Përfundon inspektimi ndaj gjyqtarit Osman Aliu - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/04/2014

Përfundon inspektimi ndaj gjyqtarit Osman Aliu

Ministria e Drejtësisë, bën me dije se Drejtoria e Inspektimit të Gjyqësorit dhe Prokurorisë bazuar në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë nr. 2332/1 prot, datë 31.03.2014 “Për ushtrimin e inspektimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe Gjykatën e Apelit Durrës”, nga data 31.03.2014 deri në datën 01.04.2014, inspektoi Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në funksion të saj edhe Gjykatën e Apelit Durrës.

 

Objekti i këtij inspektimi ishte në gjykimin e kërkesave për vleftësimin dhe caktimin e masave të sigurimit personal, për periudhën 01.01 2014 deri 28.03.2014.

 

Inspektimi u ushtrua në përputhje me nenin 102, pika 4, të Kushtetutës, të nenit 6, pika 9, të ligjit nr. 8678, datë 14.05. 2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, neneve 31 e vijues  të ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Sipas këtij kuadri ligjor, Ministria e Drejtësisë kryen inspektime në gjykatat e shkallës së parë dhe të apeleve, me qëllim respektimin e Kushtetutës, ligjeve, realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe  kontribuimin në parandalimin e shkeljeve të ligjit.

 

Ky inspektim, u iniciua mbi bazën e shqetësimit të bërë publik nga Ministri i Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri, mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Osman Aliu. Rastet e përmendura i referohen moszbatimit të ligjit nga ana e gjyqtarit Osman Aliu, në gjykimin e kërkesave për caktim dhe vleftësim të masave të sigurimit personal.

 

Ministria e Drejtësisë informon se nga raport – inspektimi, rezulton se janë konstatuar shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit, dhe se në përfundim të procedurave do t’i kërkohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedim disiplinor ndaj këtij gjyqtari.