Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka prezantuar gjatë fjalës së tij në kuvend, disa nga risitë kryesore të Kodit të Procedurave Administrative.
Z. Naço theksoi gjatë fjalës së tij se qëllimi kryesor i këtij projektligji është që t`i sigurojë administratës publike kapacitetin ligjor për të zgjidhur paqartësitë dhe konfliktet lidhur me situatat faktike dhe ligjore në mënyrë sa më efiçiente, duke respektuar sundimin e së drejtës.
Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Naço gjatë seancës plenare në kuvend:
Projektligji që po shqyrtojmë sot për votim është shprehje e profesionalizmit të ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe vullnetit të qeverisë, e cila pas nje pune intensive, analizoi, miratoi dhe e dërgoi për shqyrtim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë këtë projektligj, si një hap progresiv për ndërtimin e një administrate të pavarur dhe efikase.
Në fokusin e angazhimeve politike të qeverisë ka qenë dhe është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit me publikun, për ta rikthyer nëpunësin e administratës në shërbim të qytetarëve.
Qëllimi kryesor i projektligjit “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, është që t`i sigurojë administratës publike kapacitetin ligjor për të zgjidhur paqartësitë dhe konfliktet lidhur me situatat faktike dhe ligjore në mënyrë sa më efiçiente, duke respektuar sundimin e së drejtës.
Njëkohësisht ky projektligj krijon një siguri më të lartë për qytetarin, duke i garantuar atij mjetet e nevojshme, për të mbrojtur dhe kërkuar të drejtat e tij.
Ky Kod i ri do të ketë impakt shumë pozitiv, jo vetëm për organet publike në ushtrim të funksioneve të tyre, por mbi të gjitha për qytetarët, pasi përcjell frymën e një administrate publike të hapur, transparente dhe në shërbim të qytetarit.
Projekligji synon t`i sigurojë nga njëra anë, adminitratës publike një procedurë administrative të shpejtë dhe efektive, ndërsa nga ana tjetër t`i sigurojë qytetarit mjetet e duhura e të nevojshme për të mbrojtur dhe kërkuar të drejtat e tij, qëllime që gjejnë në vlerësimin tonë, shprehjen më të mirë në projektligj.
Ministria e Drejtësisë ka hartuar këtë Kod në bashkëpunim me misionin SIGMA dhe me asistencën teknike të Bashkimit Evropian.
Sipas raportit të fundit të progresit për Shqipërinë, të mundësuar nga Komisioni Evropian, reforma në administratën shtetërore përbën një prioritet kyç dhe për këtë nga partnerët tanë është vlerësuar se miratimi i ligjit për procedurat administrative është domosdoshmëri.
Gjithashtu, miratimi i këtij kodi është përfshirë edhe në një nga kërkesat e pesë prioriteteve të udhërrëfyesit për integrimin e vendit tonë në BE.
Përfitoj nga rasti për të falënderuar ekspertët e SIGMA-s për përkushtimin e treguar dhe ndihmën e dhënë në finalizimin e këtij projektligji, si dhe Komisionin për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, për procesin serioz të konsultimit që zhvilloi për këtë ligj kaq të rëndësishëm, duke dhënë një kontribut të vlefshëm për një ligj sa më cilësor, në përputhje me standartet më të mira dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.
Dua të theksoj se hartimi i këtij projektligji është bazuar edhe në një ndër parimet më të rëndësishme të teknikës legjislative, e konkretisht harmonizimit të një projektligji me kuadrin ligjor në fuqi.
Konkretisht, është patur në konsideratë unifikimi i Kodit të Procedurave Administrative me ligjet e reja të miratuara në këtë fushë si:
Por përse lindi nevoja për një kod të ri?
Nga viti 1999, moment ky kur u miratua kodi aktual i procedurave administrative, legjislacioni i vendit, ka pësuar shumë ndryshime dhe ka ardhur gjithmonë në përmirësim, duke ju përshtatur gjithmonë e më shumë akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit të vendeve të bashkimit europian.
Në këtë mënyrë është vlerësuar dhe ndryshimi i Kodit aktual të procedurave administrative, qoftë në riformulimin e tyre nga pikëpamja e teknikës legjislative, qoftë nga pikëpamja substanciale,
Në përmbajtjen e tyre me të drejtë u vlerësua se hartimi i një Kodi të ri do të ishte shumë herë më e përshtatshme, kjo edhe për shkak se janë shtuar një sërë dispozitash të reja, që e bëjnë të pashmangshme nevojën për një kod të ri.
Kjo siguron koherencën dhe garantimin e sigurisë ligjore, parim tejet i rëndësishëm kushtetues, si dhe veçanërisht në drejtim të konsolidimit të parimeve bazë të shtetit të së drejtës të përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe efiçiencës.
Transparenca dhe siguria ligjore në vendimmarrje, si dhe standardet e legjislacionit cilësor, kërkojnë një sistem koherent dhe të unifikuar të procedurave administrative.
Një uniformitet i tillë gjithashtu do të ulte kostot administrative, përshpejtonte vendimet administrative dhe mbi të gjitha do të rriste efektivitetin dhe efikasitetin e administratës publike.
Përmbajtja e të gjitha rregullave proceduriale në të njëjtin ligj, është më e përshtatshme për nëpunësit e organeve publike edhe për qytetarët.
Për këto arsye lindi nevoja për propozimin e një Kodi të ri, në vend të një ligji amendues i cili bie në kundërshtim me misionin që i atribuohet kësaj reforme sikurse është përmirësimi i efiçencës së ligjit që normon procedurat administrative në vendin tonë.
Një ligj amendues i pjesshëm do të shkaktonte konfuzion dhe do të cënonte drejtpërdrejt parimin e sigurisë juridike.
Risitë që sjellë Kodi i Ri:
në kuadër të një procedimi administrativ, si dhe parimin e dhënies së ndihmës aktive të organit publik ndaj qytetarit.
Pajtimi është një proces që synon zbutjen e shoqërisë në raport me problematika të caktuara që mund t`i lindin me administratën publike, me qëllim final për ta orientuar qytetarin drejt zgjidhjes së konfliktit me pajtim, si mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe që mbart tejet elementë pozitivë, qoftë në edukimin e shoqërisë por edhe të vetë administratës.
Njoftimi trajtohet në një pjesë më vete.
Fusha e zbatimit e sistemit të ri të njoftimit është më e gjerë se ajo e parashikuar në Kodin aktual.
Dispozitat e kësaj pjese përmirësojnë situatën e palëve pjesë të një procedure administrative, personave apo palëve të përfshira në procedurë dhe organit publik.
Kjo pjesë rregullon fazën e fundit të procedurës administrative,
ekzekutimin e një akti administrativ që nuk është zbatuar në mënyrë vullnetare.
Eshtë shumë e rëndësishme për sundimin e së drejtës që vendimet administrative të ekzekutohen, sepse në këtë mënyrë arrihet në një ekuilibër midis interesave të palëve për një procedurë të drejtë të ekzekutimit dhe interesat e administratës publike për një procedurë administrative të shpejtë, efektive dhe eficiente.
Projektligji thekson rëndësinë e parimit të proporcionalitetit në ekzekutimin e aktit administrativ, që do të thotë se aktet administrative do të ekzekutohen në mënyrën dhe mjetet e ekzekutimit, të cilat garantojnë ekzekutimin duke shkaktuar dëmin më të vogël të mundshëm ndaj të drejtave dhe interesave të ligjshëm të subjektit, ndaj të cilit kryhet ekzekutimi.
Risitë e këtij projektligji janë të shumta dhe do të duhej shumë kohë për t`i renditur ato. Jo rastësisht, është parashikuar që hyrja në fuqi i këtij Kodi të bëhet 1 vit pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Kjo për t`i mundësuar administratës dhe qytetarit njohjen me këtë Kod. Ky afat do të shërbejë për të përgatitur administratën për zbatimin gradual të ligjit, përmes zhvillimit të trajnimeve intensive dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese mbi kuadrin e ri ligjor, apo përgatitjen e një Manuali apo Komentari për dispozitat e ligjit të ri, ku të jepen shpjegime të hollësishme praktike.
Ajo që me bindje mund t`ju them, është se kjo qeveri sot po mban një premtim të dhënë qytetarëve duke i ofruar të dy palëve si administratës publike dhe qytetarit një paketë të plotë rregullash dhe procedurash administrative, të cilat forcojnë parimin e përgjegjshmërisë në administrimin publik, duke sjellë pashmangshmërisht rritjen e cilësisë së shërbimit.
Të gjitha organet publike duhet të sigurojnë realizimin efektiv të detyrave publike në shërbim të qytetarit dhe në mbrojtje të të drejtave civile.
Administrata duhet të fokusohet te qytetari, sepse ky është misioni i saj.
Nëpërmjet këtij Kodi të ri ne krijojmë bazën e shëndoshë ligjore për vënien në jetë të këtij detyrimi dhe krijojmë mjetet për zbatueshmërinë sa më të mirë të tij.
Në përfundim të fjalës sime si Ministër i Drejtësisë, shpreh dhe një herë kënaqësinë që sot një premtim i dhënë bëhet realitet dhe për gjithë sa parashtrova më sipër, Ju ftoj ta votoni këtë projektligj, që do të shërbejë si një burim i shërbimeve cilësore të administratës për qytetarin, si dhe do të bëjë të zbatueshëm në praktikë parimin e mirë administrimit.
Falenderoj sërish ekspertët e SIGMA-s, ekspertët e misionit Euralius, për përkushtimin që kanë treguar për të patur një kod të standarteve europiane, Komisionin e Ligjeve dhe këshilltarët ligjorë të këtij komisioni dhe veçanërisht, relatorin e projektligjit, z. Subashi, për punën e tij.
Falenderoj dhe deputetët e opozitës, për votën pro ndaj këtij projektligji, gjatë miratimit në tërësi të tij në Komisionin e Ligjeve.
Besoj nuk do të mungojë vota e tyre pro, edhe gjatë kësaj seance, duke mundësuar kështu një kod të ri të procedurave administrative, me në fokus qytetarin.
Uroj që një bashkëpunim i tillë të shoqërojë dhe reformën në sistemin e drejtësisë!
Sot shpresoj të kemi një lajm të mirë për klasën politike shqiptare, ku interesi i përgjithshëm të prevalojë mbi interesin personal dhe ky kod të marri edhe votat e opozitës, ashtu sikurse do të ishte në të mirë të proceseve reformuese te sistemit të drejtësië, ku gjithëpërfshirja ka një rëndësi të madhe!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.