Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj së bashku me Zëvendës Kryeministren znj. Senida Mesi inspekton institucionet e varësisë në qarkun e Beratit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 25/02/2018

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj së bashku me Zëvendës Kryeministren znj. Senida Mesi inspekton institucionet e varësisë në qarkun e Beratit

 

Në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave në qarkun e Beratit, Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj e shoqëruar nga Zëvendës Kryeministrja  znj. Senida Mesi zhvilloi më datë 24 Shkurt një vizitë inspektuese në zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t Berat. Qëllim i këtyre vizitave ishte njohja nga afër e punës së tyre, duke diskutuar problematikat e hasura në përditshmëri nga qytetarët, të cilët aplikojnë pranë sporteleve të këtyre institucioneve për të marrë shërbime në kuadër të prioritetit të qeverisë shqiptare për bashkëqeverisjen me qytetarët. Paralelisht vizitave dhe takimeve të znj. Etilda Gjonaj, Zëvendës Ministrja, znj. Teuta Vodo, së bashku me stafin e Ministrisë së Drejtësisë, zhvilluan takime pune pranë ZVRPP Kuçovë, si dhe në Zyrën Rajonale të Shërbimit të Provës dhe  Zyrës Rajonale të Përmbarimit Berat.

Ministrja e Drejtësisë, ashtu si edhe znj. Mesi, gjatë fjalës së saj në këto institucione vuri theksin te reforma madhore që po ndërmerret nga ana e  Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë, mbi krijimin e një Agjencie të integruar për trajtimin e titujve të pronësisë, mbi bazën e një legjislacioni të integruar dhe një praktike të unifikuar, duke shkrirë në një të vetëm institucionet si ZRPP, ALUIZNI, ATP me qëllim ofrimin e shërbimit ndaj qytetarit. Krijimi i një harte të unifikuar të dixhitalizuar për pronat në Republikën e Shqipërisë, janë prioritet kryesore i Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë realizimi i kësaj reforme madhore ndërmarrë për herë të parë në këto 27 vite.

Gjatë takimit me drejtuesit dhe stafin e ZVRPP Berat Ministrja e Drejtësisë kërkoi trajtimin e të gjitha ankesave të qytetarëve brenda afatit kohor 10 ditor, duke insistuar në mos zvarritjen, apo sorollatjen e qytetarëve për dhënien e përgjigjeve në kohë për aplikimet e paraqitura.

Gjatë vizitës në zyrën e ALUIZNI-t, Ministrja e Drejtësisë kërkoi përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me legalizimet, që janë në proces konform kritereve ligjore, duke kërkuar që asnjë dosje të mos u mbahet peng qytetarëve. Gjithashtu u cilësua si prioritet edhe kryerja e procesit të legalizimeve, duke përcaktuar zonat në bllok dhe jo në mënyrë selektive. Po ashtu në këtë takim u theksua se shërbimi ndaj qytetarit duhet të jetë prioritet kryesor në çdo institucion. Rishikimi i titujve të pronësisë për ato zona të cilët preken nga projekte strategjike apo të një rëndësie kombëtare duhet të shihen me përparësi të veçantë.

Nga ana tjetër Ministrja kërkoi që në kuadër të jetësimit të Reformës në Drejtësi dhe procesit të vetting-ut nuk do të tolerohet asnjë vonesë për informacionin e kërkuara nga organet e vetting-ut apo rivlerësimit kalimtar, kombëtar apo ndërkombëtar në këto zyra.

Duke iu drejtuar stafit të pranishëm znj. Gjonaj sqaroi se për çdo rast abuzimi në kurriz të qytetarëve apo akt korruptiv të konstatuar do të ndërmerren menjëherë masa displinore, si dhe do të referohet kallëzim penal në Prokurori për çdo punonjës apo drejtues sa herë të ketë indicie për konsumim të veprës penale.

Nga ana tjetër në secili prej institucioneve në varësi të Ministrisë së Drejtësisë do të rishikohet përputhshmëria e vendit të punës për stafin aktual me arsimin apo kriteret ligjore të kërkuara në çdo rast.

Nga ana e saj, Zëvendës Kryeministrja znj. Senida Mesi vlerësoi mesazhin e përcjellë prej Ministres Gjonaj ndaj punonjësve të ZVRPP-së dhe ALUIZNI-t, duke nënvizuar edhe një herë se Qeveria me reformën që po ndërmerr synon ndryshimin e perceptimit të zyrave të administratës publike në sytë e qytetarëve. Të dy këto institucione duhet të shikojnë veten dhe qëllimin e funksionimit të tyre si administrator të titujve të pronësisë në shërbim të qytetarëve dhe jo si pronar apo vendimarrës në dëm të tyre. Znj. Mesi theksoi gjithashtu se dhënia e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit duhet të ofrohet në sportele të dedikuara për secilin prej tyre me qëllim rritjen e efektivitetit dhe arritjen e objektivave të institucionit.

Ministrja e Drejtësisë në mbështetje të nismës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në kuadër të Ditëve Kombëtare të Pemëve u ndal në IEVP-në e Beratit, së bashku me Zv/Ministren e Drejtësisë Teuta Vodo, Drejtuesit e të gjithë institucioneve në varësi të Ministrisë së Drejtësisë në Qarkun e Beratit, i’u bashkuan aksionit për mbjelljen e pemëve, ku mbollën 70 pemë dekorative, në hapsirën përreth institucionit, dukë krijuar një ambjent sa më komod edhe për personat që vuajnë dënimin në këtë institucion. Kësaj nisme i’u bashkuan edhe disa prej të dënuarve, të cilët asistuan në mbjelljen e pemëve duke i shtuar gjelbërimin këtij institucioni.

Në një takim pune me drejtuesit e IEVP Berat Ministja Gjonaj bëri me dije se prioritare ngelet reforma në sistemin penitenciar. Së shpejti do të nisë edhe trajnimi i punonjësve aktual në sistemin penitenciar në mënyrë që çdo punonjës në këto institucione të përmbushë kriteret përcaktuese sa i përket profesionalizmit, integritetit apo verifikimit të gjendjes gjyqësore. Ndërkohë rekrutimi i stafit të ri do bëhet nëpërmjet Akademisë së Sigurisë në përputhje të një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme.

Në përmbyllje të takimeve të parashikuara Ministrja Gjonaj, së bashku me znj. Vodo zhvilluan një takim të përbashkët me të gjithë drejtorët e institucioneve në varësi të Ministrisë së Drejtësisë të qarkut të Beratit, përkatësisht Drejtuesit e IEVP-së Berat; Zyrës Vendore të ALUIZNI-t;  ZVRPP-ve Berat, Skrapar e Kuçovë, si dhe drejtuesit i Zyrës Rajonale të Shërbimit te Provës Berat dhe të Zyrës Rajonale Përmbarimit Berat, ku u diskutua mbi arritjen e objektivave të parashikuara për secilin prej tyre, rritjen e performancës nga ana e këtyre institucioneve, si dhe të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.