SHPALLJE PËR SHPREHJE INTERESI TË SUBJEKTEVE TË INTERESUARA PËR TË REALIZUAR PROGRAMIN E DETYRUESHËM TË TRAJNIMIT PËR KANDIDATËT PËR NDËRMJETËS TË PASURIVE TË PALUAJTSHME - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/03/2024

SHPALLJE PËR SHPREHJE INTERESI TË SUBJEKTEVE TË INTERESUARA PËR TË REALIZUAR PROGRAMIN E DETYRUESHËM TË TRAJNIMIT PËR KANDIDATËT PËR NDËRMJETËS TË PASURIVE TË PALUAJTSHME

Me ligjin nr. 9/2022 “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme” dhe aktet nënligjore të nxjerra në funksion dhe për zbatim të tij, si një risi në legjislacionin shqiptar është rregulluar procedura për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme. Në ligj është parashikuar se kandidatët për ndërmjetës do të ndjekin një program të detyrueshëm trajnimi, i cili do të  zhvillohet për një kohëzgjatje prej jo më pak se 60 orësh dhe ka si qëllim aftësimin e tyre me njohuritë e duhura profesionale për ushtrimin e veprimtarisë e veçanërisht për të raportuar transaksionet e dyshimta me pasuritë e paluajtshme, të cilat mund të kenë si qëllim realizimin e pastrimit të parave ose financimin e terrorizmit, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

 

Me Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë nr. 619, datë 23.11.2022, “Për përzgjedhjen e institucioneve trajnuese për realizimin e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar me Urdhrin nr. 162, datë 09.02.2023, “Për një shfuqizim në Urdhrin nr. 619, datë 23.11.2022, të Ministrit të Drejtësisë, “Për përzgjedhjen e institucioneve trajnuese për realizimin e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme” është vendosur se institucioni i cili do të zhvillojë trajnimin e detyrueshëm për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme është KUB (Kolegji Universitar i Biznesit). Nga data 23.11.2022 deri më sot, KUB është institucioni i vetëm i cili zhvillon trajnimin e detyrueshëm për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme.

 

Në pikën 2, të nenit 9 të Ligjit nr. 9/2022, parashikohet se “2. Programi i detyrueshëm i trajnimit realizohet nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, nga institucione të arsimit të lartë të akredituara sipas ligjit ose nga shoqatat profesionale të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme pas miratimit nga ministri.” 

 

Ndërsa në urdhrin nr. 184, datë 04.05. 2022 “Për miratimin e rregullores së programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme” janë përcaktuar me detaje rregullat lidhur me përmbajtjen dhe organizimin e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, pjesëmarrjen në trajnim, kohëzgjatjen, mënyrën e zhvillimit dhe të kontrollit të njohurive, si dhe tarifat e trajnimit.

 

Ndër të tjera, në urdhër është përcaktuar se:

 

1.Programi i detyrueshëm i trajnimit fokusohet në zhvillimin e kompetencave profesionale të kandidatëve për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, aftësive praktike, si dhe vlerat etike të tyre, si më poshtë:

a) ngritja dhe forcimi i kapaciteteve profesionale mbi legjislacionin vendas dhe ndërkombëtar;

b) hartimi i akteve përkatëse në funksion të ushtrimit të kompetencave, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

c) respektimi i rregullave etike;

ç) përshtatja me rrethana dhe situata specifike gjatë ushtrimit të profesionit;

d) zhvillimi i aftësive në fushën e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme;

dh) zhvillimi i aftësive sociale;

e) zhvillimi i praktikave me institucionet e ndërlidhura me punën e tyre;

ë) zhvillimi i kapaciteteve hulumtuese, organizative dhe menaxhuese.

2.Kompetencat e mësipërme zhvillohen nëpërmjet moduleve të trajnimit, të përcaktuara në Aneksin nr.1, bashkëlidhur Rregullore e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, miratuar me Urdhër Nr. 184, datë 04.05.2022 të Ministrit të Drejtësisë, si dhe trajnimit praktik sipas detyrave të përcaktuara nga trajnerët.

3.Programi i detyrueshëm i trajnimit përbëhet të paktën nga temat mbi:

1.Kodin Civil;

2.legjislacionin për ndërmjetësimin e pasurive të paluajtshme;

3.legjislacionin për pasuritë e paluajtshme;

4.Kodin e Etikës Profesionale të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme;

5.legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;

6.të drejtën tregtare;

7.etikën profesionale;

8.tema të tjera të përcaktuara nga institucionet trajnuese në fushën e ndërmjetësimit te pasurive të paluajtshme.

4.Koha e zhvillimit të programit të detyrueshëm të trajnimit për përfitimin e njohurive profesionale, teorike dhe praktike në fushën e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme është për jo më pak se 60 orë.

 

PËR SA MË SIPËR, FTOJMË TË GJITHA SUBJEKTET E INTERESUARA TË PARAQESIN PRANË MINISTRISË SË DREJTËSISË SHPREHJET E INTERESIT BRENDA AFATIT 10 DITOR SË BASHKU ME MATËRIALET SHOQËRUESE TË PROGRAMIT TË DETYRUESHËM TË TRAJNIMIT QË DO TË OFRONI.

shpallje per shprehje interesi 11.03