Ministrja Gjonaj zhvilloi një bashkëbisedim transparent dhe miqësor me Eurodeputeten e Parlamentit Evropian znj. Isabel Santos, Raportuese për Shqipërinë dhe me Ambasadorin e Delegacionit Evropian Z. Luigi Soreca. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/12/2020

Ministrja Gjonaj zhvilloi një bashkëbisedim transparent dhe miqësor me Eurodeputeten e Parlamentit Evropian znj. Isabel Santos, Raportuese për Shqipërinë dhe me Ambasadorin e Delegacionit Evropian Z. Luigi Soreca.

Ministrja Gjonaj zhvilloi një bashkëbisedim mjaft transparent dhe miqësor me Eurodeputeten e Parlamentit Evropian znj. Isabel Santos, Raportuese për Shqipërinë, së bashku me Ambasadorin e Delegacionit Evropian Z. Luigi Soreca.

Prezantimi i kërkuar nga Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian kishte në fokus 2 prioritetet më madhore të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare, lidhur me përmbushjen e kritereve të vendimit të Këshillit Evropian të datës 25 Mars 2020.

Ministrja e Drejtësisë i prezantoi zonjës Santos planin e masave konkrete të hartuar nga Ministria e Drejtësisë me qëllim vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese, krijimit të kuorumit të nevojshëm të Gjykatës së Lartë, ecurinë e procesit të vetingut, kompletimin e vakancave në sistemin gjyqësor, kompletimin e njësive pranë SPAK, BKH dhe Gjykatave Speciale, si edhe garantimin e efiçencës së sistemit gjyqësor.

Zonja Santos përgëzoi Ministrinë e Drejtësisë për mbështetjen e aprovimit të 18 këshilltarëve shtesë për KPK pasi është një hap me rëndësi për përshpejtimin e procesit të vettingut.

Gjithashtu znj. Gjonaj i komunikoi Eurodeputetes Santos se jemi në fazën e dytë të hartimit të hartës gjyqësore në bashkëpunim me KLGJ, por edhe me partnerët evropianë, Këshilli i Europës, Euralius, me qëllim finalizimin e saj dhe realizimin e aksesit në drejtësi nga të gjithë qytetarët, me qëllim rritjen e besimit në reformën në drejtësi dhe sistemin gjyqësor.

Në këtë bashkëbisedim u fol dhe për rezultatet mjaft të mira të raportit Greco IV në Tetor të 2020 si dhe faktin se po punojmë për Greco V mbi rekomandimet e këtij raporti.

Qasjet ndëshkuese, ndërgjegjësuese dhe parandaluese ndaj korrupsionit janë pjesë e planit të veprimit që së bashku me planin e integritetit që Ministria e Drejtësisë miratoi si një plan për herë të parë që do të ndiqet nga disa institucione të tjera shtetërore, do të rrisin luftën kundër korrupsionit.

Sot flasim për një mekanizëm të ri atë të rrjetit antikorrupsion me koordinatorë në 17 agjenci ligjzbatuese që operojnë në fushën e arsimit, shëndetësisë, taksave, pronave, ku këta koordinatorë do të varen nga Ministri i Drejtësisë, por do të jenë pjesë e strukturave të këtyre agjencive” : u shpreh Ministrja Gjonaj.

Më pas z. Soreca vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm në reformën në drejtësi. Ambasadori garantoi mbështetjen e Delegacionit në këtë reformë dhe inkurajoi për hapat e hedhur.