Shërbimi Britanik i Burgjeve dhuron skanera për burgun e Fushë- Krujës - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/03/2016

Shërbimi Britanik i Burgjeve dhuron skanera për burgun e Fushë- Krujës

Shërbimi i Burgjeve të Mbretësisë së Bashkuar i dhuroi sot Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë dy pajisje skaner për kontrollin e hyrjes në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale Fushë- Krujë. Pajisjet me vlerë rreth 80 mijë euro do të përforcojnë elementet e kontrollit në këtë burg të sigurisë së lartë për nga kategoria, por edhe me një kapacitet të madh të burgosurish të akomoduar.

 

Në ceremoni ishin të pranishëm Ambasadori Britanik në Tiranë, z. Nicholas Cannon, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto. Të shoqëruar nga një ekspert anglez i burgjeve i atashuar pranë DPB, ata u njohën me disa të dhëna të përgjithshme të IEVP Fushë Krujë, si dhe me dy pajisjet e reja që u vunë menjëherë në funksionim.

 

Gjatë fjalës së hapjes me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, falenderoi Ambasadën Britanike që ka transmetuar një mbështetje të vazhdueshme të qeverisë britanike për vendin tonë në fushën e sigurisë dhe drejtësisë.

“E filluam këtë projekt nga Fushë- Kruja, duke patur në vëmendje jo vetëm kategorinë e personave që vuajnë dënimin në këtë institucion, por edhe nevojën për të përmirësuar infrastrukturën.”– tha ndër të tjera Zoto. Më tej, ai i njohu të pranishmit me mjediset e institucionit dhe situatën konkrete në aspektin e sigurisë.

 

Në vazhdim, Ministri Manjani mbajti një fjalë përshëndetëse të rastit dhe u shpreh, se me gjithë punën e mirë të bërë në drejtim të forcimit të sigurisë në sistemin e burgjeve nga aktorët e brendshëm, sërish nevojitet kontributi i ekspertëve të huaj dhe qeverive të shteteve partnere europiane për të mundësuar një performancë të standardeve ndërkombëtare në aspektin e sigurisë edhe në Shqipëri.

 

“Ne i jemi mirënjohës qeverisë britanike për asistencën që na ofron në sistemin e burgjeve. Sot inauguruam dy skanera të kontrollit të sigurisë. Janë skanera të nivelit shumë të lartë teknik dhe që na ndihmojnë për të rritur kontrollin dhe cilësinë e sigurisë. Nuk është fillimi, në fakt, pasi kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm të një ekipi profesionistësh që na asiston. Në këtë mjedis, që është relativisht i ri, kemi një kontribut të shtuar me skanerat e sigurisë. Edhe njëherë mirënjohje për mbështjetjen e jashtëzakonshme që qeveria britanike na jep lidhur me reformën në institucionet penitenciare. Falenderova ambasadorin dhe e ftova që të bashkëpunojmë edhe më ngushtë në të ardhmen.”– theksoi z. Manjani.

 

Ndërsa Ambasadori Cannon, nga ana e tij, u ndal në vlerësimin e bashkëpunimit të deritanishëm mes dy vendeve tona në fushën e sigurisë, në kuadër të reformës së ndërmarrë në sistemin e drejtësisë.

 

“Jam shumë i kënaqur që m’u dha mundësia të jem sot këtu me z. Ministër. Dhurimi i këtyre pajisjeve është një nisje simbolike për një projekt shumë më madhor në të ardhmen. Ne mendojmë se reforma e nisur nga z. Ministër dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve janë në rrugën e duhur dhe prandaj jemi shumë bashkëpunues dhe duam që t’i mbështesim. Për këtë arsye, reforma në sistemin penitenciar  është pjesë e një reforme të madhe sikurse reforma në drejtësi dhe kjo është me interes jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për partnerët dhe qeverinë britanike.”- nënvizoi Ambasadori Cannon.