Reagimi mbi rastin “Konjari”, Ministri Manjani: Ndjesë publike autoriteteve franceze - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/03/2016

Reagimi mbi rastin “Konjari”, Ministri Manjani: Ndjesë publike autoriteteve franceze

Ministri Manjani i është përgjigjur ditën e sotme interesit të medias lidhur me shqetësimin e përcjellë nga autoritet franceze referuar vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që vendosi lirimin e shtetasit Domart Konjari, i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale si dhe përfshirjen në një seri veprash të tjera penale në shtetin francez.

“Kërkoj një ndjesë publike pavarësisht që nuk më takon mua në kuptimin ligjor, por sidoqoftë ndjesën duhet ta kërkojmë si shtet, si komb si shoqëri, që kemi ende luksin të diskutojmë vlefshmërinë, juridiksionin apo legjitimitetin e gjykatave franceze, të cilat në kuptimin e besueshmërisë dhe funksionimit  janë gjykata me super standard. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë. Kam biseduar me Ministrin e Brendshëm, me autoritetet e Policisë së Shtetit, me Prokurorin e Përgjithshëm, për të gjetur të gjithë zgjidhjen e nevojshme. Sigurisht që Ministri i Drejtësisë i ka mundësitë ligjore të kufizuara, sepse procedimi disiplinor që mund të nisi  lidhet vetëm më çështje proceduriale. Pra Ministri mund të mos jetë dakort me thelbin e vendimit por nuk është autoriteti që e ndryshon. Patjetër që është detyra ime të inspektojë për çdo gjë. E kam thënë dhe kam vullnet të fort që të inspektoj çdo çëshjte e cila shfaqet si shqetësim në opinionin publik, ashtu siç shfaqet edhe si shqetësim i bashkëpunimit në qeveritë partnere. Ministri i Drejtësisë është autoritet ligjor ekskluziv që rregullon marrëdhëniet juridiksionale, merret me këtë marrëdhënie me qeveritë e vendeve të tjera”, theksoi z. Manjani