Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të Planit të Veprimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 236, datë 23.4.2014 “Për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, ka ndërmarrë hapat e nevojshme për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri.
Realizimi i një reforme ligjore në këtë fushë me qëllim kryesor përmbylljen e procesit të kthimit të pronës, si dhe krijimin e një mekanizmi efektiv kompensimi, si premisë për zhvillinim ekonomik të vendit, është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare dhe Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës.
Në kuadër të një planveprimi, pjesë e strategjisë së Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e pronave, këtë të premte u organizua tryeza e rrumbullakët “Reforma Ligjore dhe Institucionale e AKKP-së”.
Kjo tryezë e cila do të pasohet nga një proces i mëtejshmë konsultativ, ka mbledhur së bashku grupet e interesit dhe kishte si qëllim parësor evidentimin e rëndësisë së një procesi gjithëpërfshirës të reformës ligjore dhe institucionale të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Grupet e interesit janë ftuar në këtë tryezë për të qenë pjesë aktive e diskutimit, si dhe për të dhënë kontributin dhe sugjerimet e tyre, në një kohë që Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është në prag të realizimit të një reforme ligjore dhe institucionale.
Në këtë kuadër, synimi i kësaj tryeze, i shërben ngritjes së një bashkëpunimi që do të synojë mbledhjen e sa më shumë sugjerimeve dhe rekomandimeve të cilat, do t’i paraqiten Grupeve të Punës në Ministrisë së Drejtësisë, përpara hartimit të ndryshimeve ligjore në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave.
Në nisjen e këtij takimi, Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Idlir Peçi, e ka vënë theksin në rëndësinë e ndërthurjes së ideve dhe pikëpamjeve të përbashkëta mbi procesin e kthimit dhe kompesimit të pronave, duke e cilësuar si mjaft të vlefshëm kontributin e grupeve të interesit në këtë aspekt.
“Nuk duhet të vazhdojmë që të mbetemi në stadin e fajësimit, por është e nevojshme që të ballafaqojmë idetë në të mirë të këtij procesi. Ndonëse janë hedhur hapat për hartimin e një plan-veprimi, i cili ka marrë edhe konsensusin e Komitetit të Ministrave të Këshillt të Europës, gjithësesi ky proces do të ketë një konsultim të gjerë, në thelb të së cilit duhen hedhur hapa real, transparentë dhe të sinqertë”, deklaroi z. Peçi
Gjatë fjalës së saj, Zj. Sonila Qato, Drejtore e Përgjithshme e AKKP-së vlerësoi se ky proces reformues do të prodhojë një institucion që do ta trajtojë pronën si element për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, ku pronari të shihet si partner me qeverinë.
“Duhet të realizohet një proces për kthimin e pronës në mënyrë të unifikuar dhe në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të qeverisë, si dhe nje proces kompensimi i bazuar në parimet kushtetuese, për një shpërblim të drejtë për pronarët dhe real për buxhetin e shtetit”, theksoi zj. Qato
Gjithashtu gjatë kësaj tryeze është bërë edhe një prezantim i analizës së legjislacionit në fuqi nga Zj. Edlira Jorgaqi, Drejtore e Përgjithshëm e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Ndër të tjera zj. Jorgaqi vlerësoi se përmes këtij takimi por edhe të tjerëve në vijim, do të ngrihen politikat që pritet të adresojnë çështjen e pronave në vendin tonë.
Gjithashtu zj. Jorgaqi theksoi se kjo çështja e pronës ka shfaqur problematika për shkak të legjislacionit të fragmentarizuar e të paqartë, apo edhe si pasojë e mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këtë tryezë në përbërje të të cilës u ftuan dhe ishin të pranishëm përfaqësues të Shoqatave dhe Organizmave Joqeveristare që mbrojnë të drejtat e pronarëve (subjekteve të shpronësuara), ekspertë të fushës, përfaqësues nga profesionet e lira, përfaqësues nga media, përfaqësues nga shoqata e investitorëve të huaj, shoqëria civile, u bë një prezantim i hapave të ndërmarra nga AKKP, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë si dhe u realizua një diskutim gjithëpërfshirës mbi të gjitha problematikat e konstatuara.
Përfaqësuesit e pranishëm të të gjithë grupeve të interesit diskutuan gjerësisht duke bërë prezent shqetësimet e tyre në lidhje me procesin e deritanishëm, si dhe rekomanduan pikëpamjet e tyre, mbi të cilat qeveria duhet të tregojë kujdesin e duhur për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon procesin e kthimit të pronës dhe gjetjen e mekanizmave efektivë të kompensimit të saj.
Prezantimi i analizës së legjislacionit në fuqi lidhur me çështjen e pronave
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.