Rezultatet e luftës antikorrupsion - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/09/2018

Rezultatet e luftës antikorrupsion

Kallëzime penale dhe masa disiplinore për zyrtarët e administratës

Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i padiskutueshëm dhe mekanizmi antikorrupsion i ngritur nga Qeveria po jep rezultate shumë të mira. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj njëkohësisht Koordinatore Kombëtare Antikorrupsion, ka publikuar në mënyrë periodike rezultatet e Task Forcës Antikorrupsion, e cila ka verifikuar me intensitet të lartë të gjitha denoncimet e qytetarëve përmes platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al.

Vetëm gjatë periudhës korrik-shtator, Task Forca ka rekomanduar 81 masa disiplinore, nga të cilat 18 largime nga puna si dhe 15 ndjekje penale për zyrtarë të administratës publike në qytete si Tirana, Durrësi, Fieri e Shkodra.

Për periudhën korrik-gusht, siç ka bërë me dije ministrja Gjonaj në raportimin e saj, janë kryer kontrolle dhe inspektime në institucione si ALUIZNI në Tiranë e Fier, ZRPP-ja, Fier, Spitali Rajonal, Durrës, ISHPSHSH-ja, Fier, Drejtoria Tatimore, Fier, ku janë marrë 60 masa disiplinore dhe 8 kallëzime penale për drejtues, ish-drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore.

Ndërsa gjatë muajit shtator, Task Forca Antikorrupsion e ka përqendruar veprimtarinë e saj me inspektime të detajuara në disa institucione të rrethit të Shkodrës si: ZVRPP-ja, ALUIZNI, Spitali Rajonal, ARRSH-ja nga ku në përfundim të inspektimeve u rekomanduan 21 masa disiplinore, prej të cilave 9 largime nga puna dhe 8 kallëzime penale për drejtues, ish-drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore.