Ministrja Gjonaj diskuton me Komisioneren e BE-së Vera Jourova për zbatimin e reformës në drejtësi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 05/10/2018

Ministrja Gjonaj diskuton me Komisioneren e BE-së Vera Jourova për zbatimin e reformës në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, ka pritur në një takim zyrtar Komisioneren për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore në Komisionin Evropian, znj. Vera Jourova. Takimi është mbajtur në kuadër të Ministerialit 2-ditor Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që u mbajt në Tiranë.

Ecuria e Shkollës së Magjistraturës, si baza e formimit të magjistratëve të rinj, zgjidhja e ngërçit me institucionet e drejtësisë dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi kanë qenë çështjet më të ndjeshme që janë diskutuar në takimin dypalësh.

Në takim komisionerja Jourova shoqërohej nga znj. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian si dhe nga Ambasadori i Delegacionit Evropian në Tiranë, z. Luigi Soreca.

Komisionerja Jourova është interesuar në veçanti për procesin e vetingut dhe ka shprehur mbështetjen e saj dhe të Komisionit Evropian për çdo nevojë që do të ndihmonte në zbatimin e mëtejshëm të këtij procesi.

Ministrja Gjonaj ka theksuar se pavarësisht mungesës së konsensusit të opozitës në Parlament, lista prioritare e vetingut po përfundon dhe kjo do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë KLGJ dhe KLP, të cilat do të miratojnë kuotat e reja për shkollën e Magjistraturës duke i dhënë kështu zgjidhje ngërçit të krijuar.

Ministrja e Drejtësisë i ka thënë eurokomisioneres se Reforma në Drejtësi ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm dhe si asnjë proces tjetër më parë, është përqafuar gjerësisht në publik duke marrë mbështetje të plotë.