Përmbyllet projekti i binjakëzimit të BE-së, “Përmirësimi i shërbimit përmbarimor në Shqipëri” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/10/2016

Përmbyllet projekti i binjakëzimit të BE-së, “Përmirësimi i shërbimit përmbarimor në Shqipëri”

 

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani mori pjesë ditën e sotme në ceremoninë e përmbylljes së projektit të binjakëzimit të BE-së “Përmirësimi i shërbimit përmbarimor në Shqipëri”.

 

Ky projekt solli ekspertizën e dy prej shteteve anëtare themeluese të BE-së, Francës dhe Hollandës, në dobi të sistemit përmbarimor shqiptar, duke siguruar asistencë teknike dhe trajnim për përmbaruesit shtetërorë dhe privatë.

 

Kryesisht ky projekt u fokusua në situatën aktuale të sistemit përmbarimor në Shqipëri, i cili përbëhet nga një sistem i ndarë ndërmjet përmbaruesve publikë dhe atyre privatë, duke synuar të ndërtojë një model të ri dhe efikas të sistemit të përmbarimit në Shqipëri, që i përafron praktikat e punës me standardet më të mira të Sistemit Evropian të Përmbarimit.

 

Gjatë fjalës së tij në çëljen e kësaj ceremonie, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, ndër të tjera theksoi se zbatimi i vendimeve gjyqësore dhe i titujve ekzekutiv mbetet përgjegjësi publike e panegociushme.

 

Gjithashtu z. Manjani vlerësoi se asnjë vendim gjykate nuk ka vlerë nëse kompromentohet procesi i zbatimit të vendimit.

 

“Sigurisht për mua është një privilegj që ndodhem në këtë event, i cili formalisht  është në fazën e tij përmbyllëse, por në fakt është në fazën e tij të fillimit të ri të një shërbimi përmbarimor krejt ndryshe nga sa e keni parë deri më sot.

Unë i jam mirënjohës Qeverisë së Francës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian për mbështetjen financiare dhe jo vetëm, për të ndërtuar një shërbim përmbarimor sipas nevojave që ne kemi.

Ky projekt, na ka sjellë në vëmendje një përvojë konkrete që është përvoja e Francës në këtë sektor, e cila është një ndër më të mirat dhe ne i jemi mirënjohës drejtuesve të projektit dhe ekspertëve të cilët punuan sëbashkë me ekspertët tanë dhe me Dhomën Kombëtare të Përmbarimit për të ndërtuar minimalisht një koncept që do të duhet të zhvillohet më tej, sesi do ta menaxhojmë sektorin e përmbarimit.

Unë si Ministër nga ky projekt kam kuptuar disa gjëra dhe dua t’i ndaj me ju.

Kam kuptuar së pari nevojën për një reformim të thellë të sektorit të përmbarimit, reformim i cili do të duhet të nxisë dhe të motivojë më shumë sesa deri më sot përmbaruesin publik dhe privat, për të zbatuar titujt ekzekutiv, vendimet gjyqësore ose jo gjyqësore.

Kam kuptuar dhe njëherë, jo se nuk e dija, por kam forcuar pikëpamjen time që, zbatimi i vendimeve gjyqësore dhe i titujve ekzekutiv, mbetet përgjegjësi publike e panegociueshme dhe ky është momenti që unë t’i bëj thirrje edhe njëherë, pa i kërkuar aspak ndjesë askujt por duke i dhënë një përgjigje publike:- Të gjithë atyre që në celularin tim, në postën time elektronike apo atë zyrtare, kërkojnë nga unë që të ndërhy për të penguar ndonjë përmbarues në kryerjen e detyrës së tij apo të saj publike, e kanë të kotë. Nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur sa të jem unë në këtë detyrë dhe jam i bindur që asnjë Ministër Drejtësie nuk e ka në misionin e tij këtë gjë. Asnjë vendim gjykate nuk ka vlerë nëse kompromentohet procesi i zbatimit të vendimit. Kështu që, për këtë çështje kërkoj mirëkuptim tuaj edhe në qoftë se nuk e kemi këtë mirëkuptim, ndjesë,  por vendimi i gjykatës do të zbatohet dhe pikë.

Sigurisht, motivimi i përmbaruesit ishtë një temë tjetër që kam kuptuar në këtë projekt. Sëbashku me Shoqatën e Bankave dhe me Dhomën e Përmbarimit ne iniciuam një nismë dhe gjysma e asaj përfundoi mbrëmë në Parlament në mënyrë të suksesshme.

Përmbaruesi që të zbatojë vendimin e gjykatës duhet të motivohet dhe shpërblimi i punës së tij apo të saj do të varet vetëm nga suksesi i zbatimit të vendimit të gjykatës.

Duket si reformë tregu por është e vetmja mënyrë që ne të sigurojmë zbatimin e vendimit. Nuk mund ta pranojmë që përmbaruesi nga njëra anë të “shëndoshet” financiarisht, por nga ana tjetër “shëndeti” financiar duhet të korenspondojë me punën. Si Ministër kam përgjegjësinë publike që të raportoj për zbatimin e vendimit gjyqësor dhe titujve ekzekutiv dhe nuk mund të mbaj dot as unë dhe askush tjetër faturën e moszbatimit të vendimit gjyqësor. Aq më tepër të mbaj dhe faturën e mosekzekutimit të kolateraleve që vijnë nga kreditë e këqija.

Gjithashtu unë bësoj se ka dhe një element tjetër të ri që unë i jam mirënjohës projektit dhe që besoj se duhet ta bëjmë shpejt, duke marrë ekskluzivisht përvojën francëze. Na duhet të krijojmë një qendër të përqëndruar ankandi për të gjithë sendet e sekuestruara, të vëna në kolateral apo që janë objekt i ekzekutimit të titujve ekzekutiv”, u shpreh Ministri Manjani

Të gjithë raportet apo gjetjet në kuadër të këtij projekti i kanë shërbyer dhe do t’i shërbejnë në vijimësi Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë Shqiptare, për ndërmarrjen e nismave rregullatore, me qëllim përmirësimin e funskionimit të sistemit përmbarimor në Shqipëri.