Qendrat sociale të Tiranës mjedise për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve në kontakt me ligjin - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/07/2018

Qendrat sociale të Tiranës mjedise për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve në kontakt me ligjin

 

 

Të miturit e Tiranës me probleme të lehta me ligjin, do të kenë mundësi të trajtohen pranë komunitetit të tyre, duke u angazhuar në programe të posaçme socializuese në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës.

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturve në konflikt me ligjin.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj tha se kjo marrëveshje krijon mundësi më bashkëkohore për trajtimin e fëmijëve që kanë probleme me ligjin, ndërsa theksoi se Tirana bëhet qyteti i parë që mundëson infrastrukturën e duhur për  këtë risi.

“Kjo qendër mund të konsiderohet si dallëndyshja e parë e një vargu qendrash sociale në Tiranë dhe në të gjitha bashkitë e tjera të vendit, ku të miturit me dënime alternative, do të kenë mundësinë të trajtohen, ashtu siç marrin shërbimin dhe trajtimin një kategori fëmijësh. Marrëveshja që po nënshkruajmë ka vlerën e gurit të themelit në një sistem të ri, krejtësisht bashkëkohor që ne jemi duke ndërtuar për drejtësinë për të miturit. Është një proces, i cili përbën një risi jo vetëm për vendin tonë, por njëkohësisht edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Gjonaj.

Sipas ministres së Drejtësisë, për herë të parë të miturit në kontakt me organet e drejtësisë trajtohen jashtë institucioneve të mbyllura, jashtë burgjeve, por në mjedise miqësore, ku do të kenë mundësi të korrigjohen, këshillohen, informohen dhe udhëzohen se si mund të përmirësojnë sjelljen, se si mund të riparojnë dëmin e shkaktuar.

“Marrëveshja e sotme çel siparin e një sërë marrëveshjesh të këtij lloji me bashki të tjera në të gjithë vendin, sepse bashkëpunimi i mirë me Bashkinë e Tiranës, në funksion të drejtësisë restauruese do të replikohet shumë shpejt edhe me bashki të tjera”, ka thwnw ministrja Gjonaj.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për Ministrinë e Drejtësisë që mundësoi një marrëveshje të tillë, duke theksuar se ajo do të sjellë një metodë të re në rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, përmes një qasje miqësore për të miturit.

“Jam i lumtur që i besuat Bashkisë së Tiranës, si institucioni i parë që eksperimenton dhe sjell një risi në pesë qendrat tona sociale, ku shumë prej atyre që sistemi i drejtësisë i konsideron se kanë kryer vepra të lehta, që mund të rehabilitohen fare mirë në qendrat sociale, të kenë mundësi ta bëjnë këtë këtu. Të rinjtë që ju do të referoni në shërbimet tona nuk do të jenë pjesë e ndonjë institucioni, jo të disa kangjellave, as të një hapësire me katër mure, por të një përvoje që fillon nga socializimi me këshilltarë e psikologë, tek puna me drejtues dhe mentorë në komunitet, që mund t’i përfshijnë në punë të tjera komunitare”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, qendrat sociale që funksionojnë në Tiranë kanë përvojën e duhur për ta fituar edhe këtë sfidë të re, duke u bërë model për bashkitë e tjera. “Kemi mundësinë që përmes këtij bashkëpunimi fantastik mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë së Tiranës të ndërtojmë një model të ri. Diçka që nis mirë në Tiranë është më kollaj të replikohet nga bashkitë e tjera”, tha ai.

Në bazë të marrëveshjes, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion të trajtimit dhe të rehabilitimit të të miturve në kontakt me ligjin, 5 qendra sociale multifunksionale dhe gjithë stafin e saj të punonjësve të njësive për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, punonjësve social dhe psikologëve.

Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit të Provës dhe institucioneve të zinxhirit që do të merren dhe do të trajtojnë të miturit, do të nisin menjëherë punën në realizimin e detyrimeve që rrjedhin prej kësaj marrëveshje dhe që kanë të bëjnë me referimin e fëmijëve me probleme me ligjin dhe mbikëqyrjen e këtij lloji të ri të rehabilitimit të tyre. Qëllimi kryesor i marrëveshjes është mbrojtja dhe garantimi i interesit më të lartë të fëmijës, integrimi, rehabilitimi dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë së Tiranës për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturve në konflikt me ligjin