Prezantohet kreu i ri i ZVRPP Fier, Ministri Naço: Qytetarët të denoncojnë abuzimet - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/01/2015

Prezantohet kreu i ri i ZVRPP Fier, Ministri Naço: Qytetarët të denoncojnë abuzimet

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka prezantuar ditën e sotme kreun e ri të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier, z. Gani Bendo.

Gjatë takimit prezantues me stafin e kësaj zyre, Ministri Naço deklaroi se çdo vendimmarrje kryhet në kuadër të thellimit të reformave që po ndërmerr qeveria, ndërsa i ftoi qytetarët që të denoncojnë rastet abuzive në këtë zyrë.

“Do të ketë lëvizje dhe ndryshim të çdo drejtuesi të këtij sistemi që nuk i përgjigjet projekteve dhe punës që kërkon kjo qeveri në shërbim të qytetarëve. Keni një detyrë shumë të rëndësishme e cila i vjen drejtpërdrejtë në ndihmë qytetarëve të cilët duke menduar se shpesh do të enden nëpër zyrat tuaja i kap paniku. Çdo vonesë dhe mosdhënie në kohë e shërbimit, sjell si pasojë që qytetarët të mendojnë apo dyshojnë për mungesë integriteti nga ana juaj”, deklaroi z. Naço gjatë mbledhjes me stafin e ZVRPP Fier.

Ndërkohë Kryeregjistruesi z. Ilirjan Muho vërejti me problematikë se nga një kontroll i ushtruar në ZVRPP Fier është konstatuar se nga 12 500 dosje rreth 7 mijë prej tyre janë trajtuar jashtë afateve kohore.

Z. Muho paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që nuk zbatojnë ligjin, ndërsa theksoi se ka ardhur koha për t’i dhënë një tjeter dimension sistemit të regjistrimit të pronave në vendin tonë.