Riintegrimi i të miturve, Ministri Manjani takon përfaqësuesen diplomatike të UNICEF - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/04/2016

Riintegrimi i të miturve, Ministri Manjani takon përfaqësuesen diplomatike të UNICEF

 

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka pritur sot në takim zj. Antonella Scolamiero, përfaqësuese diplomatike e UNICEF në vendin tonë (Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët).

Ndër të tjera gjatë këtij takimi është diskutuar mbi nevojën për riintegrimin pas lirimit të të miturve të burgosur apo që ndodhen në Shërbimin e Provës, për gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme që këta të rinj të mund të shndërrohen në qytetarë të dobishëm për shoqërinë, pavarësisht rrethanave dhe shkaqeve të mëparshme që i kanë vendosur në konflikt me ligjin.

Ministri Manjani bëri edhe njëherë prezent qendrimin e tij se për të miturit zgjidhja më e mirë mbetet edukimi, i cili duhet ofruar në të gjitha format e mundshme, madje edhe në kushtet e privimit të lirisë.

Edukimi u vlerësua nga ana e z. Manjani si një parakusht për përgatitjen e këtyre të rinjve në përballimin e jetës përtej burgut dhe rikthimin sa më të lehtë në jetën sociale.

“Çdo alternativë tjetër përtej izolimit do të ishte zgjidhje optimale, por veçanërisht orientimi i tyre drejt arsimit profesional dhe zanateve, do të kishte një ndikim mjaft pozitiv. Në këtë aspekt të gjitha organizatat që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sferë, duhet të ishte me interes të mblidhen në një koalicion që do të mund të promovonte pikërisht mesazhin për rëndësinë e edukimit”, theksoi z. Manjani

Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se arsimimi është një komponent me mjaft rëndësi që duhet përfshirë në të gjitha strategjitë dhe projektet që lidhen më këtë fushë.

Zj. Scolamiero theksoi se duhet treguar mjaft kujdes për shmangien e stigmatizimit të këtyre të miturve, ndërsa një vëmendje e veçantë duhet treguar edhe ndaj faktorëve që i kanë shtyrë këta të mitur drejt sjelljeve devijante.

Përfaqësuesja e UNICEF në vendin tonë vlerësoi se problematika duhet analizuar që në rrënjë, pra në zanafillën e saj dhe kjo lidhet kryesisht me kushtet e jetës së të miturit si dhe të gjithë faktorët e tjerë social që e shtyjnë drejt krimit.

Zj. Scolamiero evidentoi një sërë metodologjish të aplikuara në disa shtete, të cilat kanë qenë mjaft rezultative, ndërsa Ministri Manjani shprehu mbështetjen e tij për çdo nismë të UNICEF që ka në fokus programet edukative ndaj të miturve dhe të rinjve.