Përurimi tek IML, Ministri Manjani: Ky shërbim, provë për të shuar çdo dyshim - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 21/12/2016

Përurimi tek IML, Ministri Manjani: Ky shërbim, provë për të shuar çdo dyshim

Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku u përuruan ambjentet e rikonstruktuara të tij, i pari investim në 25 vitet e fundit.

Ministri Manjani u njoh nga afër me ndërhyrjet që kanë mundësuar një sërë lehtësirash për ekipin e mjekëve, ndërsa Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, z. Bledar Xhemali e ka informuar lidhur me një nga risitë më të rëndësishme, sikurse është observatori i qelqit që ka një fushëpamje direkte me sallën e autopsisë, duke i mundësuar ndër të tjera studentëve të lëndës së mjekësisë ligjore që me anë të sistemit dixhital audio t’i zhvillojnë konkretish leksionet e tyre.

Përmes këtij investimi, tashmë ky institut me një rëndësi të veçantë në sistemin e drejtësisë, ka mundësinë për ushtrimin e procesit sipas standardeve më të mira bashkëkohore.

Gjatë fjalës së tij për median e pranishme në këtë aktivitet, Ministri Manjani solli në vëmendje se çdo akt që prodhohet nga ky shërbim ka vlerë juridike dhe shërben si provë në gjyq.

“Ky shërbim është pjesë e shërbimit të investigimit, është pjesë e prokurorisë shqiptare, është pjesë e sistemit gjyqësor, për pasojë çdo akt që prodhohet këtu ka vlerë ligjore, ka vlerë juridike, shërben si provë në gjyq dhe ç’është me e rëndësishmja shërben si provë për të shuar çdo dyshim për ata që ndërrojnë jetë në mënyrë të panatyrshme, që do të thotë ndërrimi i jetës në mënyrë të panatyrshme, këtu merr përgjigje shkencore, ligjore dhe profesionale pse ka ndodhur. Pra, këtu gjenden arsyet e largimit nga jeta në mënyrë të panatyrshme dhe për të qetësuar dhe për të dhënë qetësi për të gjallët. Në këtë kuptim, ky institucion merr një vlerë të jashtëzakonshme, merr një vlerë provuese në kuptimin ligjor. Nuk është e para herë që unë kam bërë thirrje dhe kam tërhequr vëmendjen e gjyqtarëve të Shqipërisë, prokurorëve të shtetit që të jenë më të vëmendshëm ndaj këtij shërbimi, i cili është ekskluziv në momentin që flasim, që do të thotë askush që ka diplomën e mjekut nuk e ka të lejueshme ose nuk është e mjaftueshme që të kryej akte ekspertimi. Aktet e ekspertimit kryhen këtu, kryhen nga ky institut dhe ai mban përgjegjësi ligjore për çdo gjë”, tha z. Manjani

Njëkohësisht, Ministri Manjani gjatë deklaratës së tij shprehu keqardhjen nga diskutimet e djeshme në komisionet parlamentare, për çështjen e mospranimit për të amnistuar të sëmurët me patologji malinje, në fazë terminale, të konstatuara nga ky shërbim.

“Patologjitë malinje dihet çfarë janë, kanceri. Le të ngrenë alibi, akuza dhe diskutime të paqëna, unë nuk i kam pranuar dhe nuk kam ndërmend t’i pranoj. Kjo është arsyeja se pse ne investojmë, kjo është arsyeja pse ne bëjmë këto salla. Këtë sallë, që është sallë operimi për të vdekurit që të qetësohen të gjallët, nuk e gjejmë dot në sallat e operacionit të të gjallëve për të qetësuar po të gjallët. Është një shërbim siç e shikoni tërësisht publik, jo me konçension, pra funksionon edhe shërbimi publik dhe nga kjo pikëpamje unë mbetëm shumë përkrahës i këtij shërbimi. Tashmë ne duhet që në mënyrë të menjëhershme ta shtrijmë këtë shërbim në çdo qytet të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që tu vijmë në ndihmë qytetarëve të Republikës kudo ku e kanë problemin. Kam një thirrje për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë që mendon se ndarja nga jeta ka ardhur në mënyrë të dyshimtë apo të panatyrshme, ky është vendi ku merret përgjigjja. Mbështes të gjithë ekipin, është një ekip që kanë harxhuar jetën e tyre, ja u them me bindje këtë, se nuk është kollaj, mund të flesh dhe në spital civil por të flesh në morg nuk është një gjë e thjeshtë, pra jetën e tyre e harxhojnë këtu. Paguhen jo mirë, duhet ta them dhe këtë, pra kjo është një reformë tjetër që duhet ta bëjmë. Pra, duhet të kuptoni, që më gjithë vështirësitë, këtu ka burime njerëzore të jashtëzakonshme, ka të rinj dhe të reja, që trajnohen me këtë profesion, i cili është një profesion fisnik dhe një profesion që ne duhet ta mbështesim”, u shpreh z. Manjani.