Ministrja Gjonaj nga Shkolla e Magjistraturës: Drejtësia po përjeton një kthesë të madhe, shoqëria jonë mund të bëhet vetëm nga njerëz që mishërojnë këto parime - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 07/10/2019

Ministrja Gjonaj nga Shkolla e Magjistraturës: Drejtësia po përjeton një kthesë të madhe, shoqëria jonë mund të bëhet vetëm nga njerëz që mishërojnë këto parime

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka qenë e ftuar në shkollën e Magjistraturës, ku ka adresuar një sërë mesazhesh konkrete për magjistratët e rinj që sapo diplomohen.

Teksa ka folur lidhur me procesin e reformimit të drejtësisë dhe punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë për fuqizimin e shtetit të së drejtës, Gjonaj ka kërkuar nga të rinjtë që të tregojnë vlerat e vërteta për t’i ofruar përspektivën evropiane drejtësisë shqiptare.

“Ju jeni ata që tashmë keni një mision shumë të vështirë, por sigurisht aspak të pamundur: Rikthimin e besimit të publikut te drejtësia. Qytetarët do e shohin reformën e drejtësisë përmes jush çdo ditë në sallat e gjykatës ku jeni në rolin e gjyqtarit dhe prokurorit. Unë shpresoj fort që gjatë punës suaj, ju të kujtoni orët e vona të studimit, mundin për të ardhur deri këtu, faqet voluminoze dhe profesorët tuaj që ju kanë frymëzuar dhe sakrificat e familjarëve për të mos hequr dorë së bëri atë që është e duhura. Ju keni në dorë shpatën dhe çekiçin. Shpatën për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, ligjin nga padrejtësia, dhe çekiçin për të vendosur dhe për t’i dhënë të drejtën atij që i takon dhe shoqëria jonë mund të bëhet vetëm nga njerëz që mishërojnë këto parime. Uroj që dija, modelet dhe dashuria për drejtësinë të triumfojë në orët tuaja më të vështira dhe të kujtoni urtësinë e lashtë të Platonit që e çmonte drejtësinë si më të lartin dhe përmbledhje të të gjitha virtyteve”, tha Gjonaj.

Ndër të tjera, ajo shtoi se të rinjtë e drejtësisë kanë fatin për të shërbyer në një sistem të riformatuar.

“Të gjithë sot jeni dëshmitar të këtij ndryshimi rrënjësor dhe historik që po kryet në sistemin e drejtësisë. Ju do të keni privilegjin që të shërbeni në një sistem të ri, që do t’ju garantojë mbështetje institucionale dhe vlerësim më të mirë financiar, pavarësi të plotë nga pushtetet e tjera dhe hapsira për t’u zhvilluar në karrierë duke u bazuar vetëm te aftësitë profesionale. Megjithëatë, bashkë më këtë privilegj, ju keni dhe përgjegjësinë e shtuar, që të shfrytëzoni më mirë këtë pushtet që ju është dhënë”, tha Gjonaj.

Më tej, ministrja gjithashtu u shpreh se qytetarët shqiptar prej dekadash kanë aspiruar për shtetin e së drejtës dhe një sistem drejtësie të bazuar te pastërtia morale, ku sipas saj të rinjtë  duhet t’i bashkohen këtij misioni për ta përmbushur.
“Integriteti i magjistratit është ai që do të bëjë ndryshimin rrënjësor të kthimit të besimit të publikut në sistem, në pasjen e një sistemi të pa korruptuar, të paanshëm dhe të pandikuar, e për këtë arsyen duhet të punojmë të gjithë që në kurikulat e formimit të brezave të rinj ky element të jetë i ngulitur fortë në mendjen dhe në formimin e brendshëm të çdo gjyqtari dhe prokurori të ri. Qytetarët shqiptar prej dekadash kanë aspiruar për shtetin e së drejtës dhe një sistem drejtësie të bazuar te pastërtia morale, aftësia profesionale dhe pavarësia nga politika. Keni fatin historik që të bëni që drejtësia në Shqipëri të përjetojë një kthesë të madhe. Ju mund të jeni ata që të vendosni një model të ri të drejtësisë që mund të eksportohet si model suksesi edhe në vende të tjera”, theksoi Gjonaj.