Reforma në Drejtësi, kërkesë e qytetarëve të lodhur nga drejtësia e korruptuar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/05/2018

Reforma në Drejtësi, kërkesë e qytetarëve të lodhur nga drejtësia e korruptuar

Reforma në Drejtësi, kërkesë e qytetarëve të lodhur nga drejtësia e korruptuar

Njësitë administrative Levan dhe Frakull në qarkun e Fierit, ishin ndalesat e radhës së Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në kuadër të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”. Bashkë me kryetarin e bashkisë, deputetët e zonës dhe gjithë drejtuesit e drejtorive qendrore e vendore, ministrja ka dhënë llogari për punët e kryera, por edhe për çfarë do të bëhet akoma në këtë mandat qeverisës.

“Folëm për Reformën në Drejtësi, si një kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë lodhur për dy dekada e gjysmë nëpër dyert e gjykatave nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Rezultatet e kësaj reforme i siguruan Shqipërisë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit për në BE”, është shprehur Ministrja Gjonaj në një prononcim pas takimeve.

Reforma e pronës, për të cilin kishte një interes të veçantë nga banorët, është një tjetër prioritet i Qeverisë. Ministrja i ka siguruar banorët se brenda mesit të vitit 2019 do të regjistrohen të gjithë titujt e pronësisë që lidhen me tokat bujqësore dhe po ashtu do të ngrihet Agjencia e Integruar e Tokave. Kështu qytetarët nuk do të sorrollaten më nga njëra zyrë në tjetrën për legalizimin dhe për regjistrimin e shtëpive të tyre, por do jetë Agjencia që do kujdeset për dokumentacionin e nevojshëm.

Investimet ishin një tjetër temë diskutimi. Përfaqësuesit e pushtetit qendror dhe lokal kanë thënë se Qeveria ka kryer një sërë investimesh strategjike, e njëkohësisht dhe për 6-mujorin që vjen, deri në fund të 2018-ës, do të kryhen investime në shkolla, në qendra shëndetësore, por njëkohësisht edhe në infrastrukturë dhe në rrugë, si dhe në ndërtimin e hekurudhave të reja, siç është ajo Tiranë-Durrës.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe zv. ministri i Bujqësisë, Ilirjan Halilaj iu shpjeguan fermerëve të këtyre zonave masat që do të merren për zgjidhjen e problemit të përmbytjeve të tokave bujqësore, por edhe  për azhornimin e tyre, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturave bujqësore.

Ministrja Gjonaj i ka ftuar të gjithë banorët që t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al për problemet dhe shqetësimet që ata kanë me institucionet e administratës publike, pasi aty do të marrin përgjigje brenda 10 ditësh.