Ndërmjetësimi, Ministri Naço: Redukton zvarritjen e proceseve gjyqësore. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/06/2014

Ndërmjetësimi, Ministri Naço: Redukton zvarritjen e proceseve gjyqësore.

Profesionet e lira, ndër to edhe ndërmjetësimi janë cilësuar nga ana e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço si një pjesë e rëndësishmë në të cilën është fokusuar reforma në sistemin e drejtësisë.

 

Gjatë takimit me temë “Ndërmjetësimi, alternativë për zgjidhjen e konflikteve”, Ministri Naço e ka vlerësuar Institutin e Ndërmjetësimit, si një hallkë të sistemit jashtëgjyqësor, që ndikon drejtpërdrejtë në uljen e volumit të punës në gjykata e për rrjedhojë në reduktimin e fenomenit të zvarritjeve të proceseve gjyqësore, me një impakt të drejtëpërdrejtë në përmirësimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

 

 

Së pari, më lejoni të falenderoj në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e Programit USAID dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian, të cilët kanë mbështetur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të instituteve të së drejtës në Shqipëri, duke i dhënë në këtë mënyrë një mbështetje të fuqishme reformës në sistemin e drejtësisë.

 

Reforma në sistemin e drejtësisë, vitet e fundit, ka përfshirë edhe reformimin e profesioneve të lira, ndër to edhe ndërmjetësimin.

 

Në këtë aspekt, Ministria e Drejtësisë e ka fokusuar punën e saj:

 

  • në përmirësimin e legjislacionit të brendshëm,
  • me qëllim rritjen e performancës së veprimtarisë së këtij shërbimi,
  • si një aktor i rëndësishëm në realizimin e dhënies së drejtësisë.

 

Forcimi i këtij Instituti erdhi si detyrim i realizimit të objektivave të parashikuara në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për Shqipërinë,

 

-duke synuar transpozimin dhe përqasjen e legjislacionit aktual shqiptar,

 

-në fushën e ndërmjetësimit,

 

-me aktet dhe direktivat europiane,

 

-kryesisht me Direktivën e Këshillit të Europës nr. 2008/52/EC “Mbi aspektet e ndërmjetësimit në çështje civile dhe tregtare” (Maj 2008).

 

Reformat e ndërmarra së fundmi nga Ministria e Drejtësisë, kanë synuar forcimin e përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor, nëpërmjet:

 

– krijimit dhe funksionimit të gjykatave të specializuara administrative,

 

– përmirësimit të kushteve infrastrukturore dhe dixhitalizimit të gjykatave.

 

Nxitja e formave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në gjykata përbën një ndër premisat më të rëndësishme për shmangien e mbingarkesës jashtë standardeve në gjykata.

 

Nëse i referohemi statistikave gjyqësore, vërejmë se gjykatat janë përsëri tej mase të mbingarkuara nga çështjet gjyqësore dhe për rrjedhojë konstatohet zvarritje në gjykimin e tyre.

 

Ndaj, reforma e rëndësishme e alternativës së re të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, me më pak shpenzime, më pak kohë, më pak burokraci e më shumë besim, krijon një klimë të re në marrëdhëniet mes qytetarëve dhe zgjidhjes së konflikteve.

 

Kështu, Instituti i Ndërmjetësimit, si hallkë e sistemit jashtëgjyqësor, ndikon drejtpërdrejtë:

– në uljen e volumit të punës në gjykata e për rrjedhojë në reduktimin e fenomenit të zvarritjeve të proceseve gjyqësore,

-të cilat në mënyrë absolute ndikojnë në përmirësimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Konfliktet ekzistojnë si një proces që shpresh e ndërlikon bashkë-ekzistencën në shoqërinë njerëzore.

Ndërthurja e interesave ekonomike, sociale, ndryshimet kulturore dhe arsimore, prevalimi i emocionit mbi logjikën etj, shpesh prodhojnë  konfliktin.

Por, nëse arrijmë ta menaxhojmë konfliktin në mënyrë konstruktive, ne mund ta shfrytëzojmë energjinë e tij për pozitivitet dhe zhvillim.

Në këtë kuadër, personalisht mendoj se, ndërmjetësimi është një premisë, e cila u krijon mundësinë “kundërshtarëve”, që  të angazhohen në vetën e parë për të ndërtuar një lidhje të re mes tyre.

Sfida qëndron në suksesin e përpjekjeve për t’i çliruar palët nga kontradikta dhe për të hapur kanalet e bllokuara të komunikimit.

Kjo nënkupton se me ndihmën e ndërmjetësuesit, nis negociimi i rregullave të reja mbi dialog dhe marrëdhënie simetrike.

Instituti i ndërmjetësimit i krijuar prej 15 vjetësh (në vitin 1999) nuk ka patur një traditë të konsoliduar, që të garantonte profesionalizmin dhe efektivitetin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve jashtë dyerve të gjykatave.

 

Me reformimin e sistemit të drejtësisë,  palët tashmë kanë një mundësi tjetër, që me vullnetin e tyre të lirë të zgjedhin ndërmjetësin, si një person me aftësitë e duhura profesionale, për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet tyre, duke eliminuar kalvarin e gjatë të endjes në dyert e gjykatave.

 

Aktualisht, në zbatim të kuadrit ligjor të plotësuar edhe me aktet e nevojshme nënligjore, Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve ka dhënë licencat për rreth 270 persona fizikë si ndërmjetës.

 

Vlen të theksohet se me asistencën e Programit JuST, të USAID-it, roli i institutit të ndërmjetësimit është forcuar dhe konsoliduar në disa rrethe gjyqësore, si Durrës, Korçë, Gjirokastër dhe nëse i referohemi të dhënave statistikore të përcjella nga këto gjykata, zbatimi i formave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ka rezultuar histori suksesi.

 

Për vitin 2013 dhe 2014 janë të regjistruara me ndërmjetësim gjithsej 167 çështje.

 

Nga ky total:

 

  • 90 çështje i përkasin Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë,

 

  • 35 çështje i përkasin Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës,

 

  • 43 çështje i përkasin Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe

 

  • 5 prej tyre Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

 

Nga këto rreth 75% janë raste të zgjidhur me ndërmjetësim.

 

Pra, rezulton një trend rritës të çështjeve që zgjidhen me këtë formë të re të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve.

 

Ndërmjetësi merr përsipër të krijojë fillimisht besimin, të qetësojë palët në konflikt përfshirë edhe “zemëratën” e tyre, të gjenerojë zgjidhjen, dhe të gjitha këto t’i kryej duke mbetur i paanshëm.

 

Qëllimi i ndërmjetësit është si ai i një një katalizatori, që nënkupton pikërisht, ofrimin e një rruge alternative të reagimit, për të motivuar rëndësinë e procesit të ndërmjetësimit, si një nga metodat më efektive të parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve midis palëve.

 

Mosmarrëveshjet dhe konfliktet janë unike dhe kërkojnë qasje specifike.

 

Ndaj në këtë prizëm, unë si Ministër i Drejtësisë, shpreh të gjithë vullnetin e institucionit që drejtoj,

për mbështetjen e të gjitha përpjekjeve profesionale dhe të besueshme të ndërmjetësimit, duke shpresuar se të gjithë së bashku do të mund të krijojmë një përvojë të çmuar dhe një praktikë të suksesshme, në drejtim të konsolidimit të këtij procesi në Shqipëri, duke maksimalizuar shanset për sukses.

 

Në përfundim të fjalës sime, gjej rastin të falenderoj për rolin dhe kontributin e rëndësishëm projektin JuST të USAID, Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, të cilët me mbështetjen dhe asistencën e pakursyer po na ndihmojnë në thellimin e reformave në sistemin e drejtësisë në tërësi, si dhe në forcimim e Institutit të Ndërmjetësimit në Shqipëri.