Shtet social - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 31/07/2018

Shtet social

Drejtësi miqësore për të miturit në kontakt me ligjin

Ndërgjegjësimi i të gjitha institucioneve shtetërore, por edhe shoqërisë civile mbi detyrimet që kanë në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti, ka qenë objekt i konferencës me temë “Forcimi i kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për të mitur”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë. Duke marrë fjalën në këtë konferencë, ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj tha se: “Drejtësia për të miturit është pjesë e rëndësishme e reformës unike dhe radikale që kemi ndërmarrë në sistemin e drejtësisë. Tashmë slogani i kësaj drejtësie të re është drejtësi miqësore për të gjithë të miturit në kontakt me ligjin, qofshin ata autorë, viktima apo dëshmitarë. Sipas ministres Gjonaj, qasja tek një drejtësi miqësore sjell në skenën e drejtësisë rolin aktiv që duhet të kenë shërbimet sociale në nivel vendor, pasi tashmë sistemi penitenciar është mundësia e fundit për të trajtuar një të mitur. Gjatë konferencës u dakordësua për një ndërhyrje ndërsektoriale dhe angazhim të të gjitha institucioneve si dhe për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen. Ndër to është restaurimi i zinxhirit mbrojtës për të miturin, aplikimi për herë të parë i programeve të drejtësisë restauruese me fokus të posaçëm ndërmjetësimin, këshillimin dhe edukimin si dhe ngritja e zinxhirit të Qendrave Multidisiplinare në bashkëpunim me pushtetin vendor.