Niveli i korrupsionit, vlerësim serioz perceptimit në raportimet e ndërkombëtarëve. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/03/2014

Niveli i korrupsionit, vlerësim serioz perceptimit në raportimet e ndërkombëtarëve.

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka qenë sot i pranishëm gjatë një seance në Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, në përfundimin e së cilës është miratuar projektligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”

Ministri Naço ka ftuar përfaqësuesit e opozitës në këtë komision që ta mbështesin këtë projektligj, i cili synon në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i shpalli luftë të hapur fenomenit të korrupsionit mes zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë shtetëror.

Gjithashtu Ministri Naço theksoi se duhet vlerësuar me seriozitet perceptimi i ndërkombëtarëve në lidhje me korrupsionin në Shqipëri, ndërsa solli edhe njëhërë në vëmendjen e anëtarëve të komisionit detajet e raporteve zyrtare, të publikuara nga Departamenti i Shtetit, Komisioni Evropian si dhe Transparency International, të cilët e kanë cilësuar si alarmant nivelin e korrupsionit në vend, si dhe adresojnë rekomandimet për masa emergjente në luftën ndaj këtij fenomeni.

“Departamenti i Shtetit ka kërkuar më shumë se njëherë zbatimin e ligjit, pasi nga ligji i mëparshëm zyrtarët janë mbrotjur. Gjithashtu Departamenti i Shtetit ka kërkuar që në ndryshim nga qeveria e shkuar të lihen sloganët të cilët më të fortë kanë zhurmën sesa efektin. Progres Raporti i BE-së ka evidentuar se gjatë 2013 lufta ndaj korrupsionit ka njohur një ecuri të kufizuar, ndërsa më dekurajues është raporti i Transparency International i cili na rendit në vendin 116 sa i takon korrupsionit, të barabartë me Kamboxhian”, tha Ministri Naço.

Ministri i Drejtësisë u ndal edhe në mesazhin e përcjellë nga Sekretarja e Shtetit znj. Hilari Klinton, gjatë vizitës së saj më 1 Nëntor 2012, e cila gjatë fjalës së saj në Parlamentin shqiptar, ndër të tjera e konsideroi korrupsionin një kancer që konsumon shoqërinë, mbron udhëheqësit që nuk kanë vlera morale dhe ndëshkon popujt që mundohen të përmirësojnë jetën e tyre.

“Demokracia e shëndoshë kërkon institucione të forta, të gatshme të luftojnë korrupsionin dhe ne këtë duam të bëjmë, të luftojmë këtë të keqe që ka mbërthyer shoqërinë tonë. Ky projektligj është hartuar nga ekspertët më të mirë ligjor në luftën kundër korrupsionit, dhe sipas tyre dekurajimi më i madh që mund t’i bëhet personave që kryejnë korrupsion është sekuestrimi i pasurisë. Ky ligj parashikon sekuestrim të pasurisë edhe të familjarëvë të shkelësve të ligjit, për sa kohë ky shkelës është i dyshuar se këtë pasuri e ka fituar ilegalisht”, theksoi z. Naço.