Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj vizitë pune në Holandë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/05/2018

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj vizitë pune në Holandë

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj vizitë pune në Holandë

Ministrja e Drejtësisë zj. Etilda Gjonaj, së bashku me Ministrin e Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj ndodhen në Holandë për një vizitë pune. Në ditën e parë të kësaj vizite, ata u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së Roterdamit, z. Ahmed Aboutaleb. Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë, Tiranë, z. Erion Veliaj.

Që në fillim të takimit z. Aboutaleb, vlerësoi vizitën e autoriteteve të larta nga Shqipëria, si një mundësi shumë e mirë përveç të tjerave, për të parë nga afër si funksionon në Roterdam ai që quhet trekëndëshi i sigurisë komunitare: Bashki – Polici – Prokurori.

Përfaqësues të këtyre tre institucioneve dhe stafet e tyre respektive, takohen rregullisht çdo javë për të diskutuar çështje të rendit dhe sigurisë në qytet, kjo edhe për peshën që ky qytet zë në Holandë. Ky takim, shtoi ai, është po ashtu një mundësi që të trajtojmë së bashku çështje shqetësuese për të dy palët, e parë kjo në këndvështrimin e perspektivës së hapjes së negociatave BE – Shqipëri.

Ministrat falënderuan në mënyrë të veçantë Kryetarin e Bashkisë për mbështetjen që ai i ka dhënë çështjes shqiptare, sidomos pas vizitës së tij në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar. Emri juaj, shtoi ministri Xhafaj, përmendet sa herë ne flasim për Holandën.

Ministri vlerësoi organizimin e takimit me ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë si dhe dakordësimin për firmosjen e një dokumenti bashkëpunimi dypalësh. Kjo do t’i japë një dimension të ri bashkëpunimit dypalësh, përfshi këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë.

Një dokument i tillë do të na japë mundësinë të punojmë së bashku për çështje që janë shqetësuese për të dy palët. Në këtë kontekst, ministri Xhafaj theksoi se po shikon me shumë seriozitet mundësinë e caktimit të një oficeri të Policisë së Shtetit të dedikuar vetëm për Roterdamin. Ai iu referua eksperiencës shumë te mirë me Gjermaninë lidhur me funksionimin e Task Forcës Antiskifter dhe hodhi idenë që kjo gjë mund të bëhet edhe me Roterdamin, pas analizave përkatëse të situatës këtu.

Marrëdhëniet mes dy policive janë intensifikuar, po ashtu edhe mes prokurorive. Kjo linjë bashkëpunimi është tregues se edhe në Shqipëri mundet shumë mirë të funksionojë trekëndëshi i sigurisë komunitare bashki – polici – prokurori.

Ministri Xhafaj vlerësoi mbështetjen e Holandës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht për çka ne duhet të bëjmë në të ardhmen. Holanda “gjithmonë ka krijuar shpresë, jo të kundërtën”, u shpreh Xhafaj.

Edhe Prokurori i Roterdamit i pranishëm në takim, u shpreh për ndërtimin e një marrëdhënieje model për bashkëpunimin me Prokurorinë sa i takon çështjeve të hetimeve, ndjekjes penale dhe konfiskimeve të aseteve. Kjo do të na ndihmojë, shtoi ai, të ndërtojmë më shumë besim tek njëri tjetri, të bëjmë më shumë progres. Ai po ashtu, hodhi idenë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore.

Ministrja e Drejtësisë zj. Etilda Gjonaj e njohu Kryetarin e Bashkisë së Roterdamit me punën e madhe që ka kryer Shqipëria në reformimin e sistemit të drejtësisë, si një nga mjetet më efektive për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe trafikimin.

Gjithashtu, Ministrja, në vijim edhe të vizitës së z. Aboutaleb në Tiranë, nëntorin e kaluar, e informoi atë mbi ecurinë e procesit të Vettingut dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, si një nga reformat më të mëdha që ka ndërmarrë qeveria Shqiptare me qëllim ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe eficent.

Përfaqësuesi i Policisë, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë shqiptare, duke shtuar se Dokumenti i Bashkëpunimit do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në çështje konkrete, duke veçuar sidomos takimin në nivel ekspertësh për çështje të migracionit dhe konfiskimit të aseteve.

Në vijim Kryetari i Bashkisë, vlerësoi rekomandimin e KE-së për Shqipërinë duke shtuar se ne do ta mbështesim Shqipërinë në këtë proces, duke ju dhënë njerëzve shpresë. Ai hodhi idenë e zbatimit të më shumë projekteve me karakter ekonomik, si një mënyrë e krijimit të vendeve të punës dhe largimit të të rinjve nga rruga e krimit. Ai preku po ashtu edhe çështjen e atyre që përpiqen të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, në kërkim të një mundësie më të mirë jetese atje.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe mundësitë e punësimit në mënyrë të ligjshme në Holandë, duke shtuar se tregu i punës është tashmë në lulëzim. Ai i kërkoi ministrit Xhafaj që përfaqësues të policisë të vijnë këtu për periudha afatshkurtra për të parë dhe analizuar nga afër problemet që ne ndeshim këtu.

Ai e shfrytëzoi edhe njëherë këtë takim për të shprehur kundërshtinë e tij, ndaj asaj që shpesh etiketohet si “krimi etnik”, duke shtuar se ne po adresojmë me shumë vëmendje çështje të racizmit, diskriminimit, ashtu sikurse jam kundër profilizimit të krimit në terma etnikë.

Nga ana e tij, ministri Xhafaj, u shpreh se ne besojmë shumë në atë çka ju si individ dhe funksionar i latë përfaqësoni. Ministri ndau të njëjtin mendim me Kryetarin e Bashkisë sa i takon tregut të punës, duke sjellë shembullin e Gjermanisë.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Kryetarit të Bashkisë, ministri Xhafaj, deklaroi se policët e parë që do të caktohen në Holandë, do të vijnë në Roterdam. Më tej, ai vlerësoi rolin e kryetarit si një avokat i Shqipërisë.

Për të parë më mirë këtë “rol”, ju keni nevojë për rezultate konkrete, ndaj jam këtu për t’ju prezantuar rezultatet konkrete të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri u prezantoi të pranishmëve një set dokumentesh të cilat tregojnë rezultatet në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, azil kërkimit, migracionit të paligjshëm, etj.