Nisur nga nisma e OSHEE për të kryer verifikimin e të gjithë qytetarëve në raport me pagesën e energjisë elektrike, si dhe bazuar në Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, për marrjen e masave ndaj shkelësve të ligjit për mosshlyerje të detyrimeve të energjisë elektrike në sistemin e burgjeve, D.P.e Burgjeve ka ngritur menjëherë një grup pune për të kryer verifikimin e të gjithë punonjësve në sistem dhe ka nxjerr rezultatet e mëposhtme:
Nga verifikimet e deritanishme 650 punonjës të policisë së burgjeve rezultojnë të jenë debitorë të energjisë elektrike, duke shkelur në këtë mënyrë Kodin Penal.
Për të mos rrezikuar në asnjë moment sigurinë në Institucionet e Vuajtjes së Vendimeve Penale, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka urdhëruar marrjen e masës së largimit nga detyra për 131 punonjës, të cilët rezultonin me detyrimet më të mëdha në mospagesën e energjisë elektrike, në shuma që shkojnë deri në 23 milionë lekë, për një periudhë deri në 13 vjet.
Aksioni do të vazhdojë edhe më tej, me stafin civil të burgjeve dhe do të konkretizohet në marrjen e masave përkatëse për këdo që ka shkelur Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.