"Siguri Biometrike në Shërbimet Noteriale", akses i sigurt i të dhënave të qytetarëve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/06/2016

“Siguri Biometrike në Shërbimet Noteriale”, akses i sigurt i të dhënave të qytetarëve

“SIGURI BIOMETRIKE NË SHËRBIMET NOTERIALE”, është shërbimi i ri i prezantuar ditën e sotme në një ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, si një bashkëpunim mes këtij institucioni, Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe shoqerisë SAFRAN Aleat

Gjatë ceremonisë së prezantimit të shërbimit të letërnjoftimin biometrik, të pranishëm ishin Z. Ylli Manjani, Ministër i Drejtësisë, Z. Michael Granoff, Kryetar i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (AAEF), Zj. Mimoza Sadushaj, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterëve si dhe Z. Jean Alain Jouan, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i shoqërisë SAFRAN Aleat.

Të pranishmit gjatë fjalës së tyre vlerësuan konkretizimin e kësaj nisme të ndërmarrë nga Ministri i Drejtësisë, si dhe mbështetën qëllimin kryesor të këtij bashkëpunimi me e-Aleat, i cili do të mundësojë përmirësimin e Regjistrit Noterial Shqiptar, në drejtim të aksesit të një informacioni të sigurt të të dhënave të qytetarëve.

Regjistrit Noterial Shqiptar, (që është një sistem i automatizuar i menaxhimit të akteve noteriale dhe proceseve të tyre), përmes këtij projekti të ri do t’i mundësohet integrimi me platformën e-Aleat dhe në këto kushte ai pëson një sërë funksionesh të shtuara sikurse:

  • Ndërveprim interaktiv dhe shkëmbim informacioni në kohë reale.
  • Rritje e nivelit të sigurisë për aksesim të regjistrit elektronik. Noterët do të aksesojnë sistemin RNSH (Regjistrit Noterial Shqiptar) nëpërmjet kartës së tyre të identitetit dhe/ose nëpëmjet shenjës së gishtit.
  • Regjistrimi i palëve të një akti noterial do të bëhet nëpërmjet shërbimit të letërnjoftimit biometrik. Sistemi garanton noterin për identitetin e palës nëpërmjet verifikimit të të dhënave të veta biometrike.
  • Procesi i identifikimit të palëve nga noteri bëhet në kohë fare të shkurtër. Të dhënat e shenjave të gishtërinjve janë identifikues unik të çdo personi.

Në fjalën e tij, në nisjen e këtij aktiviteti, ndër të tjera, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani theksoi se shërbime e kësaj natyre janë shumë të nevojshmë, sepse përndryshe do të ishtë e kotë që të flitet për sigurinë juridike, në një kohë që ajo mbetet në letër dhe në fakt e vetmja gjë që sigurohet në praktikë janë falsifikatorët dhe shkelësit e ligjit.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani gjatë aktivitetit “Siguri Biometrike në Shërbimet Noteriale”:

“Është një kënaqësi për mua që të shoh që një nga nismat e prezantuara që në fillim të marrjes së detyrës, për të bërë rritjen e sigurisë juridike tek zyra e noterit, për të bërë punën e identifikimit të menjëhershëm online të çdo shtetasi që kërkon të marrë shërbime juridike, të jetë sot e zbatuar të paktën në një fazë të parë.

Sot fillojmë me 20 lexuesit e parë, me 20 makina të vogla, të cilat identifikojnë qartësisht kartat e identitetit të çdo shtetasi që paraqitet tek zyra e noterit dhe nëse keni dyshime që kjo kartë është fallco, të paktën gishti, shenja e gishtit që jep informacion të drejtpërdrejtë të cilat vendosen tek pajisja, nuk ka më asnjë dyshim të mundshëm që personi ishte apo nuk ishte tek zyra e noterit. Kjo dilemë merr fund. Kështu njëherë e mirë me këtë projekt me këtë nismë, për të cilën do të falenderoj sigurisht Dhomën e Noterisë dhe aleatët të cilët bënë të mundur që kjo nismë të jetë krejtësisht e kontrollueshme dhe e realizueshme tashmë në kuptimin e plotë të fjalës. Cfarë të mirash ka kjo? Shenja e gishtit dhe prania e personit tek zyra e noterit është e regjistruar njëherë e mirë në Regjistrin Kombëtar të Noterisë, që gjendet këtu në Ministrinë e Drejtësisë. Tashmë prokurorët e shtetit nuk do të kenë nevojë të harxhojnë kohë, të shkruajnë letra pafund për të kërkuar prova dhe gjurmë, por do ta kenë të gatshme, sepse gjurma gjendet e ruajtur në database-in e Ministrisë së Drejtësisë. Është e mirë sigurisht të bëhet edhe shkëmbimi noterial, sepse çdo noter mund të marrë informacion nga noteri tjetër për çfarë ka ndodhur tek zyra përkatëse. Unë e di shumë mirë që shumë prej jush e duan këtë shërbim ta fillojnë që sot, por nuk duam që të nxitohemi.

Do filloj me 20 të parat lexime pilot që nesër në mëngjes dhe do jenë tek zyart e noterëve në Tiranë. Nuk e di kush do jenë 20 noterët e parë, besoj Dhoma ka bërë ndarjet e duhura, por në shtator do të kemi 120 dhe në fund të këtij viti do jenë 416 zyrat noteriale në të njëjtit shërbim publik.

Natyrisht me këtë projekt merr fund falsifikimi. Mua më vjen keq sigurisht, ashtu siç distancohem me forcë dhe me gjithë fuqitë që më jep ligji nga ajo pjesë e shërbimit noteral, që ka zgjedhur rrugën e falsifikimit, nëpërmjet rrugës së ligjit. Javën e shkuar u njoha me një praktikë të cilën po e heton prokuroria në Vlorë, të cilën sigurisht që sa më takon si Ministër Drejtësie në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterisë do bëjmë patjetër verifikimeve dhe ndërhyrjet e duhura ligjore.

Mbetem mbështetës i shërbimit të noterisë dhe mbetem një përkrahës i zgjerimit të shërbimit edhe për veprime të tjera juridike. Siç kemi bërë me regjistrin e dëshmive të trashëgimisë, të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe për zotësinë për të vepruar, për zotësinë juridike. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë dhe duhet ta bëjmë shpejt edhe me pjesën e shitjes, shitblerjes së autoveturave. Kjo është një database tjetër që administrohet nga Ministria e Transportit por që shumë shpejt do jetë pjesë e këtij aksesi, me qëllim që të shërbehet sa më shpejt. Kështu që nga zyra e noterit do të ketë vetëm shërbime të sigurta juridike dhe me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë noterëve, mbani parasysh këtë fakt:

Çdo akt noterial i juaji, përveç sipërmarrjes suaj private dhe marrëveshjes suaj private, ka brenda përgjegjësi publike. Shteti praktikisht është përgjegjës 100% për veprime juridike që ju legalizoni, që ju noterizoni. Dhe që shteti të ushtrojë këtë përgjegjësi po na ndihmon me këtë facilitet elektronik, me qëllim që të informojmë njëri tjetrin, me qëllim që të mbyllet njërherë e mirë historia e dokumentave noteriale të falsifikuara. Duhet të shkojmë akoma më tej nga stadi i zhvillimit ku jemi, ku disa prej veprimeve juridike të cilat shkojnë në gjykatë, e mbingarkojnë gjykatën. Ashtu siç mund të ketë fare mirë ndoshta dhe një ndërhyrje në kodin e familjes për çështjet e zgjidhjes së martesave, sepse projekt-kontrata apo projek-marrëveshja e zgjidhjes së martesës s’ka pse të jetë një projekt, mund të jetë një kontartë, mund të jetë një marrëveshje brenda gjithë vullnetit pozitiv të palëve dhe kështu lirojmë edhe gjykatën por i japin më shumë fuqi aktit noterial, të cilin, e theksoj, për shkak të ndërhyrjes në teknologji ne besoj se do ta sigurojmë.

Lexuesin elektronik të këtij shërbimi nuk do ta gjeni askund në Europë. Është një shërbim avangard, një shërbim që vjen për shkak të teknologjisë së informacionit, një shërbim që  vjen për shkak të investimeve që janë bërë në të shkuarën. Regjistrin noterial elektronik ne e kemi, ka vite që është në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk ka asnjë kuptim ta mbash këtë regjistër elektronik dhe të mos e përdorësh. Gjithë sfida jonë është që këtë shërbim noterial ta lidhim dhe me shërbime të tjera, ta lidhim dhe me databaset e tjera dhe do t’i japim absolutisht akses të gjithë atyre që duan ta lexojnë informacionin për arsye hetimore dhe për arsye verifikimi, por edhe për arsye parandalimi për gabime juridike, të cilat mund të ndodhin më shumë se një herë në zyra të ndryshme noteriale.

Në përfundim dua t’i uroj sukses çdo noteri në përdorimin e këtij shërbimi si dhe falenderoj sigurisht aktorët që kanë bërë të mundur të gjithë këtë sipërmarrje.

Shpresoj shumë në këtë dhe zhvillimin e bashkëpunimit në të ardhmen, sepse vërtet kemi nevojë për shërbime të kësaj natyre. Është e kotë që ne të flasim për sigurinë juridike, kur siguria juridike mbetet në letër dhe në fakt e vetmja gjë që sigurohet në praktikë janë falsifikatorët dhe shkelësit e ligjit. Ne këtë nuk e kemi pranuar, kështu që faleminderit që na ndihmoni për të kthyer në fakt të gjithë shërbimin ligjor që ju takon ju dhe t’ju uroj punë të mbarë”.