Ministrja Gjonaj takim me homologen franceze Nicole Belloubet. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 07/05/2019

Ministrja Gjonaj takim me homologen franceze Nicole Belloubet.

Ministrja Belloubet: Franca është e gatshme të mbështesë Shqipërinë.

Ditën e sotme Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, zhvilloi një takim me Ministren e Drejtësisë të Republikës Franceze, znj. Nicole Belloubet, me ftesë të kësaj të fundit. Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe Kreu i KLP-së, z. Gent Ibrahimi, si dhe anëtari i KLGJ- së, z. Erjon Muharremaj.

Gjatë këtij takimi, ministrja Gjonaj e njohu ministren Belloubet me rezultatet e zbatimit të reformës në drejtësi, veçanërisht me rezultatet e procesit të vettingut dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Vëmendje të posaçme, ministrja franceze znj. Belloubet,  tregoi për ngritjen e institucioneve të reja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo përgëzoi ministren Gjonaj për arritjet e deritanishme dhe e inkurajoi për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi duke rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e qeverisë franceze në këtë drejtim.

Gjithashtu temë e diskutimit ishte dhe Politika e re penale për të miturit. Znj. Bollubet konfirmoi vullnetin për firmosjen në Tiranë të një Memorandumi për Forcimin e Bashkëpunimit në fushën e Drejtësisë për të Miturit dhe për mbështetje në ngritjen e Qendrës së Ekselencës, sipas modelit francez, për formimin profesional në këtë fushë.

“Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona ka qenë i shkëlqyer dhe jam e bindur se do të vazhdojë të thellohet edhe në vazhdim. Më vjen mirë që sot, jo vetëm shkëmbyem eksperiencat kryesore të fushës së përgjegjësisë, por njëkohësisht vendosëm për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e zbatimit të Reformës në Drejtësi në përgjithësi dhe sistemin e drejtësisë penale për të miturit në veçanti” u shpreh ministrja Gjonaj.

Në vijim, znj. Gjonaj dhe znj. Belloubet diskutuan mbi ndryshimet në legjislacionin e Kodit Civil shqiptar, në përputhje me prioritetin e Ministrisë së Drejtësisë për kodifikimin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me acquis communautaire. Të dyja ministret u dakordësuan për të bashkëpunuar në këtë fushë, ku Ministrja e Drejtësisë, znj. Belloubeut garantoi mbështetjen e ekspertëve francezë të Drejtorisë së Çështjeve Civile në këtë Ministri, për më tepër kur Ministria Franceze sapo ka përmbyllur ndryshimet e reja të Kodit Civil Francez.

Po ashtu, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorripusion, ministrja Gjonaj e njohu znj. Belloubet me strukturën e re të krijuar nga Qeveria shqiptare, Task Forcën Antikorrupsion, fokusi i së cilës, është lufta kundër korrupsionit.

‘’Jam e lumtur që ju pres në këtë takim, pasi ne kemi marrëdhënie të hershme dhe të frytshme me Shqipërinë’’ u shpreh ministrja Belloubet.

Znj. Nicole Belloubet, nga ana e saj theksoi se mekanizmat e ngritura dhe masat e marra për të luftuar korrupsionin janë të duhurat dhe rezultatet e deritanishme të Task Forcës Antikorrupsion janë për t’u përshëndetur. Gjithashtu ajo u shpreh se Franca është e gatshme të mbështesë Shqipërinë nëpërmjet bashkëpunimeve dypalëshe dhe financimeve të BE-së.

Në fund të takimit, znj. Belloubet pranoi me kënaqësi ftesën për një vizite së shpejti në Tiranë, për të finalizuar bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive me nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit.

Në përfundim të takimit, të dyja ministret theksuan rëndësinë e vazhdimësisë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Francës, si pjesë integrale e marrëdhënieve të forta që ekzistojnë midis dy vendeve tona.

‘’Besoj fort që nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Francës në veçanti, e ardhmja e qytetarëve shqiptarë do të jetë më e ndritur’’ përfundoi ministrja Gjonaj.