NJOFTIM PËR SHTYP - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/10/2017

NJOFTIM PËR SHTYP

 

 

Në kuadrin e operacionit të pastrimit të burgjeve, nga drejtuesit e padenjë, të përfshirë në veprimtari të paligjshme, dhe pas një sërë shkarkimesh të kryera më parë për shkelje dhe abuzime në detyrë, jam këtu për të informuar se:

Bazuar në verifikimet dhe raportet e inspektimit të kryera nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si dhe pas informacioneve të marra nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Kam vendosur ditën e sotme,shkarkimin nga detyra të:

1.   Drejtorit të IEVP Lezhe për shkelje administrative dhe shpërdorim të detyrës

2.   Drejtorit të IEVP Rrogozhinë për shkelje administrative dhe shpërdorim de tyre

3.   Drejtorit të IEVP Lushnje për shkelje administrative dhe shpërdorim detyre

4.   Drejtorit të IEVP Peqin për shpërdorim detyre

5.   Drejtorit të IEVP Tepelenë për shkelje administrative

6.   Drejtorit të IEVP Sarandë për shkelje administrative dhe figuron si person i dënuar më parë

7.   Drejtorit të IEVP Berat për shkelje adminstrative dhe si person që figuron i rregjistruar me precedent penal

8.   Drejtorit të IEVP Durrës për shkelje administrative dhe shpërdorim detyre

 

Kontrollet e kryera nga grupet e inspektimit të ngritura nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë evidentuar shkelje të rënda të përsëritura të ligjit dhe Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, shkelje që rrezikojnë sigurinë e burgjeve dhe cënojnë besimin e publikut në mirëfunksionimin  e institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Konkretisht, vetëm gjatë periudhës korrik 2017 – tetor 2017, janë evidentuar:

  • Mbi 150 raste të lejimi të futjes së sendeve të ndaluara, si celularë, karta telefonike, pije alkoolike, USB  dhe mjete të tjera elektronike. Fenomen shqetësues i denoncuar pranë Ministrisë së Drejtësisë edhe nga organet e prokurorisë, të cilat vetëm gjatë 9 muajve të parë të vitit 2017 kanë regjistruar mbi 90 procedime penale, vetëm në rrethin gjyqësor Elbasan ku 88 i referohen burgut të Peqinit, ndërkohë 36 vepra penale të rregjistruara i referohen burgut të Rrogozhinës, etj. Por pavarësisht alarmit të vënë nga Prokuroria, fatkeqësisht nuk është vepruar nga ana e kësaj ministrie. Arsyet e mosveprimit mbeten të panjohura dhe për tu verifikuar nga organet ligjzbatuese.
  • Janë verifikuar të paktën 6 raste të lejimit të futjes brenda mjediseve te burgjeve të lëndëve narkotike. Në burgun e Durrësit, jo më larg se muaji gusht janë arrestuar specialisti i edukimit dhe shitësi i njësisë tregtarepër shpërndarje lëndësh narkotike.
  • Shkelje të përsëritura të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve në organizimin, funksionimin dhe kontrollin e veprimtarisë në institucion
  • Mos marrjen e masave të menjëhershme ndaj personelit që kryejnë akte të ushtrimit të dhunës ndaj të dënuarve, dhe mos fillimin e procedurave disiplinore ndaj tyre.
  • Mos marrjen e masave për parandalimin e korrupsionit në institucionin ku drejtojnë.
  • Favorizimin e të dënuarve kundrejt përfitimit të pagesave në të holla.
  • Ushtrim të dhunës ndaj të burgosurve dhe të paraburgosurve nga ana e personelit policor.
  • Fillimi nga prokuroria të hetimeve ndaj drejtuesve dhe personelit të IEVP-ve për kryerjen e veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe kryerjes së veprimeve arbitrare
  • Emërime të punonjësve në kundërshtim me dispozitat ligjore

 

Për të gjithë ata drejtues dhe staf i rolit bazë dhe të mesëm për të cilën janë evidentuar shkeljet, rastet janë referuar dhe në vazhdim do ti referohen organit të akuzës për fillimin e ndjekjes penale.

Nënvizoj rëndësinë e madhe që ka nisja e ndjekjes penale për të gjithë individët e kallzuar apo ata që do të kallzohen mënjherë prej nesh, për të garantuar sistemin e burgjeve edhe në të ardhmen, duke kaluar nga epoka e pandëshkueshmërisë në epokën e drejtësisë.

Ne jemi të vendosur për zbatimin e ligjit dhe se nuk do të tolerojmë asnjë rast abuzimi apo korrupsioni për çdo zyrtar publik që shkel ligjin.

Po ashtu jemi të vendosur të mostolerojmë asnjë ndërhyrje politike apo të çfarëdolloji tjetër për të marrë në mbrojtje elementët e padenjë për këtë sistem delikat të shtetit.

Verifikimi i  zbatimit të ligjit do të vijojë në çdo institucion burgimi dhe paraburgimi në gjithë vendin, në mënyrë që të sigurojmë garantimin e shtetit të së drejtës, shërbimin profesional dhe në respekt të të drejtave të të dënuarve.

Me qëllim rikthimin e ligjshmërisë në burgje ndaj çdo lloj veprimi abuzues me detyrën për qëllime përfitimi personal apo elektoral, sot hapim garën për 23 drejtues të burgjeve dhe paraburgimeve në të gjithë vëndin. Në vazhdën e kësaj thirrje hapim publikisht edhe pozicionin për Zëvëndës drejtor të përgjithshëm të Burgjeve, për Drejtor të policisë të burgjeve si dhe Drejtorin e burgut më të ri që do të hapet së shpejti ai I Shkodrës.

Hapim këtë thirrje publike, me qëllim për të pasur një proces rekrutimi transparent, meritokratik si dhe për të bërë pjesë të trupës së drejtuesve të burgjeve profesionistët më të mirë të vendit. Kjo me qëllimin e vetëm, për tu ndarë njëherë e mirë nga praktika e djeshme, ku emërimet e drejtorëve bëheshin për qoka politike, për të futur një frymë dhe një praktikë të re punësimi në sistemin e burgjeve duke besuar vetëm tek vlerat dhe kapacitetet njerëzore dhe profesionale.

Nuk do të lejojmë më, që të kemi në drejtim të burgjeve, siç ka ndodhur fatkeqësisht deri më sot për shkak të ndërhyrjeve e të mbrojtjes partiake, drejtorë me precedentë penalë të cilët kompromentojnë çdo veprim në krye të këtyre institucioneve.

Deri në emërimin e drejtuesve të rinj, të dalë nga konkurimi, janë marrë masat për komandimin në krye të këtyre burgjeve, punonjës profesionistë dhe me përvojë të gjatë në karrierën e tyre brenda sistemit të burgjeve.