Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10032 datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve” është miratuar sot në seancën e radhës së Komisionit të Ligjeve, ku i pranishëm për të evidentuar problematikat qe ky projektligj adreson si dhe risitë e tij, ka qenë edhe Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço.
Në fjalën e tij Ministri Naço theksoi se ky projektligj vjen në vazhdimësinë e një sërë reformave të cilat lidhen me rritjen e cilësisë në funksionimin e sistemit penitenciar në vendin tonë.
“Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10032 datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve” ka për qëllim krijimin e një shërbimi policor të burgjeve të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike,gjithmonë dhe në çdo rast, duke garantuar rendin dhe sigurinë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të të burgosurve.Duke patur në themel të këtij projektligji përputhshmërinë me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së, me bindje them se më së fundi, Policisë së Burgjeve po i jepet statusi që meriton, i cili e mbron më mirë, e përforcon dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme dhe në zhvillimin e perspektivës së karrierës”, u shpreh z. Naço
Gjithashtu z. Naço vlerësoi se duke pasur synimi kryesor arritjen e një shërbim policor profesional, ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”, do të shoqërohen padyshim dhe me ndryshimet e akteve nënligjore.
Kreu i drejtësisë shqiptare përmendi se disa nga ndryshimet e propozuara do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në procedurat e rekrutimit, përcaktimin e rregullave të njëjta për kushtet dhe procedurat e pranimit, garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve të punonjësve të policisë së burgjeve, etj.
Sipas Ministrit Naço projektligji do të ndikojë edhe në përmirësimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e policisë së burgjeve, përmirësimin e infrastrukturës në drejtim të këtij shërbimi nëpërmjet privatizimit të transportit për të dënuarit e sigurisë së ulët, përmirësimin e procedurave të punësimit, transferimit, dhe dhënien e masave disiplinore si dhe rregullimin e mënyrës së trajtimit financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Z. Naço garantoi se Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e e Burgjeve do të vazhdojnë bashkëpunimin me të gjithë aktorët e drejtësisë për kryerjen e reformave të rëndësishme në drejtim të krijimit në burgje të një shërbimi policor të qëndrueshëm, profesional dhe të bazuar në mëritë e integritet moral.
“Nëse kohë më parë oficeri i burgut ka patur rolin e një gardiani të thjeshtë, i cili ka qenë i nevojshëm vetëm për të mbajtur sigurinë mes të burgosurve, me ndryshimet legjislative për arritjen e modernizimit në sistemin penitenciar, sot lind nevoja e një rikonceptimi të figurës së tij. Roli i oficerit të burgut duhet përshtatur dhe rimodeluar mbi bazën e standardeve më të mira evropiane, të cilat diktojnë një rol aktiv të tij për ri-integrimin e të burgosurve në jetën sociale”, përfundoi Ministri Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.