Ministrja e Drejtësisë znj. Gjonaj mori pjesë në aktivitetin online 'Sfidat e gjyqtareve dhe prokuroreve në zbatimin të legjislacionit të dhunës me bazë gjinore' - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/12/2020

Ministrja e Drejtësisë znj. Gjonaj mori pjesë në aktivitetin online ‘Sfidat e gjyqtareve dhe prokuroreve në zbatimin të legjislacionit të dhunës me bazë gjinore’

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj mori pjesë në aktivitetin online ‘Sfidat e gjyqtareve dhe prokuroreve në zbatimin të legjislacionit të dhunës me bazë gjinore’, ku pati kënaqësinë që sëbashku me Z. Michele Ribotta, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri të bashkëbisedonte me gjyqtare dhe prokurore për të diskutuar mbi aplikimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore.

Fuqizimi dhe mbrojtja e rolit të gruas si themeli i një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike është një proces i rëndësishëm në avancimim e barazisë gjinore dhe garantimin e saj dhe ndikon drejtpërdrejtë në shndërrimin e tyre në një forcë të madhe për ndryshim në shoqërinë ku jetojnë.

Synojmë jo vetëm të promovojmë rolin e grave në sistemin e drejtësisë në Shqipëri përmes një zëri dhe vizioni të unifikuar, duke avancuar barazinë dhe respektin për të gjitha gjyqtaret dhe prokuroret aktuale dhe që do t’i bashkohen sistemit në të ardhmen, por edhe në evidentimin e problematikave që hasin gratë gjyqtare dhe prokurore në zbatimin e legjislacionit të dhunës me bazë gjinore me qëllim adresimin e tyre nëpërmjet fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë.

Ky aktivitet organizohet në ditën e fundit, përmbyllëse të fushatës së ditëve të aktivizmit ndaj dhunës me bazë gjinore, por edhe ne ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ditë e cila përbën një moment të veçantë reflektimi e ri-angazhimi, si dhe vazhdimi me të njëjtin përkushtim i punëve që kemi nisur.

Dhuna ndaj grave është një fenomen kompleks, shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të grave dhe një manifestim i marrëdhënieve të pabarabarta të pushtetit midis burrave dhe grave dhe luftimi i këtij fenomeni kërkon bashkimin forcash, burimesh dhe kapacitetesh ndërmjet të gjithë aktorëve.

Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë si përsa i përket ndryshimeve ligjore, përafrimit të legjislacionit me standardet ndërkombëtare, zbatimin e rekomandimeve të Grevios, shërbimeve të ofruara, sërish gratë përballen me forma të ndryshme të dhunës me bazë gjinore.

Ende pune ngelet për t’u bërë për arritjen e barazisë gjinore, për fuqizimin ekonomik të grave, edukimin dhe arsimimin e qytetarëve me qëllim çrrënjosjen e stereotipeve gjinore, ndryshimin e mentalitetit, pasjen e kurrikulave të posaçme të cilat trajtojnë këto çështje, rritja e kapaciteteve të profesionistëve të sistemit të drejtësisë, puna me dhunuesit, ngritja e të gjithë mekanizmave të dhunës.

Reforma në drejtësi dhe gjithë ndryshimet ligjore që u ndërmorën në këtë kuadër kanë pasur në fokus dhe kanë theksuar të drejtën e një aksesi të barabartë në drejtësi për të gjithë, përfshirë anëtarët e grupeve të margjinalizuara dhe riafirmoi angazhimin e Shtetit Shqiptar dhe Ministrisë së Drejtësisë për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar një sistem të ndihmës juridike, të drejtë, transparent, efektiv, shërbime jo-diskriminuese, me fokus qytetarin dhe gjithëpërfshirëse që promovojnë aksesin në drejtësi për të gjithë.

Viktimat e dhunës me bazë gjinore tashmë përfitojnë shërbime të ndihmës juridike parësore nëpërmjet qendrave të ofrimit të ndihmës juridike parësore, 8 klinikave të ligjit dhe 12 organizatave jo fitimprurëse të autorizuara për të ofruar shërbime të specializuara në qytetet, Tiranë, Durrës, Lushnje, Fier, Pogradec, Lezhë, Shkodër, Dibër, Elbasan etj.

Ndihma Juridike dytësore nëpërmjet vendimeve të lëshuara nga gjykata garantohet nga avokatet (73) për të cilët në bashkëpunim me Dhomën e Avokatëve të Shqipërisë po punojmë të rrisim kapacitetet e tyre. Përgjatë pandemisë dhe aktualisht me qëllim garantimin e aksesit krijuam platformën juristi online dhe numrin e gjelbër, të cilat mundësojme ndihmë juridike falas për të gjithë qytetarët.

Avokatet dhe gjithe ofruesit e ndihmës juridike parësore monitorohen për shërbimet e ofruara pasi fokusi i Ministrisë së Drejtësisë është garantimi i ndihmës juridike efektive dhe me standarde.

Për miratimin e një kuadri ligjor sa më të plotë dhe bashkëkohor për mbrojtjen e viktimave të dhunës ju jeni në dijeni të ndryshimeve ligjore që kemi ndërmarrë për Kodin e ri Penal ku dispozitat ligjore të dhunës me bazë gjnore kanë pësuar një sërë ndryshimesh të rëndësishme. Kodi penal është konsultuar në disa faza me profesionistë të sistemit të drejtësisë ku kontribut të madh na kanë dhënë edhe gjyqtarët dhe prokurorët në përmirësimin e draftit të Kodit Penal.

Çështjet e dhunës me bazë gjinore janë një luftë e gjatë dhe e vështirë, të cilën edhe shumë vende akoma më të zhvilluara se ne nuk e kanë përfunduar ende, por takime si këto janë mjaft të rëndësishme për të na treguar gjendjen se ku jemi, çfarë po bëjmë aktualisht dhe se si do të veprojmë konkretisht për të minimizuar me të gjitha kapacitetet tona këtë fenomen të hershëm të shoqërisë.