Miratohet ligji “Antimafia”, sekuestrim dhe konfiskim pasurive nga korrupsioni - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 20/03/2014

Miratohet ligji “Antimafia”, sekuestrim dhe konfiskim pasurive nga korrupsioni

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, është miratuar në seancën e sotme parlamentare, duke i hapur rrugën marrjes së masave për parandalimin dhe goditja e krimit të organizuar dhe trafikimit, përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Gjatë fjalës së tij në parlament, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço deklaroi se me miratimin e këtij ligji, kemi mundësinë t’ju japim organeve ligjzbatuese një instrument, që siç luftojnë bandat dhe organizatat kriminale duke sekuestruar dhe konfiskuar pasurinë, ashtu do  të luftojnë edhe  korrupsionin, i cili nuk do të mbetet më peng i demagogjisë.

Ministri Naço theksoi se fenomeni i korrupsionit vlerësohet si një pengesë reale për progresin e vendit, dhe ndërkohë konstatimet e ndërkombëtarëve, duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi.

“Masat e ndërmarra kundër korrupsionit, ndër vite, nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara, në hetimin dhe ndëshkimin e praktikave korruptive, përsa kohë korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në kuota të larta. Përpos ndryshimeve të bëra në vitin 2012, në nenin 52 të Kodit Penal, që synon nxitjen e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të drejtësisë në rastet e korrupsionit, si dhe ndryshimet e nenit 75/a të K.Pr. Penale, të sapo miratuara, lind si domosdoshmëri marrja e masave plotësuese, ku përpos sanksioneve penale, të aplikohen masat e tjera që lidhen me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga veprimtari kriminale të korrupsionit”, tha z. Naço

Ministri Naço, u ndal në deklaratën e ish-Prokurori të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, z. Edwin Meese, i cili gjatë drejtimit të një konference në Uashington me Ekspertë për Ballkanin mbi korrupsionin, organizuar nga Fondacioni Heritage, deklaronte se: “Lufta kundër korrupsionit duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme që politikanët kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t’i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta”.

Ministri Naço bëri me dije se dispozitat e këtij ligji, siç zbatohen për bandat dhe organizatat kriminale, do të zbatohen edhe ndaj veprave penale të korrupsionit për pasuritë e personave të afërm ndërsa theksoi se synimi i këtij projektligji është rritja e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum korrupsionin, nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme, që burojnë nga veprat penale të korrupsionit.

“Në nenin 21, paragrafi i tretë i këtij Ligji parashikohet se: “Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi”Në këtë kuptim, vlera reale e këtij ligji qëndron në faktin se, nuk do të jetë prokurori që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka vënë pasurinë e sekuestruar dhe konfiskuar edhe në rastet e korrupsionit”, u shpreh Ministri Naço

 

 

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Naço citoi fjalët e Presidentit Obama gjatë Asamblesë së Përgjitshme së OKB-së, në Shtator 2012 ku deklaroi se : “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e një vendi. Ajo duhet t`i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të gjithë njerëzit.Nëqoftë se njerëzit nuk mund t`i besojnë qeverisë së tyre, për të bërë punët për të cilat ajo ekziston, për t’i mbrojtur ata dhe për të promovuar mirëqenien e tyre të përbashkët, atëherë çdo gjë tjetër është një çështje e humbur. Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit është një nga betejat më të mëdha të kohës sonë.”