Raportimi i Ministrit Manjani në Komisionin e Ligjeve mbi inspektimet në prokurori - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/04/2016

Raportimi i Ministrit Manjani në Komisionin e Ligjeve mbi inspektimet në prokurori

Komisioni për Çështjet Ligjore ka shqyrtuar gjatë mbledhje së ditës së sotme Raportin Vjetor të Ministrisë së Drejtësisë për inspektimet në prokurori.

I pranishëm gjatë kësaj seance, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani komentoi disa nga gjetjet kryesore të këtij raporti, ndërsa bëri një analizë më të detajuar të problematikave, të cilat janë bërë shkak edhe për mungesën e efiçencës së këtij shërbimi ndaj disa çështjeve të caktuara.

Ministri Manjani është ndalur në disa probleme që janë vënë re, ndërsa vlerësoi se është me rëndësi fokusimi tek këto probleme, lidhur kjo edhe me faktin që këtë vit pritet të ndodhin ndërhyrjet më të thella të programuara ndonjëhërë në historinë e shtetit shqiptar, në kuadër rë reformës në drejtësi.

Ministri Manjani sqaroi se gjatë periudhës së inspektimit, kontrolli i ushtruar në prokurori ka qenë i planifikuar ose me ankesë. Sipas z. Manjani, ankesat për këtë shërbim në Ministrinë e Drejtësisë, janë të një numri të lartë, në krahasim me ankesat që lidhen më gjyqësorin, gjë që reflekton besimin e ulët të publikut tek ky shërbim, të paktën në perceptim sepse shpesh konkluzioni pas verifikimit të ankesave ndryshon.

“Më duhet të them se në shumicën e rasteve verifikimi i ankesës nga ana jonë nuk rezulton në provimin e ankesës që ka pasur ankuesi”, sqaroi z. Manjani

Z. Manjani bëri me dijë se janë tetë prokurori në vend të inspektuara në mënyrë tematike, ashtu sikurse janë verifikuar edhe ankesa konkrete, për rreth 2000 procedime penale gjatë vitit.  Për të kuptuar se çfarë realisht ndodh, Ministri Manjani raportoi se janë inspektuar pothuajse 32 prokurorë në shkallën e parë duke përfshirë prokurorinë e Matit,  Lezhës, Pogradecit, Kavajës, Elbasanit, Korçës dhe Vlorës.

“Unë nuk mendoj se është realisht tregues sasia e inspektimeve se sa gjetjet. Janë rekomanduar edhe masat disiplinore, sepse kjo është detyra e Ministrit të drejtësisë, por përsëri them se nuk është kjo më e rëndësishmja”, tha Ministri Manjani

Ndër problemet me kryesore të sjella në vëmendjen e Komisionit për Çështjet Ligjore nga ana e z. Manjani fokusi u vendos në rritjen e efiçencë në ndjekjen penale, krijimin e një modeli të prokurorit aktiv, përdorimi i gjykimit të drejtpërdrejtë, etj

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore:

“Ajo që vihet re është se nëse nisemi nga një e dhënë statistikore, në shërbimi penitenciar të Shqipërisë, më shumë se gjysma e personave të izoluar janë ende në paraburgim, që do të thotë se për shkak të ndjekjes penale dhe presionit tepër të lartë që ne bëjmë për të ushtruar ose marrë masa sigurie të arrestit me burg, ne mbajmë në burg më shumë njerës të padënuar se sa të dënuar më vendim të formës së prerë dhe kjo nuk tregon për një efiçëncë në ndjekjen penale, ndaj dhe është momenti për të thënë në raportin e punës së prokurorisë.

Nuk është fjala për të vënë gishtin e fajësisë në një institucion apo tjetër, por në tërësi ndjekja penale nuk është efiçëntë sepse insistojmë që të izolojmë në burg gjithkënd dhe për gjithçka dhe pastaj ku vjen momenti tek gjykimi aty ngecim edhe nga pikëpamja statistikore por jemi ndoshta edhe shume borxhlinj edhe në pikëpamjen e të drejtave të njëriut.

Së dyti, ka një konfuzion të vënë re në vitet e fundit veçanërisht, për një keqinterpretim të pozitës juridike të personit nën hetim me personin e akuzuar dhe kjo është një gjë që sjell komplikim, shtuar edhe faktin që regjistrimi ose mosregjistrimi i çështjes penale për emër konkret fillon dhe e komplikon shumë interpretimin e Kodit të Procedurës Penale që do të thoja se është bërë shumë i gjerë, në lidhje me këto koncepte e cila e vendos në vështirësi llogaritjen e afateve hetimore për çdo person ndaj të cilit ngrihet akuzë ose nuk ngrihet akuzë por mbahet nën hetim dhe fundi i kësaj historie është që, shtuar edhe masat e sigurimit personal, duhet të jetë një çështje që duhet trajtuar mirë, në kuadër të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, që të paktën këtë vit duhet ta kemi zgjidhur.

Së treti, ka shumë raste kur duhet të përdoret gjykimi i drejtpërdrejtë, ku për vepra penale për të cilat bëhet ndalimi, shoqërimi apo edhe arrestimi në flagrancë, nuk ka asnjë kuptim mbajtja në paraburgim. Pra nëse dikush është arrestuar për armëmbajtje pa leje është arrestuar mbi bazën e një fakti dhe ky person duhet të shkojë direkt në gjyq, sepse ose është kapur me një fakt ose fakti nuk ekziston dhe ai del nga burgu. Kjo nuk është thjesht një çështje statistikore por një çështje e efiçencës së ndjekjes penale. Çdo shtet duhet që ndaj çdo qytetari të provojë fajësinë dhe t’i thotë se për fajin që ke bërë do të ndëshkohesh. Pra gjykimet e drejpërdrejta kanë qenë dhe mbeten një nga sugjerimet e mia dhe të qeverisë, që t’i shtojmë gjykimet e drejtpërdrejta në kuadër të rritjes së efiçencës.

Së katërti, çështja e masave të sigurimit, arrestit me burg është një çështje që sigurisht politika penale ka qenë e interesuar që të përdoret në masë dhe kjo është arsyeja në fakt në qoftë se e lidhim dhe me pozitën juridike të prokurorit, në mënyrë figurative, në mënyrën sesi është konceptuar problemi jonë i ndjekjes penale, i interpretuar gjerë ose ngushtazi, në gjithë këto vite, ne në fakt kemi krijuar një prokuror “dembel” dhe po e them në mënyrë figurative dhe jo detyrimisht për ta keqpërdorur, prokuror i cili rri në zyrë dhe pret çfarë sjell policia gjyqësore dhe mbi këtë bazë e çon në gjykatë, pa e vrarë shumë mendjen nëse ajo që çon në gjykatë është e provuar apo jo, prova është e fortë apo jo dhe pa bërë një plan gjykimi nëse çështja do të jetë e suksesshme në gjykatë apo jo. Dhe kjo ka bërë që në fakt të transferohet përgjegjësia nga hetimi i policisë gjyqësore tek gjykata, duke e lënë prokurorin disi në heshtje. Ky është një prokuror jo aktiv në thelb, është modeli i prokurorit që ne kemi krijuar dhe që unë besoj shumë që ne do ta ndryshojmë. Duhet ta ndryshojmë këtë rol të prokurorit të republikës në kuadër të reformës në drejtësi sepse ne na duhet një prokuror aktiv që del nga zyra, që gjëmon provën, që kryen hetime të drejtëpërdrejta. A e dini se kush është statistika e vitit të shkuar? Asnjë përqind e volumit të çështjeve, asnjë përqind nuk bëhet, është 0.38% të çështjeve, të volumit  të çështjeve që administron prokuroria dhe i ka marrë prokuroria t’i hetojë vetë. Pra as 1 % të çështjeve, që do të thotë se tregon, ekzakte atë që po them, një prokuror dembel, i krijuar në system.  Le të themi që e kemi krijuar të gjithë bashkë dhe që nuk i shërben fare rolit pro aktiv në gjykim. Ndërkohë kemi çështje të cilat janë ulëritëse, pra në mënyrë ulëritëse kërkojnë një prokuror aktiv, ta zëmë çështjet e korrupsionit. Nëse ka një perceptim të lartë për korrupsion, nëse ka shqetësime të opinionit publik për korrupsion nuk ka mënyrë tjetër më efektive sesa hetimi i prokurorit kryesisht. Le të mos presim që edhe kallëzimi të jetë mrekullia e botës, aq më tepër që në praktikën tonë publike duhet ta them këtë. Ne akuzojmë më shumë njëri tjetrin sesa prezantojmë prova publike, në këtë rast një prokuror aktiv në emër të interesit publik do të duhet të ishte shumë më hetues, shumë më kërkues, shumë më investigues, qoftë edhe për të sqaruar situata që krijohen nga vetë mjedisi politik, me qëllim që të paktën opinioni publik të ishte i qartë. Mbase gjatë hetimeve mund të dalin edhe prova të cilat mund të çohen në gjyq edhe zyrtarë shteti, por këtë duhet ta bënte dhe duhet ta bëjë sigurisht një shërbim i pavarur nga ekzekutivi, që është prokuroria. Dhe në këtë rast hetimi kryesisht, pra me inisiativë të prokurorisë është instrumenti juridik më i domosdoshëm që në fakt është përdorur shumë pak. Kjo ka qenë një nga vërejtjet tona që ne ia kemi bërë prezent edhe prokurorit të përgjithshëm dhe më vjen mirë që ka reaguar, të paktën publikisht.

Nëse duam ta bëjmë prokurorin të përgjegjshëm, ai duhet të ndjejë presionin që mund ta humbi gjyqin. Dhe e vetmja mënyrë që prokurori të ndjejë që mund ta humbi gjyqin është të lodhet shumë për ta gjetur atë provën dhe ta ekspozojë në sallën e gjyqit, jo paraprakisht tek gjykatësi dhe të vendosë në pozitë të disfavorshme palën tjetër, sepse kështu është ajo që thashë, e bën prokurorin inaktiv, çon ato prova që i sjell policia dhe e mbyll situatën, e transferon çështjen nganjëherë në mënyrë të padrejtë edhe tek gjykata e cila nuk bën zëdhënie publike, e cila nuk reagon dot për shkak të pozitës proceduriale dhe kështu fillon dhe krijohet pastaj perceptimi publik se diçka e rëndë po ndodh në sistemin gjyqësor. Në fakt ka gjëra të rënda që ndodhin në sistemin gjyqësor, unë nuk dua ti marr në mbrojtje aspak, por duhet të analizojmë fenomenin, me qëllim që të gjejmë zgjidhjet e duhura. Kështu që besoj se edhe ne me propozimet që do të bëjmë, të gjithë bashkë duhet ta analizojmë këtë gjë, që mirë është të ndërtojmë një sistem akuzator sa më të pastër të jetë e mundur ku gjykata të jetë arbitër, prokurori dhe avokati të jenë palë me pozita proceduriale të barabarta, ku secili ka akses në provën që do të paraqesë në gjyq dhe gjykata më pas vlerëson në sallën e gjyqit, dhe askund tjetër, në sallën e gjyqit, vlefshmërinë e provës dhe kështu i bën palët proaktive , i jep një rol dhe shumë më të fortë prokurorit, shumë më të fortë dhe avokatit të çështjes, dhe kështu pastaj vijmë tek gjykimi, tek standardet e gjykimit të drejtëpërdrejtë. Dua ta them që me ndërhyrjet që janë bërë ndër vite në Kodin e Procedurës Penale, besoj që nuk kanë qenë aspak të studiuara në këtë mënyrë, përkundrazi kanë krijuar këtë kakofoni, prandaj dhe kam thënë dhe kam qenë i bindur dhe jam i bindur për këtë gjë, që ne duhet të ndërtojmë absolutisht një kod të ri të procedurës penale përtej emergjencave që kemi, me qëllim që të ndërtojmë realisht një sistem efektiv akuzator të ndjekjes penale në vend, ku secili të bëjë rolin e vet procedurial ashtu siç duhet”, u shpreh z. Manjani