Ministrja Gjonaj vizitë zyrtare në Itali - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/11/2017

Ministrja Gjonaj vizitë zyrtare në Itali

Në vijim të vizitës zyrtare të Kryeministrit Rama në Romë, Itali, më datë 11 tetor 2017, Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj, e shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, z. Engjëll Agaçi, zhvilloi më datat 14 – 15 nëntor 2017, një vizitë zyrtarë në Romë, Itali, me ftesë të Ministrit të Drejtësisë, z. Andrea Orlando.

Gjatë kësaj vizite të rëndësishme mes Ministres së Drejtësisë Znj. Gjonaj dhe Ministrit të Drejtësisë, z. Orlando u diskutuan tema prioritare për prioritetet e qeverisë shqiptare në përgjithësi në sistemin e drejtësisë si dhe veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, në veçanti.

Ministri Orlando shprehu mbështetjen e Shtetit italian për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe, në perspektivën e nxitjes së mëtejshme të proceseve integruese.

Në takimin dypalësh të zhvilluar midis dy Ministrave të drejtësisë, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, në mënyrë të veçantë u ndalën tek bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.

Ministri italian z. Orlando, shprehu vlerësimet e tij në punën që qeveria shqiptare ka bërë në ndërmarrjen e një sërë reformash ku më e fundit është ajo në sistemin e drejtësisë. Gjatë takimit Ministrja Gjonaj shprehu vlerësimin e saj për bashkëpunimin e deritanishëm  mes dy vendeve dhe theksoi vullnetin e saj dhe të qeverisë shqiptare për të vazhduar në partneritetin e ngushtë strategjik midis dy vendeve e cila është drejtësia.

Rezultat i takimit dy palësh ndërmjet Ministrave të Drejtësisë, ishte dakortësimi i lidhjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi kuadër në fushën e drejtësisë. Kjo me qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit të ngushtë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe realizimin e prioriteteve të qeverisë në drejtësi.

Marrëveshja e Bashkëpunimit kuadër midis dy Ministrave, do të konsistojë gjithashtu edhe në reformat legjislative, në fushën penitenciare, në ndihmën e ndërsjellët gjyqësore, në çështjet e drejtësisë penale për të miturit, duke përfshirë dhe aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë, me rol në formimin e magjistratëve si dhe të qeverisjes të sistemit të drejtësisë.

Të dy ministrat shprehën dhe vullnetin për të bashkëpunuar në masat që do të ndërmerren nga shteti shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe antikorrupsionit.

Dy grupe në nivel teknik respektivisht nga çdo ministri do të ngrihen me qëllim për detajimin e fushave dhe drejtimeve në të cilat do të orientohet dhe strukturohet bashkëpunimi.

Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë midis dy Ministrave e cila do të firmoset shumë shpejt në Tiranë, garanton mbështetjen e pakushtëzuar të shtetit Italian në procesin e integrimit Evropian të Shqipërisë.

Delegacioni shqiptar në përbërje të tij drejtues të Ministrisë së Drejtësisë, zhvilloi gjithashtu takime me drejtuesit e institucioneve kryesore të drejtësisë italiane në nivel teknik për detajimin e bashkëpunimit në fushat prioritare.

Ministrja e Drejtësisë, znj Gjonaj së bashku me delegacionin e saj vazhdon takimet me përfaqësues të institucioneve të tjera të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.