Ndërsektorale e Drejtësisë 2021-2025 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/01/2021

Ndërsektorale e Drejtësisë 2021-2025

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka marr pjesë në mbledhjen e zhvilluar onlinë së bashku me partnerë dhe krerë institucionesh, në të cilin është diskutuar për procesin tejet të rëndësishëm, të fazës së dytë të zbatimit të reformës në drejtësi, përmes hartimit të Strategjisë Ndërsektorale të Drejtësisë 2021-2025.

Dokumenti strategjik që Ministrja Gjonaj prezantoi nuk përfaqëson vetëm jetësimin e vizionit të kahershëm të reformës në drejtësi, por dokumentin konkret të konsolidimit të drejtësisë shqiptare tashmë të reformuar.

Ndër momentet kryesore shpërblyese të punës për progresin e reformës në drejtësi përfshijnë, ndër të tjera, hartimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Gjykatat Administrative, Miratimin e Kodit të Drejtësisë Penale për Fëmijët, si dhe hartimin e 30 ligjeve të tjera në kuadër të reformës në drejtësi, të miratuara ose në proces miratimi.

Përpos ndryshimeve legjislative, tashmë e gjithë korniza institucionale e organeve të qeverisjes së drejtësisë si dhe organeve të reja të hetimit dhe gjykimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar është funksionale, duke dhënë dita ditës rezultate të prekshme.

Në këtë sipërmarrje kaq të rëndësishme Ministrja e Drejtësisë shprehu një falenderim të veçantë për të gjithë bashkëshoqëruesit e procesit jetik të reformës në drejtësi në Shqipëri, Bashkimit Evropian dhe SHBA dhe të gjithë vendeve të tjera mike për mbështetjen që na kanë dhënë që në pikënisje të reformës në drejtësi, ashtu edhe në kthimin e të gjithë arkitekturës të re institucionale të sistemit të drejtësisë në shërbim të qytetarëve.

“Në veçanti një falenderim partnerëve tanë të EURALIUS, OPDAT, UNDP, USAID, Projekti “Drejtësi për të gjithë”, OSFA, Ambasadorëve, të gjithë organizatave të shoqërisë civile, dhe të gjithë ekspertëve e bashkëpunëtorëve, që na kanë ndihmuar të jemi sot këtu, duke prezantuar strategjinë e re, me shumë besim tek e ardhmja evropiane e drejtësisë shqiptare.” u shpreh Gjonaj.