Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/01/2019

Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion

Rekomandimet e Transparency International, pjesë e politikave të qeverisjes, si parakusht për suksesin në luftën kundër korrupsionit

 

Konsolidimi i luftës kundër korrupsionit, përmes forcimit të strukturave antikorrupsion dhe marrjes së masave konkrete për kontrollin dhe evidentimin e çdo shkeljeje të ligjit apo abuzimit me detyrën, përbën prioritetin kryesor të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare.

Rezultatet e arritura deri tani nga strukturat antikorrupsion në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera ligjzbatuese, janë mjaft të mira dhe premtuese për ecurinë e mëtejshme të këtij prioriteti qeverisës.

Perceptimi i publikut lidhur me nivelin e korrupsionit në vend është sigurisht një nga objektivat e punës sonë, të cilit i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë, jo me retorikë politike por me reforma rrënjësore.

Ndryshimi i këtij perceptimi është një sfidë jo e lehtë, e lidhur ngushtë me trashëgiminë ndër vite të një sistemi, që më së shumti e ka stimuluar korrupsionin, se sa e ka luftuar atë por edhe më tej akoma me ngërçin politik që krijohet në mënyrë artificiale për të penguar rrugën e reformave të thella që kemi ndërmarrë tashmë.

Sidoqoftë, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, Këshillit i Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit i, i ka hapur rrugë ngritjes së SPAK-ut, e cila do të ketë të gjithë fuqinë ligjore për të hetuar dhe çuar përpara drejtësisë korrupsionin në nivelet më të larta të administratës dhe politikës, duke i dhënë kështu një stimul të ri edhe perceptimit të publikut lidhur me luftën dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2018 i botuar para dy ditësh nga Transparency International i cili mat nivelet e perceptimit për korrupsionin në sektorin publik në të gjithë botën, Shqipëria paraqitet me një rënie prej 2 pikësh.

Por trendi për të gjithë rajonin është në rënie lidhur me perceptimin e publikut për sa i përket luftës kundër korrupsionit për vitin 2018.

Disa nga rekomandimet kryesore për rajonin të dhëna në raport janë tashmë në zbatim si pjesë e politikave parandaluese të qeverisjes sonë si një parakusht për suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e perceptimit të publikut.

Në këtë raport i jepet meritë Shqipërisë lidhur me ndërmarrjen e një sërë reformash nga qeveria të cilat ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit, por që për shkak të bllokimeve herë pas here të politikës, zbatimi i tyre është vonuar.

Në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018 shprehet qartë se “me procesin e ri të vetimit të sistemit gjyqësor dhe tashmë me një kuadër institucional kundër korrupsionit gati të plotësuar, mbetet për të parë nëse Shqipëria do të përmirësojë pikësimin në të ardhmen”.  

Ndërkohë qeveria shqiptare vijon të zbatojë Strategjinë Ndërsektoriale Antikorrupsion 2015-2020 dhe planin e veprimit, të cilat përmbajnë masat parandaluese nga të gjitha institucionet për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.

Reforma shumë të rëndësishme që janë në zbatim, si Reforma në Drejtësi, reforma e  derregullimit, reforma për qeverisjen elektronike, reforma e shërbimeve, po bëhen të prekshme tashmë për qytetarët.

Zbatimi i reformës së drejtësisë dhe pastrimi nga radhët e drejtësisë i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar ka dhënë rezultatet e saj pozitive dhe vlen për t’u përmendur se është dhe shembull për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllimin e vetëm për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efektiv, parakusht ky i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Në mbështetje të kësaj reforme, e cila përputhet me standardet e BE-së, ngritja e strukturave të posaçme, pikërisht SPAK-u, si struktura përgjegjëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, do të japin gjithashtu garanci për luftën kundër korrupsionit dhe rezultatet konkrete të arritura do të ndikojnë pozitivisht edhe në rritjen e perceptimit të publikut.

Ngritja dhe funksionimi i strukturave të posaçme për hetimin dhe inspektimin administrativ siç është Task Forca Antikorrupsion në bashkëpunim me të gjitha organet ligjzbatuese kanë shënuar rezultate të larta në luftën kundër korrupsionit, ku vetëm për periudhën 8 mujore ka rekomanduar 327 masa administrative, 468 masa disiplinore (108 prej të cilave janë largime nga shërbimi civil/largime nga puna për punonjës të administratës publike që kanë shkelur ligjin) si dhe 36 punonjës të kallëzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, për korrupsion dhe  shpërdorim detyre.

Vlerësime pozitive lidhur me rezultatet e arritura deri tani, Shqipëria ka marrë edhe nga një sërë raportesh ndërkombëtare ku vlerësohet më së shumti zbatimi i reformës në drejtësi dhe masat e marra kundër korrupsionit.

Por ka ende shumë për të bërë!

Dhe ne do të vazhdojmë jo vetëm me zbatimin e reformave, por njëkohësisht edhe me përmirësimin e shërbimit dhe rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të punonjësve të administratës publike dhe kryesisht në ata sektorë që ofrohen shërbime ndaj qytetarëve.

Duke u rikthyer te raportimi i veprimtarisë së Task Forcës Antikorrupsion, më lejoni të theksoj se ka vijuar puna me kontrolle dhe inspektime në institucionet e administratës publike dhe zyrat që ofrojnë shërbime për qytetarët.

Pas një denoncimi të kryer në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, Task Forca Antikorrupsion ka kryer një kontroll të detajuar në Drejtorinë Rajonale Tatimore, Vlorë, për  verifikimin e procedurave të faturave tatimore të deklaruara me vonesë, të administruara në periudhën janar-tetor 2018 si dhe procedurat e rimbursimit.

Nga kontrolli janë evidentuar shkelje në praktikat e rimbursimit, siç janë:

 

  • Shkelja e afateve ligjore për kryerjen e rimbursimit;
  • Tejkalimi i afateve për dërgimin e raporteve përfundimtare të Kontrollit te subjektet e kontrolluara;
  • Mosrespektim i procedurës së miratimit dhe nënshkrimit të raporteve përfundimtare;
  • Abuzim me plotësimin e proces-verbaleve me objekt “Kontroll për verifikimin e punonjësve në ambientet e veprimtarisë ekonomike; Si dhe shkelje të procedurave për faturat tatimore të deklaruara të një subjekti.

 

Bazuar në shkeljet e konstatuara nga Task Forca Antikorrupsion janë rekomanduar 10 masa disiplinore prej të cilave:

 

  • Largimi nga shërbimi civil i Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Vlorë;
  • Largimi nga shërbimi civil i 3 inspektorëve kontrolli të po kësaj drejtorie;
  • Marrja e masave disiplinore për 6 punonjës, Drejtorin e Kontrollit, përgjegjësin e kontrollit dhe 4 inspektorë kontrolli.

 

Po ashtu, gjetjet e këtij raporti, Task Forca Antikorrupsion do t’i referojë në prokurorinë e rrethit gjyqësor, Vlorë, si material shtesë në vijim të kallëzimit të bërë në muajin korrik të vitit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në rekomandimet e TFA.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka vijuar angazhimin e saj institucional në identifikimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.

Gjatë javës së kaluar nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 18 raste të veprave penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, duke proceduar penalisht 27 autorë.

Dua të ritheksoj edhe një herë angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me masat e forta në drejtim të krijimit të një klime sa më mbytëse ndaj çdo tentative për korrupsion nga ana e drejtuesve dhe punonjësve të administratës publike dhe nga ana tjetër të inkurajimit të çdo qytetari për të denoncuar korrupsionin në të gjitha nivelet ku ai shfaqet.

 

Faleminderit