Prezantohet Ministri i ri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/11/2015

Prezantohet Ministri i ri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani

Në nisjen e mandatit të tij, Ministri i ri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani është prezantuar sot zyrtarisht nga paraardhësi i tij z. Nasip Naço.

Në fjalën e tij në nisjen e ceremonisë së prezantimit, z. Naço ka falenderuar të gjithë stafin e Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të varësisë për bashkëpunimin dy vjeçar, ndërsa i ka dorëzuar Ministrit të ri një material me arritjet e deritanishme, si dhe me objektivat që janë në pritje të realizimit, referuar politikave të ndjekura nga Ministria e Drejtësisë.

“E nisëm punën  me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe në  ligjin “Për parandalimin e krimit të organizuar”, një nga ndryshimet kryesore të bëra në atë kohë. Ndërkohë, do vazhdojmë  me reformat e nisura për hir të stabilitetit ekonomik dhe politik, si dhe për të ecur në drejtimin e duhur në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Unë sot kam kënaqësinë për t’i lënë stafetën kolegut Ylli Manjani dhe jo pa qëllim kam marrë para jush të gjithë punën, arritjet dhe objektivat që keni por edhe ato mangësi që nuk arritëm dot t’i zbatonim në kohë. Besoj se puna do të vazhdojë atje ku e kemi lënë, në drejtim dhe në zbatim të programit të Qeverisë së kësaj maxhorance, e cila mund të them se do të vazhdojë të jetë e konsoliduar, në realizimin e të gjitha objektivave të saj”, u shpreh z. Naço

Ndërkaq, Ministri Manjani ka vlerësuar maksimalisht punën e bërë nga ana e z. Naço duke e cilësuar si mjaft të vlefshëm rolin që z. Naço ka patur në drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm.

“Ju keni qenë nderi dhe jeni ende nderi në drejtimin e fundit të një sektori mjaft delikat. Në Shqipëri shpesh herë gjërat komplikohen por unë besoj që në historinë e kësaj Ministrie dhe në historinë e Shtetit, ju do të mbaheni mend që keni drejtuar me një qetësi të jashtëzakonshme të gjitha sfidat që u janë vënë përpara dhe ja pse jemi sot këtu me këto arritje që ju dorëzoni. Kemi shumë nevojë për qetësinë dhe filozofinë tuaj në politikë, të cilat tregojnë qartësisht se ne kemi pasur njeriun e vendosur, të qartë dhe të drejtë në krye të Ministrisë së Drejtësisë”, theksoi z. Manjani

Ministri Manjani u ndal edhe në rëndësinë e aktualitetit që lidhet me daljen e raport – progresit për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë progres raport si Biblën e punës së tij.

“Unë nuk kam ardhur të ndryshoj prioritetet, ato janë në programin e Qeverisë. Kam ardhur këtu të shpreh vendosmërinë për të çuar më tej absolutisht të gjitha rekomandimet e progres-raportit. Bibla e punës sonë pa asnjë përjashtim është ai raport, nga A-ja tek Zh-ja. Nëse e bëjmë këtë, kemi arritur një mision të shenjtë për ta afruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Projekt më serioz se sa ky nuk ka dhe të gjitha të tjerat kalojnë në planin e dytë”, tha Ministri Manjani

Z. Manjani u shpreh se rekomandimet e progres raportit do të analizohen me realizëm, ndërsa theksoi se vëmendja do të vihet tek lufta pa asnjë kompromis ndaj korrupsionit.

“Atë që Ministri Naço ka nisur, ne duhet ta vazhdojmë dhe madje ta thellojmë. Nuk jemi institucion që japim drejtësi, jemi institucion që i shërbejmë drejtësisë. Ofrojmë shërbime juridike dhe që të ofrosh shërbime juridike ka vetëm një rregull, të qeverisim mirë, të drejtojmë mirë, me transparencë dhe të gjitha parimet e qeverisjes së mirë të cilat kemi për detyrë t’jua ofrojmë qytetarëve shqiptarë. Korrupsioni është armiku jonë kryesor”, u shpreh Ministri Manjani.

Gjithashtu z. Manjani e cilësoi procesin legjislativ si më të debatuarin sot për sot, gjë që është projektuar edhe në progres raport.

“Ne duhet të ndërhyjmë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për të garantuar një proces legjislativ maksimalisht transparent, largpamës por edhe të qëndrueshëm që të mos na ndodhi të ndërhyjmë në ligje ende pa hyrë në fuqi”, theksoi z. Manjani.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i ri i Drejtësisë z. Ylli Manjani i përcolli z. Naço mesazhin se profesionalizmi  i stafit që ai me shumë krenari i la sot, do të jetë edhe krenaria e tij.

*******

Ndërkohë, në minutat e para zyrtare të punës, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Majani është takuar në zyrën e tij me Ambasadorin e SHBA, z. Donald Lu dhe Ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin, të cilët kanë ndarë urimet për detyrën me kreun e ri të drejtësisë shqiptare, si dhe kanë garantuar mbështjen për vijimin e proceseve reformuese në forcimin e shtetit të së drejtës.

Për interesin e medias, në përfundim të takimit, Ministri Manjani është prononcuar mbi disa detaje lidhur me këtë takim.

“Biseduam se si do të bashkëpunojmë në të ardhmen për të përdorur të gjitha resurset e Ministrisë së Drejtësisë në reformën në drejtësi, e cila tashmë është një axhendë e nisur, një axhendë që ata e mbështesin dhe kjo gjë do të na ndihmojë, mua personalisht por edhe kolegët, që të ndërmarrim hapat që duhen për të reformuar shërbimin ligjor”, u shpreh z. Manjani

Ministri Manjani informoi se raporti i progresit për Shqipërinë ishte një ndër temat e diskutimit gjatë këtij takimi të parë, duke shprehur bindjen se ndjekja në mënyrë rigoroze e asaj që është thene në këtë raport do të jetë detyra e tij kryesore.