e organizatave jofitimprurëse të çregjistruara mbahen në regjistër, duke vënë shënimin “i çregjistruar”, si dhe numrin e datën e vendimit gjyqësor ose të autoritetit tjetër publik, sipas ligjeve të posaçme, që ka vendosur çregjistrimin nga regjistri. Këto të dhëna ruhen nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në format elektronik dhe janë gjithnjë të aksesueshme për publikun.
2. Emri i organizatës jofitimprurëse ndalohet të përdoret dhe nuk mund të regjistrohet nga asnjë subjekt tjetër për një afat prej 6 muaj nga data e çregjistrimit.
Komente/Sugjerime
Neni 23, pika 2, kjo e drejtë duhet kufizuar për një kohë shumë më të gjatë, pasi mund të sjelli keqpërdorim dhe manipulim të publikut.
Nëse është e mundur të parashikohet në këtë projektligj edhe mbrojtja nga përdorimi i paligjshëm i informacioneve të publikuara nga OJF-të aktive duke e parë edhe në logjikën e të drejtave të autorit që rregullohen me ligj të posaçëm. Këtu kemi parasysh informacione që kanë të bëjnë me emrin, logon, publikime të ndryshme apo edhe deri tek përmbajtja e projekteve.
Neni 24
Pasojat e çregjistrimit
1. Çregjistrimi i organizatave jofitimprurëse nga regjistri elektronik ka si pasojë humbjen e personalitetit juridik të subjekteve, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme.
2. Çregjistrimi nga regjistri i organizatave jofitimprurëse i degëve të organizatave jofitimprurëse të huaja që nuk fitojnë personalitetin juridik nëpërmjet regjistrimit, ka vetëm efekt deklarativ.
3. Subjektet e çregjistruara përgjigjen për detyrimet e mbetura ndaj të tretëve dhe ndaj autoriteteve publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU III
ORGANET PËRGJEGJËSE PËR REGJISTRIMIN
Komente/Sugjerime
Ky kre nuk është i qartë. Është e nevojshme të qartësohet struktura që do të menaxhojë regjistrimin e OJF-ve. Nuk janë të qarta kompetencat e kancelarit, i janë lënë dhe kompetenca për vendosjen e penaliteteve, çka mund të jetë abusive, për më tepër nuk citohet baza ligjore dhe sa janë kompetencat në përputhje me parashikimet ligjore që rregullojnë veprimtarinë e gjyqësorit dhe funksionet e kancelarit.
SEKSIONI I
SHQYRTIMI DHE VENDIMMARRJA
Neni 24
Gjyqtari i vetëm
Vendimi për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse, si dhe vendimi për çrregjistrimin e tyre merret nga një gjyqtar i seksionit tregtar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj.
Komente/Sugjerime
A parashikohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë të ketë një seksion të veçantë të gjyqtarëve që trajtojnë regjstrimin e OJF-ve?
Neni 25
Kancelari
Vendimi për regjistrimet e tjera, sipas përcaktimit të seksionit IV të Kreut II të këtij ligji, merret nga Kancelari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj.
Neni 26
Sekretaria e Regjistrit Elektronik
1.Sekretaria e Regjistrit Elektronik të Organizatave Jofitimprurëse kryen këto funksione:
a) Kujdeset për mbajtjen dhe administrimin e Regjistrit Elektronik;
b) Regjistron dhe mban vendimet e gjyqtarit për regjistrimin fillestar dhe çrregjistrimit dhe të kancelarit për regjistrimet e tjera si dokumentacionin që i bashkëlidhet, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj;
c) Lëshon vërtetimin e regjistrimit dhe të depozitimit të akteve në Regjistrin Elektronik, si dhe vërtetime të tjera në rastet e parashikuara me ligj.
ç) Lëshon kopje të regjistrimit dhe të dokumenteve të depozituara në shtojcat e Regjistrit Elektronik.
2.Në rastet kur Sekretari i Regjistrit Elektronik kundërshton të lëshojë një dokument me përmbajtje të ndryshuar nga dokumenti i mëparshëm, kërkesa për lëshimin e tij shqyrtohet nga një gjyqtar i Regjistrit Elektronik. Kundër vendimit të gjyqtarit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
3. Veprimet për regjistrimin, depozitimin, lëshimin e vërtetimeve, të kopjeve të tyre dhe të akteve që mbahen në Regjistrin Elektronik kryhen nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik, kundrejt pagesës së tarifave të shërbimit. Tarifat e shërbimit caktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.
Komente/Sugjerime
Neni 26, Sekretaria e Regjistrit Elektronik. Projektligji nuk jep informacion për strukturën e Sekretarisë së Regjistrit Elektronik që me sa kuptohet është edhe struktura kryesore që do të përballojë volumin e punës përfshirë edhe menaxhimin e sistemit elektronik të përpunimit të informacionit. Është e nevojshme të qartësohet më mirë kjo pikë.
Neni 27
Paraqitja e kërkesave
1. Sekretaria e Regjistrit Elektronik ndihmon kërkuesin për plotësimin e kërkesës dhe kryen verifikimet e mëposhtme:
a) identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është person i autorizuar për të kërkuar regjistrimin;
b) plotësimin e të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara, si dhe dokumentet shoqëruese;
c) paraqitjen, në formën e kërkuar, të dokumentacionit shoqërues, që vërteton të dhënat që regjistrohen;
ç) faktin nëse të dhënat e shprehura në formularin e regjistrimit nuk kundërshtojnë, në mënyrë të dukshme, të dhënat që përmbajnë dokumentet, që shoqërojnë formularin;
d) faktin nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tij nuk duket qartë, është e palexueshme apo pengon marrjen e imazhit elektronik;
dh) nëse emri i zgjedhur mund të regjistrohet;
e) pagesën e tarifës përkatëse për regjistrim;
3. Sekretaria e Regjistrit Elektronik lëshon një konfirmim me shkrim, sipas një formati të miratuar me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, për çdo kërkesë të dorëzuar.
4. Konfirmimi lëshohet sipas formatit të miratuar dhe duhet të tregojë kohën e dorëzimit, numrin rendor të paraqitjes së kërkesës, objektin e kërkesës, listën e dokumenteve të dorëzuara dhe shumën e tarifës së paguar.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë merr në shqyrtim kërkesat për regjistrim, sipas radhës së paraqitjes së tyre.
6. Sekretaria e Regjistrit është e detyruar të marrë në dorëzim çdo kërkesë, të paraqitur sipas këtij ligji dhe dokumentet që i bashkëlidhen, edhe nëse kërkesa është e paplotë, apo dokumentet shoqëruese të pasakta.
7. Regjistrimi, përpunimi, shqyrtimi i kërkesave nga Gjyqtari ose nga Kancelari si dhe ruajtja e të dhënave, të njoftuara dhe të depozituara në regjistër, kryhen nëpërmjet një sistemi të informatizuar.
Komente/Sugjerime
Neni 27, Paraqitja e kërkesave, është e paqartë nëse i referohet regjistrimit fillestar. Është e nevojshme të rishihet, në linjë me nenin 10 dhe komentet në të.
Neni 28
Pezullimi i shqyrtimit të kërkesës
1. Në rastet kur pas verifikimeve të parashikuara në nenin 27, të këtij ligji, rezulton se nuk janë përmbushur kushtet për regjistrim, nuk janë paguar tarifat përkatëse të regjistrimit, apo nuk janë kryer regjistrimet e kërkuara, sipas nenit 46, Gjyqtari ose Kancelari, sipas rastit, pezullon shqyrtimin e kërkesës dhe e njofton kërkuesin me shkrim për shkakun e saktë të pezullimit, duke i dhënë një afat prej 21 ditësh kalendarike për plotësimin ose ndreqjen e të metave që pengojnë regjistrimin. Njoftimi i shkakut të pezullimit bëhet nëpërmjet një formulari standard, sipas formatit të miratuar me urdhër nga Ministri i Drejtësisë.
2. Nëse kërkuesi plotëson ose ndreq të metat që pengojnë regjistrimin, brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është e detyruar të kryejë regjistrimin brenda një afati 5-ditor nga data e plotësimit ose ndreqjes së dokumentacionit. Në këtë rast, regjistrimi mban datën e paraqitjes së kërkesës së parë për regjistrim.
Neni 29
Përjashtimi i një gjyqtari
1. Gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i kërkesës për regjistrim ose çregjistrim në rastet e parashikuara në nenin 72 të Kodit të Procedurës Civile.
2. Për heqjen dorë dhe përjashtimin e gjyqtarit nga shqyrtimi i kërkesës zbatohen nenet 73 dhe 74 të Kodit të Procedurës Civile.
Komente/Sugjerime
Është e nevojshme të ketë edhe një parashikim për të drejtën e aplikuesit për të kërkuar ndryshim të gjyqtarit që merr në shqyrtim kërkesën.
Neni 30
Vendimi i gjyqtarit
1. Gjyqtari, me përjashtim të rasteve kur ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës sipas nenit 28 të këtij ligji, vendos për kërkesat e regjistrimit ose të çrregjistrimit, në dhomë këshillimi brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës në sekretarinë e regjistrit ose në formë elektronike.
2. Vendimi për regjistrimin jepet nga gjyqtari edhe në rastin kur një gjykatë tjetër ka marrë vendim për kryerjen e këtij veprimi.
Neni 31
Vendimi i Kancelarit
Kancelari, me përjashtim të rasteve kur ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës sipas nenit 28 të këtij ligji, vendos për kërkesat për regjistrimet e tjera, sipas përcaktimit të seksionit IV të Kreut II të këtij ligji, brenda 1 dite pune nga data e depozitimit të kërkesës në sekretarinë e regjistrit elektronik ose në formë elektronike.
Neni 32
Mospranimi i kërkesës për regjistrim
1. Mospranimi i kërkesës për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse në Regjistrin elektronik bëhet me vendim të gjyqtarit kompetent për Regjistrin Elektronik.
2. Mospranimi i kërkesës për regjistrimet e tjera sipas përcaktimit të seksionit IV të Kreut II të këtij ligji, bëhet me vendim të Kancelarit.
3. Kërkesa për regjistrim refuzohet refuzohet vetëm në rastet kur:
a) kërkesa nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë ligj ose në ligjin për organizatat jofitimprurëse dhe kërkuesi nuk plotëson ose ndreq elementet, që pengojnë regjistrimin brenda afatit;
b) të dhënat, që kërkohen të regjistrohen, janë të ndryshme nga të dhënat e regjistrueshme, sipas dispozitave të këtij ligji.
4. Refuzimi i njoftohet kërkuesit me shkrim, sipas formularit standard, në të cilin jepet edhe shkaku i këtij refuzimi.
5. Kundër vendimit të gjyqtarit për mospranimin e kërkesës për regjistrim fillestar mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
6. Kundër vendimit të kancelarit për mospranimin e kërkesës për regjistrimet e tjera mund të bëhet ankim brenda 3 ditëve pranë Gjyqtarit kompetent për regjistrin elektronik. Në këtë rast, gjyqtari shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të ankimit. Ndaj vendimit të gjyqtarit për mospranimin e ankimit, mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Neni 33
Përmbajtja e vendimit të regjistrimit
Vendimi i gjyqtarit për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse ose i kancelarit për regjistrimin e të dhënave të tjera, duhet të përmbajë në mënyrë të plotë çështjet që duhet të pasqyrohen në Regjistrin Elektronik.
Neni 34
Ekzekutimi i vendimit të regjistrimit
1. Vendimi i gjyqtarit për regjistrim ose çrregjistrimin në Regjistrin Elektronik si dhe vendimi i Kancelarit për regjistrimet e tjera ekzekutohet nga Sekretaria e Regjistrit jo më vonë se 1 ditë pune nga data që vendimi ka marrë formë të prerë.
2. Menjëherë me ekzekutimin e regjistrimit, Sekretaria e Regjistrit lëshon certifikatën e regjistrimit ose vërtetimin e kryerjes së regjistrimeve të tjera.
SEKSIONI II
REGJISTRIMI I NJËKOHSHËM, NUMRI UNIK I IDENTIFIKIMIT,
PUBLIKIMI DHE LËSHIMI I CERTIFIKATAVE
Neni 35
Regjistrimi i njëkohshëm
1. Regjistrimi i organizatave jofitimprurëse në Regjistrin Elektronik përbën, gjithashtu, regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë administratës tatimore, qendrore dhe vendore, në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë inspektoratit të punës.
2. Organizatat jofitimprurëse, për qëllimet e regjistrimit e të pajisjes me certifikatën e regjistrimit fillestar, deklarojnë, gjithashtu, të dhënat e detyrueshme, sipas legjislacionit tatimor, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe atij të statistikave, sipas formularëve përkatës.
3. Me përjashtim të rasteve kur ligji shprehimisht kushtëzon nisjen e veprimtarisë përkatëse me marrjen e një lejeje, licence apo autorizimi, organizata jofitimprurëse e pajisur nga Sekretaria e Regjistrit me certifikatën e regjistrimit fillestar ka të drejtë të nisë menjëherë veprimtarinë e saj.
Komente/Sugjerime
Neni 35, në pikën 2, janë të paqarta kërkesat lidhur me paisjen me çertifikatë. Në momentin kur OJF nuk ka filluar aktivitetin, apo nuk i ka lindur detyrimi për t’u pajisur me numrin e idenfikimit, për çfarë informacioni bëhet fjalë (tatimor, sigurime, etj).
Nuk është e mundur që një organizatë që nuk e ka fituar autoritetin ligjor (regjistrimin fillestar) të ofrojë këto të dhëna.
Është e paqartë nëse paisja me numrin e identifikimit është proces paralel me regjistrimin (fitimin e autoriteti juridik). Është po ashtu e paqartë çfarë detyrimesh tatimore lind kjo për një OJF kur ajo mund të operojë edhe vullnetarisht, pa fonde dhe staf të paguar.
Përderisa organizata nuk ka filluar të zbatojë një projekt të financuar apo të menaxhojë donacione dhe veprimtari që kanë shpenzime financiare nuk ka nevojë të ketë numër identifikimi dhe detyrime nga Inspektorati i Punës.
Neni 36
Numri unik i identifikimit të subjektit
1. Me regjistrimin në regjistrin elektronik, organizatave jofitimprurëse u jepet numri i identifikimit, i cili gjenerohet në mënyrë elektronike nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe është unik për çdo organizatë jofitimprurëse të regjistruar.
2. Numri unik i identifikimit të organizatës jofitimprurëse është i vlefshëm për identifikimin e organizatave, për qëllimet e regjistrimit në regjistrin elektronik, për qëllimet e regjistrimit si person i tatueshëm pranë autoriteteve tatimore, qendrore dhe vendore, për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për autoritetet e inspektimit të marrëdhënieve të punës, si dhe për çdo qëllim tjetër statistikor ose identifikues.
3. Numri unik i identifikimit të organizatave jepet vetëm një herë, në çastin e regjistrimit fillestar dhe është i pandryshueshëm, si dhe nuk u jepet organizatave të tjera edhe pas çregjistrimit.
4. Organizatat jofitimprurëse të regjistruara janë të detyruara të shënojnë numrin unik të identifikimit të organizatës në çdo korrespondencë të tyre.
Komente/Sugjerime
Neni 36, i referohet numrit unik të identifikimit të subjektit. Nga karakteristikat që ka ky numër unik dhe funksionet e tij duket sikur bëhet fjalë për NUIS. Është i njëjtë në fakt? Nëse po, kjo është problematike për gjithë arsyet sesi është organizuar dhe funksionon sistemi tatimor në vend. A është diçka e tillë e mundur?
Në çdo rast mbetet e paqartë nëse flasim për dy numra të ndryshëm (Numri unik i identifikimit dhe NUIS) apo zëvendesojnë njeri-tjetrin. Në çdo rast kjo mbetet e paqartësuar në ligj sesi kryehet.
Neni 36, pika 4, përcakton detyrimin e OJF-ve të shënojnë numrin unik të identifikimit të organizatës në çdo korrespondencë të tyre. Është e paqartë për çfarë korrespondencash flasim? Edhe atë midis organizatave, donatorëve dhe jo vetëm për arsye zyrtare me institucionet? Është e nevojshme të qartësohet, gjithsesi, nëse është ky rasti, është një kërkesë e ekzagjeruar.
Neni 37
Publikimi elektronik
1. Çdo e dhënë e regjistruar në regjistër nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit, që mbahet Sekretaria e Regjistrit në format elektronik dhe botohet në faqen e zyrtare të internetit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
2. Sekretaria e Regjistrit Elektronik kryen publikimin në buletin brenda një dite nga data e kryerjes së regjistrimit. Për çdo publikim përcaktohet qartë data, në të cilën është regjistruar e dhëna e publikuar.
3. Sekretaria e Regjistrit Elektronik për çdo ditë pune publikon në buletin të gjitha regjistrimet e kryera gjatë ditës së mëparshme.
4. Publikimi në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit përbën publikim zyrtar të regjistrimeve, të kryera në kuptim të nenit 6 të këtij ligji.
Komente/Sugjerime
Neni 37 përsëritet 2 herë: Neni 37. Publikimi elektronik dhe Neni 37. Çertifikata e regjistrimit fillestar.
Neni 37
Certifikata e regjistrimit fillestar
1. Sekretaria e Regjistrit Elektronik, brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj për regjistrimin fillestar, i lëshon organizatës jofitimprurëse të regjistruar certifikatën e regjistrimit, e cila përmban emrin, formën, numrin unik të identifikimit, datën e regjistrimit fillestar dhe selinë ose adresën e vendit kryesor të ushtrimit të veprimtarisë.
2. Në rast se organizata jofitimprurëse e regjistruar ushtron veprimtarinë në më shumë se një vend, Sekretaria e Regjistrit Elektronik lëshon nga një certifikatë regjistrimi për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Këto certifikata, përveç adresës përkatëse, përmbajnë, gjithashtu, emrin, formën, datën e regjistrimit fillestar dhe numrin unik të identifikimit të organizatës jofitimprurëse.
3. Në rastet kur organizata jofitimprurëse ndryshon emrin, formën, selinë apo vendet e ushtrimit të veprimtarisë, Sekretaria e Regjistrit Elektronik zëvendëson certifikatat e lëshuara më parë me një certifikatë të re për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Këto certifikata, përveç adresës përkatëse, përmbajnë, gjithashtu, emrin, formën, datën e regjistrimit fillestar dhe numrin unik të identifikimit të organizatës jofitimprurëse.
4. Certifikata e regjistrimit lëshohet në një kopje origjinale për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Në rast humbjeje apo dëmtimi të certifikatës së regjistrimit, ajo zëvendësohet me një dublikatë të lëshuar nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik.
5. Organizata jofitimprurëse është e detyruar të vendosë certifikatën përkatëse në çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë, në një vend të dukshëm.
Komente/Sugjerime
Neni 37, pika 2, përcakton që Sekretaria e Regjistrit Elektronik lëshon nga një çertifikatë regjistrimi Kjo është konfuzuese. Mbetet i paqartë funksioni i përdorimit të këtyre çertifikatave. Kush çertifikatë përdoret/prevalon në pagesat p.sh. të sigurimeve dhe tatimeve të personelit, kur dega në Shqipëri nuk ka autoritet ligjor e për rrjedhojë manaxhimi është i qendërzuar?
Në terma praktik si numërohen vendodhjet dhe degët e një organizate kur çertifikata përmban të njëjtin numer?
Neni 38
Vërtetime për regjistrimet
Pas regjistrimit, sipas dispozitave të këtij ligji, Sekretaria e Regjistrit Elektronik i lëshon subjektit një vërtetim regjistrimi, ku përcaktohen qartë veprimi i kryer dhe data e këtij regjistrimi.
Neni 39
Formati dhe përmbajtja
Ministri, me propozimin e Kancelarit, miraton formatin dhe përmbajtjen e certifikatave, vërtetimeve dhe të Buletinit të Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit, sipas këtij ligji.
Neni 40
Korrigjimi i gabimeve
1. Pasaktësitë, gabimet e shtypit ose gabimet e tjera të dukshme të këtij lloji, të bëra gjatë regjistrimeve, të cilat rezultojnë qartë nga dokumentacioni i depozituar dhe nuk cenojnë vlefshmërinë e regjistrimit, mund të korrigjohen nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik kryesisht apo me kërkesë të personave të interesuar.
2. Ndryshimi i të dhënave të pasakta, të ndryshme nga ato të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, kryhet nëpërmjet një kërkese të re për regjistrim.
3. Ndreqja e pasaktësive apo gabimeve publikohet, sipas dispozitave të nenit 37 të këtij ligji.
4. Kërkesa për ndreqje të gabimeve kryhet pa pagesë.
KREU V
AKSESI PUBLIK DHE EKSTRAKTET
Neni 41
Kërkimet në bazën e të dhënave
Çdo person i interesuar mund të kryejë, sipas këtij ligji, pa pagesë, kërkime në bazën e të dhënave elektronike për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve.
Komente/Sugjerime
Mungon një strukturë bazë e rregjstrit. Pëcaktimi “baza e të dhënave elektronike”, është konfuzues dhe i pasaktë. Është e nevojshme të qartësohet dhe përshkruhet më i detajuar.
Neni 42
Ekstraktet e regjistrit elektronik
1. Sekretaria e Regjistrit Elektronik konfirmon të dhënat e regjistruara nga organizatat jofitimprurëse, sipas këtij ligji, nëpërmjet lëshimit të ekstrakteve në format shkresor apo elektronik, sipas këtij ligji. Çdo person, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse, ka të drejtë të marrë pa pengesa, në format shkresor apo elektronik, sipas dëshirës, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo organizate jofitimprurëse, si dhe kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër.
2. Ekstraktet mund të lëshohen për të dhëna të caktuara të organizatave jofitimprurëse si dhe për historikun e veprimeve të kryera nga një organizatë jofitimprurëse.
3. Ministri, me propozimin Kancelarit, miraton formatin e ekstrakteve dhe të kërkesës për lëshimin tyre.
Komente/Sugjerime
Sipas Nenit 41, pika 1, ligji duhet të përcaktojë natyrën e informacionit që mund të tërhiqet nga publiku. Kjo mund të rregullohet me një format të përcaktuar siç ndodh dhe në rastin e biznesit (ekstrakti) që është edhe publik në fakt e s’ka nevojë për kërkesë.
Është e paqartë se si bëhet pagesa në një rast të tillë të marrjes së informacionit elektronik?
Një procedurë aplikimi nëpërmjet sistemit elektronik duhet të jetë në çdo rast pa pagesë dhe mund të rregullohet nga sistemi që të jetë edhe automatike duke përcaktuar listën e subjektive të autorizuara për ta kërkuar një infomacion të tillë në emër të organizatës.
Lidhur me Nenin 41, pika 2, është e paqartë pse duhet të flasim për kopje të pavërtetuara? Çdo informacion i depozituar është bërë sipas një procedure dhe në këtë rast përgjegjesinë për informacionin e mban deklaruesi. Për më tepër ky ligj parashikon edhe sanksione për deklarime të rreme.
Neni 43
Vërtetimi i ekstrakteve dhe i dokumenteve shoqëruese
1. Ekstraktet dhe kopjet e dokumenteve shoqëruese në format shkresor, si rregull, lëshohen nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik, si kopje e vërtetuar e të dhënave të regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse, përveç rastit kur personi i interesuar heq dorë nga marrja e këtij vërtetimi.
2. Ekstraktet dhe kopjet e dokumenteve shoqëruese në format elektronik, si rregull, lëshohen nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik si kopje e pavërtetuar e të dhënave të regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse, përveç rastit kur personi i interesuar shprehimisht kërkon ta marrë këtë vërtetim.
Neni 44
Komunikimi elektronik me autoritete të tjera publike
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të garantuar lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe ofrimin e shërbimeve të tjera shtesë, në favor të subjekteve të interesuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi, bashkëpunon me autoritete të tjera publike dhe mundëson ndërlidhjen dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave, të regjistruara në bazën e saj elektronike, me regjistra apo baza të dhënash elektronike të autoriteteve të tjera publike, si brenda, ashtu dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Komente/Sugjerime
Ngritja e gjithë sistemit elektronik mbi parimin e shkëmbimit të informacionit dhe jo të qenurit pjesë e të njëjtit sistem ku të dhënat aksesohen nga institucionet e përcaktuara, do të sjellë për sektorin detyrimin e raportimit të shumëfishtë në disa institucione.
Nëse propozimi do të çojë në trajtimin e regjistrit si një pikë fokale ku do te kryhet i gjithë raportimi, kjo është e nevojshme të qartësohet e saktësohet në këtë draft ligj, ndonëse drafti nuk të jep përshtypjen që ka këtë lloj qëllimi nga ana e propozuesve.
Nëse do të marrim të mirqenë që sistemi garanton shkëmbimin dhe aksesin e informacionit me Institucione të tjera atëhere për logjikë nuk ka pse të kërkohet që të publikohen në regjister pasqyrat financiare sepse ato mund të merren nga tatimet. Duhet bërë një ndarje e qartë e procedurës së regjistrimit të OJF-ve me pjesën e menaxhimit dhe kontrollit të veprimtarisë së tyre që nuk mund të jetë objekt i këtij ligji.
KREU VI
SPORTELI ELEKTRONIK
Neni 45
Veprimet pranë sportelit elektronik
1. Çdo shtetas, pasi të jetë identifikuar elektronikisht, ka të drejtë që, në cilësinë e kërkuesit apo të personit të autorizuar, të paraqesë një kërkesë për regjistrim apo të kryejë pranë sportelit elektronik çdo regjistrim apo veprim tjetër, sipas këtij ligji, përfshirë këtu proceduren e ankimit ndaj vendimit të Kancelarit sipas nenit 32 të këtij ligji, dhe të marrë nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik nëpërmjet këtij sporteli të gjitha aktet përkatëse të parashikuara nga ky ligj.
2. Çdo shtetas, pa qenë i detyruar të identifikohet elektronikisht, ka të drejtë të kryejë pranë sportelit elektronik kërkime elektronike në regjistër, të marrë ekstrakte, si dhe kopje të dokumenteve shoqërues në format elektronik apo të kryejë veprime të tjera, për të cilat identifikimi i personit ose kryerja e pagesës së një tarife nëpërmjet mjeteve elektronike, nuk kërkohet sipas këtij ligji.
Neni 46
Identifikimi elektronik
Veprimet pranë sportelit elektronik të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të cilat ky ligj kërkon identifikimin elektronik, kryhen nëpërmjet mjeteve elektronike që garantojnë autenticitetin e origjinës dhe pacenueshmërinë e përmbajtjes së dokumenteve në format elektronik, të paktën nëpërmjet nënshkrimit elektronik të avancuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik.
Neni 47
Kushtet procedurale dhe teknike
Këshilli i Ministrave përcakton kushtet, afatet dhe procedurat për ofrimin shërbimeve nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik, sipas këtij ligji, nëpërmjet sportelit elektronik, kushtet dhe mënyrat e pajisjes së individëve me të drejtat përkatëse të aksesit elektronik, procedurat për ndryshimin e tyre, kushtet e sigurisë dhe të ruajtjes së komunikimeve elektronike, mënyrat e vërtetimit të dokumenteve elektronike, të lëshuara nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik, të kërkesave e teknologjisë së zbatueshme për realizmin e tyre, sipas këtij kreu, si dhe procedurat e njoftimet publike, të realizuara nga Sekretaria e Regjistrit Elektronik për rastet e remonteve të planifikuara apo të incidenteve teknike të sportelit elektronik, si dhe për njoftimin e rasteve të ndërhyrjeve të paautorizuara.
KREU VII
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 48
Kundërvajtjet administrative
1. Organizata jofitimprurëse si dhe personat e autorizuar për të bërë regjistrimin janë përgjegjëse sipas ligjeve në fuqi, për vërtetësinë e fakteve, të të dhënave të njoftuara dhe të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistrin elektronik.
2. Deklarimi në regjistrin elektronik i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15 000 lekë.
3. Moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15 000 lekë.
4. Gjoba vendoset nga Kancelari, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Komente/Sugjerime
Neni 48, pika 3, në lidhje me tejkalimin e afatave të regjistrimit fillestar, është e paqartë se përse përbën kundravajtje. Regjistrimi është çështje e vullnetit të lirë të themeluesve dhe çdo tejkalim afatesh në këtë drejtim nuk duhet parë si shkelje, për aq kohë sa nuk sjell asnjë pasojë.
KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 49
Regjimi tranzitor dhe aktet nënligjore
1. Regjistrimet e kryera përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme vetëm nëse përmbushen kushtet e përcaktuar nga neni 11 i këtij ligj.
2 . Administrata tatimore, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i jep Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të gjitha të dhënat, që ato disponon për subjektet e regjistruara pranë tyre.
3. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi përditëson regjistrin elektronik me të dhënat e nevojshme dhe njofton subjektet, për plotësimin e dokumentacionit, nëse konstatohet se dokumentacioni i administruar kërkon përditësim, në përmbushje të detyrimeve për regjistirmi sipas nenin 11 të këtij ligji.
4. Organizatat jofitim prurëse, kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë, në plotësimin e të dhënave të nevojshme në përmbushje të kërkesave të këtij ligji për regjistrimin fillestar dhe mos përmbushja e kërkesave të këtij ligji passjell çregjistrimin e tyre nga regjsitri i orgnaizatave jofitim prurëse me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Komente/Sugjerime
Neni 49, pika 2, përcakton që administrata tatimore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, i jep Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të gjitha të dhënat, që ajo disponon për subjektet e regjistruara pranë tyre.
Është e paqartë për çfarë të dhënash bëhet fjalë. Nënkupton kjo një transferim total të përgjegjësisë së mbajtjes së rekordeve vetëm nga gjykata? Kush duhet parë që këtej e tutje si institucioni përgjegjes për sektorin?
Është e paqartë se çfarë ndodh me NUIS të organizatave që janë të pajisura me një të tillë tashme. I paqartë po ashtu është dhe afati që ka gjykata që ti pajisi OJF-të ekzistuese me çertifikatën e re. Është e paqartë çfarë detyrimi i lind kjo OJF-ve ekzistuese lidhur me tatim taksat, sigurimet shoqërore në përditësimin e informacionit me ta.
Regjimi tranzitor duhet ripare me kujdes sidomos per OJF ekzsituese qofshin ato aktive apo pasive.
Është e paqartë se si do të mundet Gjykata të përditësojë të dhënat me njoftim paraprak, ndërkohë kur ajo nuk disponon adresa kontakti të OJF-ve, mbi të gjitha për një pjesë të mirë të tyre që s’janë të regjistruara as në tatim taksa. Kjo është një çështje e rëndësishme që duhet menduar, sidomos kur ligji parashikon penalitete siç është ç’regjistrimi, një shkelje e rëndë e të drejtës së organizimit.
Neni 39, pika 4 përcakton që mos përmbushja e kërkesave të këtij ligji passjell çregjistrimin e tyre nga regjsitri i orgnaizatave jofitim prurëse me hyrjen në fuqi të këtij ligji. A nënkupton kjo shkrirjen e OJF-ve? Ç’regjistrimi i një OJF sipas kodit Civil (n.52 &62), Ligjit nr. 8781 “Për Organizatat Jofitimprurëse”, por edhe këtij drafti (Neni 24), bëhet vetëm në rastet e përcaktuara në ligj dhe me proces gjyqësor. Ky nen është shkelje flagrante e të drejtës së organizimit.
Po ashtu është e nevojshme të qartësohet si ndodh ç’regjistrimi se si mund të jetë automatik dhe ndoshta do rishikim dhe në nenin 20, pika 2, gërma c:
Ç’regjistrimi kryhet:
a) në mënyrë vullnetare me iniciativën e vetë organizatës jofitimprurëse;
b) në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë;
c) sipas parashikimit të ligjeve të posaçme.
Gjithashtu ç’regjistrimi me hyrjen në fuqi të ligjit, i bie të ketë efekt prapaveprues, sepse mosplotësimi i dokumenteve ndodh më vonë p.sh. sipas pikes 3 më lart, kur Gjyakta brenda 6 muajsh kërkon plotësim dokumentesh pas ndërtimit të regjistrit.
Neni 50
Shfuqizime
Me hyrjen në fuqi rë këtij ligji, ligji nr. 8789, datë 7.5.2001 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, dhe aktet ligjore e nënligjore që bien në kundërshtimi me këtë ligj shfuqizohen.
Neni 51
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Pershendetje!
Se pari si aktiviste e shoqerise civile ju pergezoj per kete nisme ligjore.
Problemi i shoqatave lokale ka ne thelb dy probleme qe kane veshtiresi instiucionale per tu realizuar ne kohe.
1. Regjistrimi i tyre, gje qe shikoj nje lehtesim objektiv me futjen e ketij ligji ne fuqi
2. Ndryshimin ne statut apo ne organet drejtuese qe gjenerojne ne rrjedhe kohore nje apo disa vjecare.
Persa i perket aksesit te regjistrit elektronik nga te gjithe aktoret kombetare dhe nderkombetare me duket e persosur per transparence, per monitorim apo edhe si nje forme info apo vule e punes sone, sidomos e shoqatave lokale te vogla . Nepermjet kesaj transparence ligjore besoj se na mundesohet berja te dukshem ne kete komunitet.
Pyetja qe do te ngrija : Ekspertet ligjore a mund te perfshijne brenda ketij ligji thjeshtesimin e procedures se ndryshimeve , brenda hapesires se lejuar ligjore?
Faleminderit
Ermelinda Myzeqari drejtuese e OJF:"MIL" Lushnje